Mirakaj: Fondi i mangët, s’i përballon gjithë të moshuarit

    414
    Sigal

     Forum/ Flasin Simon Mirakaj, Kurt Kola dhe Reshat Kripa për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë

     Ndarjen e dëmshpërblimit sipas gjendjes fizike dhe moshës jo të gjithë figurat e ish të përndjekurve politikë e shohin njësoj. Ish Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Simon Mirakaj shprehet në një forum për “Telegraf” se, të gjithë të përndjekurit kanë vuajtur njësoj dhe nuk duhet të ketë përparësi në këtë çështje. Ai ka menduar një tjetër skemë për të moshuarit. “Mendimi im është, që më të moshuarit duke bërë përllogaritje të marrin një pension mujor” shprehet Mirakaj. Ndërsa, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve, Kurt Kola, shprehet se “po të zbatohet do të ishte mirë, sepse nëse dëmshpërblimin nuk e merr njeriu që ka vuajtur dënimin, do të ishte pa vlerë ta marrin të tjerët”. Reshat Kripa, Kryetar i Degës së Tiranës së “Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë” është i mendimit se edhe pse fondi këtë vit është i vogël, fillimisht, sipas tij, të shlyhen ata që janë gjallë.

    Qeveria parashikon zbatimin e një skeme të re në ndarjen e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë. Sipas kësaj skeme, me prioritet në ndarjen e kësteve të dëmshpërblimit do të kenë të moshuarit mbi 70 vjeç, personat e sëmurë, si dhe ata që nuk kanë marrë asnjë këst që nga nisja e këtij procesi. Detajet janë bërë të ditura nga ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, gjatë një vizite në Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë. Veliaj ka deklaruar se, në shkurt do të nisë shpërndarja e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Ai gjithashtu ka sqaruar se shpërndarja e kësteve do të bëhet në bazë të moshës, ku më të moshuarit do të përfitojnë dëmshpërblimin që u takon brenda një afati më të shkurtër. “Dua të siguroj të gjithë ata që nuk i kanë marrë këstet e kaluara se pagesa e tyre do të nisë këtë vit. Buxheti prej 18 milionë dollarësh do të shpërndahet në mënyrë solidare, duke u dhënë prioritet atyre që nuk e kanë marrë një këst, pra që të kemi njëlloj barazie. Gjithashtu, jemi duke kalkuluar moshën dhe shumë shpejt do të kemi një rezultat, që fillimisht të kompensohen ata që janë në një moshë më të thyer. Është e pamoralshme që këstet të ndahen në mënyrë të barasvlershme si për një 50-vjeçar, ashtu edhe për një 80-vjeçar. Kjo gjë do të korrigjohet këtë vit”, tha Veliaj gjatë këtij takimi.

     Simon Mirakaj: Pension mujor për më të moshuarit

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Mendoj se nuk mund të bëhen diferencime. Ka probleme në rast se të Majtët mendojnë për të dëmshpërblyer më parë të sëmurët dhe të moshuarit, 70 për gratë dhe 75 për burrat, ndërkohë që ka 50 –vjeçarë, të cilët jetojnë në kushte mizerabël, sepse nuk kanë një punë për mungesë shkollimi, gjithashtu të njëjtën gjë do të thoja dhe për trashëgimtarët, të cilët kanë vuajtur pasojat e personave që kanë pasur të burgosur. Mendimi im është, që më të moshuarit duke bërë përllogaritje të marrin një pension mujor. Numri nga 70 vjeç e lart është i konsiderueshëm, kështu që në këtë aspekt dhe fondi është i mangët, nuk mund t’i plotësojë dhe nuk përballohet. Ndërsa, ministri Veliaj, përpara se të ndërmarrë veprime duhet të marrë kontakt dhe me grupet e interesit, përfaqësuesit e shoqatave.

     Kurt Kola: Të dëmshpërblehemi sa jemi gjallë!

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Po të zbatohet do të ishte mirë, sepse nëse dëmshpërblimin nuk e merr njeriu që  ka vuajtur dënimin, do të ishte pa vlerë ta marrin të tjerët. Nëse qeveria është e interesuar që të dëmshpërblejë ish të përndjekurit brenda 2 viteve, të dëmshpërblejë një herë ata që janë gjallë duke filluar nga mosha më e lartë e deri tek i fundit që është gjallë. Pastaj në dy vitet e tjera të dëmshpërblejë trashëgimtarët.

     Reshat Kripa: Fillimisht, të shlyhen të gjallët!

     Si e shikoni ndarjen e dëmshpërblimeve në mënyrë të diferencuar?

    Unë mendoj që fillimisht të shlyhen ata që janë gjallë. Në vitin 2010 kanë qenë 2 400 veta të gjallë. Shifra sot duhet të jetë nën 2 mijë. Sipas llogarive, mesatarja e viteve të burgut është 8 vjet, ata që janë gjallë i kanë marrë 2 këste, kështu që u ngelën dhe 6. Duke bërë një llogari të thjeshtë 2 000 persona me  6 vite burgu për 2 mijë lekë në ditë, herë 365 ditë, na del 8 760 000 000 lekë të reja. Kjo shifër mund të përballohet. Fondi këtë vit u pakësua, edhe pse gjithmonë ka pasur një trend rritës.

    Jo në BE, pa Ligjin e Lustracionit

      Partia e të Drejtave të Mohuara ka bërë një takim me intelektualët dhe përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve për t’i kërkuar Parlamentit Shqiptar dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës që të hapë dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Takimi u mundësua me propozim të disa krerëve të “Ligës së Djathtë” dhe kryesisht drejtuesit aktual z. Ilir Vata me moton, “Hakmarrjen ia kemi lënë Zotit”, por duam transparencë, të hapen arkivat e sigurimit, pasi jemi i vetmi vend komunist që ende nuk kemi Ligjin e Lustracionit.

    Kryetari i PDM-së, z. Vata përgëzoi të gjithë ata intelektualë, që këto vite të postdiktaturës kanë bërë të mundur të hulumtojnë, botojnë pjesëza nga historia e trishtë e diktaturës, madje edhe libra, por ndër të tjera ai tha: “Kërkohet një bashkëpunim i gjerë i intelektualëve, institucioneve kërkimore, arkivave vendase dhe të huaja për të nxjerrë në pah të vërtetën, por më shumë duhet vullneti politik i një ligji për Lustracionin”.

    Pikërisht, këtu te vullneti politik qëndron problemi dhe ndonëse ka kaluar afro një çerek shekulli nga rrëzimi i diktaturës, ende nuk kemi një ligj të tillë dhe mëkatarët tanë janë sot të pushtetshëm në të gjithë gamën e pushtetit, por më të zellshmit janë kryetarë partish, parlamentarë dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Po perifrazoj një thënie të Abraham Linkoln: “Pa kuruar të shkuarën nuk mund të ndërtojmë të ardhmen”. Ende sot janë 4800 varre të humbura, burgjet dhe kampet e internimit po zhduken, ende nuk kemi një muze, obelisk, ende nuk kemi një varr ku t’u hedhim lule të afërmve tanë, nuk kemi një histori reale dhe brezi i ri po noton në të shkuarën si ne, apo baballarët tanë.

    Prandaj iu bëj thirrje të lobojmë me politikën dhe të njoftojmë Parlamentin Europian, Këshillin e Europës që të ushtrojë presion politikës shqiptare që të ndërmarrë veprime ligjore për miratimin e Ligjit të Lustracionit.