Mirakaj: Qeveria të zbatojë vendimet e gjykatës për të pushuarit nga puna

    376
    Sigal

    Greva e urisë, ish të dënuar politikë dhe deputetë të PD përleshen me policinë

    Z. Simon Mirakaj, Kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë në Shqipëri mbështet të gjitha kërkesat ekonomike të ish të përndjekurve politikë. “Unë mbështes të gjitha kërkesat ekonomike e të përndjekurve, duke patur parasysh të kaluarën tragjike të tyre. Unë jam i vetëdijshëm se në kuadrin e një krize financiare në të gjithë botën, ky është një moment i vështirë edhe për vendin tonë. Por ashtu siç sakrifikuan të përndjekurit, deri dhe jetën e tyre për lirinë e këtij vendi, ashtu duhet të sakrifikojë edhe shteti për ta”, u shpreh Mirakaj për “Telegraf”. Ish të përndjekurit që marrin pjesë në grevë kanë parashtruar dhe 5 kërkesat e tyre që janë: Dëmshpërblimi brenda 2 viteve të të gjitha kësteve; Status special për ata ish të përndjekur që janë gjallë; Rikthim në administratë; Shtimi në dëmshpërblim të internimit; Dënimi i figurës së diktatorit Enver Hoxha. Mirakaj duke gjykuar se të gjitha këto kërkesa janë të drejta i mëshon rikthimit në administratë të pushuarve padrejtësisht nga puna. “E kam shprehur gjithmonë shqetësimin tim për të pushuarit nga puna. Ne nuk duam që të qëndrojnë në punë se janë ish të përndjekur, jo. Ne kërkojmë që ata që e kanë shkollimin e duhur, specializimet, që plotësojnë kriteret e tjera për gjuhë të huaja apo përdorimin i kompjuterit, të rimerren në punë. Nëse nuk keni mundësi ekonomike për dëmshpërblimin të paktën mos u hiq bukën e gojës, që e fitojnë me punën e tyre. Ata thjesht duan të integrohen në shoqëri, nuk duan të marrin lekë kot, por duan t’i fitojnë ato me punën e tyre. Pse  të arrihet deri këtu dhe të kërkohet zgjidhja me grevë urie?” pyet Mirakaj. Një tjetër gjë që e shqetëson Mirakën është dhe lartësimi që po i bëhet kë5rto ditë figurës së Enver Hoxhës. Sipas tij është e turpshme që personalitet të vendit tonë bëhen palë me ata që brohorasin për kriminelin Hoxha, duke mos reaguar. “Ku janë luftëtarët që luftuan fashizmin, por që i pushkatoi komunizmi? Ku janë këto figura të ndritura të vendit tonë, ata që vërtetë luftuan për lirinë?”, pyet Mirakaj. Gjithsesi, ai gjykon se greva të tilla nuk janë për shtresën e tyre, apsi është një shtresë që ka sakrifikuar boll, por, sipas tij, ky është rezultati kur dialogu mbyllet. “Unë i vlerësoj të majtët, sikurse dhe të djathtët si një aset i çmuar për politikën shqiptare. Por politika asnjëherë nuk duhet të harrojë që të përndjekurit janë vetë simboli i lirisë. Ata ngritën flamurin e lirisë 30 vjet më parë në Qafë-Bari, atje ku u sakrifikuan 3 jetë të rinjsh. Epo, nuk duhet harruar sakrifica e tyre. Është koha që ata ta shijojnë demokracinë, i kanë gjithë të drejtat dhe jo të sakrifikohen edhe në këto ditë demokracie”, shprehet Mirakaj. Ish kreu i Institutit të të përndjekurve mendon se kjo grevë nuk mund të instrumentalizohet dhe të shihet si politike se e mbështetën dhe deputetë të PD-së, pasi kërkesat e tyre janë thjesht ekonomike. Ai i bën thirrje Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore që të zbatojnë vendimet e gjykatës dhe të rikthejnë në vendet e tyre të punës të gjithë ata që janë pushuar padrejtësisht.

     Greva e urisë

     Një përplasje e ashpër fizike ndodhi mes deputetëve demokratë, ish të dënuarve politikë dhe efektivëve të policisë dje në mesditë rreth orës 13:20 minuta pranë selisë së ish të përndjekurve politikë. Policia tentoi të ndalojë nisjen e grevës së urisë nën pretendimin se, nuk ka leje zyrtare. Kurse ish të dënuar politikë shprehen se, kanë leje nga Bashkia e Tiranës dhe një kërkesë që kanë dërguar në Policinë e Shtetit. Deputetët e PD, Flamur Noka, Gert Bogdani, Aldo Bumci kanë qenë prezent në momentet që një përfaqësi nga ish të përndjekurit dhe të dënuar politikë po tentonin të fusin materiale në grevën e urisë që kanë bërë thirrje se do e nisin dje. Forca policie nuk kanë lejuar futjen e materialeve (çadra, batanije, susta) dhe kanë debatuar dhe më pas janë përleshur me ish të përndjekurit politikë dhe deputetët e PD-së. Për të përshëndetur nismën e tyre, ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili i vizitoi nga afër grupin e ish-të përndjekurve.

    Ish të përndjekurit e politik: Ja arsyet pse hymë në grevë urie

    Përfaqësuesi i ish-të përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha deklaroi se, 12 ish-të përndjekur nisën grevën e urisë për të kërkuar marrjen e dëmshpërblimeve brenda dy viteve. I pyetur se, sa është numri i ish të përndjekurve politike që do të hyjnë në grevë urie, Hoxha u shpreh se, greva është e hapur dhe të gjithë janë të mirëpritur t’i bashkohen grevës tonë. Gjithashtu, ata kërkojnë edhe status special për të gjithë ish-të përndjekurit që janë gjallë.

    5 kërkesat që kërkohen të plotësohen

    1) Dëmshpërblim total për të gjithë ata që kanë statusin e të përndjekurit politik dhe që i takon dëmshpërblimi brenda 2 viteve, dhe qe janë të gjallë.

    2) Rikthim në administratë të gjithë fëmijët e të përndjekurve që janë larguar nga puna.

    3) Shtimin e dëmshpërblimit për ata që kanë bërë vitet e internimit, t’i njihen.

    4) Të rihapen dosjet që kanë mbetur pezull në Ministrinë e Drejtësisë, si pasojë e burokracisë dhe urrejtjeve klasore që ka politika shqiptare.

    5) Të dënohet figura e kriminelit Enver Hoxha dhe të dali jashtë ligjit Partia Komuniste, pasi ajo përbën një rrezik të madh për Shqipërinë.

    Ja emrat e personave që hynë në grevë urie:

    1-Fatmir Hoxha

    2-Ulison Dida

    3-Shaban Hoxha

    4-Feriz Mulgeci

    5-Sadik Jahja

    6-Shahin Murishti

    7-Bedrie Bozhaxhiu

    8-Xhane Dusha

    9-Syrja Ferro

    10-Fiqiri Xhellari

    11-Mithat Tafani

    12-Fadil Dema

    Aldo Bumçi: Jemi këtu në mbështetje të ish të përndjekurve politik

    “Ne jemi këtu të mbështesim këtë grevë urie të ish të përndjekurve politikë. Nuk është grevë politike, ne vetëm sa i mbështesim ish të përndjekurit politikë”,- kështu u shpreh deputeti Bumçi, ndërsa situata u qetësua disi. “Ky është komunizëm. Këta po na vrasin së dyti”,- bërtet një grua krah tij. “Kjo polici në vend të mbrojë është kthyer në polici dhunuese”,- tha për mediat Bumçi, ndërsa qëndronte mes efektivëve të policisë dhe ish të përndjekurve politikë. “E kemi lejen, ja ku e kemi”,- shprehet një ish i dënuar politik, duke i prerë fjalën Bumçit.

    Paloka: Ish-të përndjekurit u përdorën nga Rama, ai i mashtroi

    Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka vizitoi ish-të përndjekurit që kanë hyrë në grevë urie. Paloka deklaroi se, ish-të përndjekurit po detyrohen të futen në grevë nga “mashtrimet e kryeministrit”.

    Noka: Kur ishin në pushtet u lejuam grevën, por benzinën ua futi Rama

    Pas përleshjes me policinë deputeti demokrat Flamur Noka dha një intervistë të shkurtër për Neës24, ku u shpreh se, e drejta për grevë është një e drejtë e fituar në këto 23 vite demokraci. Sipas tij, kur PD ka qenë në pushtet nuk ka lejuar incidente të tilla në grevat e urisë së ish të përndjekurve politikë, por nuk citoi specifikisht rastet tragjike të Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos që u vetëdogjën me benzinë. Sipas Nokës, benzina në çadrat e grevistëve u fut nga Edi Rama.

    Të përndjekurit, ligji i ri

    Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka gati draftin për ndryshimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i cili pritet t’u japë prioritet disa kategorive të caktuara. Drafti parashikon një hierarki në dhënien e dëmshpërblimit sipas disa kategorive. Të parat që do të trajtohen nga ligji janë ish-të dënuarat politike femra, ndërsa pas tyre të përndjekurit, të cilët janë ende gjallë në moshë mbi 75 vjeç. Pas tyre do të trajtohen me prioritet ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë sëmundje të rënda sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm, ish-të dënuarit politikë, të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe trashëgimtarët e radhës së parë të ish-të dënuarve politikë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Sipas draftit të MMSR, të “fundit” në listën e prioriteteve janë ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë më moshë nën 75 vjeç. Por pavarësisht këtyre 6 kategorive, bëhet me dije se çdo fond i miratuar për kategorinë e të përndjekurve politikë do të ndahet në 2 nënkategori, duke mos lenë jashtë procesit trashëgimtarët.

    Të larguarit nga administrata: Nuk dorëzohemi!

    Ndërkohë në çadrat e ngritura pranë godinës së kryeministrisë, prej 8 ditësh përfaqësues të shoqatës së të larguarve nga administrata janë futur në grevë urie, duke kërkuar rikthimin në punë. Dy ditë më parë, grevistëve u janë bashkuar edhe 4 policë të shkarkuar dhe ish-shefi i FNSH-së së Shkodrës. Grevistët shprehen të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre. ndërkohë që disa prej grevistëve kanë shfaqur probleme serioze shëndetësore, ata shprehen se, nuk do të dorëzohen deri në kthimin e tyre në punë.