Mira Pirdeni: “Më shumë humanizëm për moshën e tretë”

    665
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Mira Pirdeni, Drejtore Ekzekutive “Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat”(ASAG)

    Para disa ditësh partia “Aleanca KuqeZi” shpalli strategjinë dhe programin e saj për rritjen e pensioneve në Shqipëri, duke prezantuar të gjithë studimin e përgatitur nga një grup i gjerë ekspertësh të ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore. Aleanca KuqeZi deklaroi se, do të ndryshojë rrënjësisht dyshemenë e pensioneve nëpërmjet reformimit dhe rritjes progresive. Indeksi dhe referenca e grupmoshave të ndryshme për profesione të njëjta apo politikat diskriminuese të pensioneve speciale do të marrin fund. Në takimin e zhvilluar me një grup të gjerë pensionistësh kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu deklaroi: “Aleanca KuqeZi është qartazi kundër rritjes së moshës së pensionit pasi kjo do të bllokonte rinovimin e administratës dhe nuk ka asnjë mbështetje  apo referencë krahasuese. Sistemi pensioneve është një zinxhir i gjatë korruptiv dhe abuziv. Sot në sistemin e pensioneve ka ende persona të vdekur ku familjarët e tyre vazhdojnë të marrin pensione apo zyrtarë të korruptuar të ndryshojnë referencat e viteve të punës. Aleanca KuqeZi shpreh shqetësim të thellë që Shqipëria është i vetmi vend në kontinent që diskriminon mbi 500 mijë pensionist. Niveli i pensioneve të fshatit është nga 5.500 lekë deri në 8.300 lekë, në qytet nga 8.600 lekë deri 13.000 lekë. Ky nivel dysheme i pensioneve të fshatin aplikohet në 84% të popullsisë duke e zhytur atë në një mjerim total. Midis të tjerëve fjalën e mori dhe znj.Mira Pirdeni

      Si e shikoni këtë lëvizje në ndihmë të pensionistëve?

    Sot si grua e moshuar, pensioniste prej më shumëse 10 vjetësh, vij e entuziazmuar që lëvizje të reja politike vendosin në fokus, duke sjellë  vëmendjen për një çështje kaq prekëse siç është Moshimi në Shqipëri, pra për atë grup demografik më të përvuajtur dhe më të dëmtuar në Shqipëri. Kam punuar shumë vullnetarisht që natën e parë të proceseve demokratike, 1990, për ndryshimin, një model të ri, por ndërsa dëshirojmë kaq shumë ndryshimin, ndeshemi me pengesa në nivelet e implementimit.

    Moshimi është çështje  shumë e rëndësishme për gratë e të gjitha moshave; ndërmjet të tjerash ato jetojnë më gjatë se burrat, kështu që me rritjen e jetëgjatësisë rritet domosdoshmëria për të përballuar nevojat reale të tyre. Unë jam përpjekur të bëj të njohura shqetësimet e të moshuarve dhe Planin Ndërkombëtar për Veprim mbi Moshimin, Madrid 2002, për të kuptuar se dimensioni “moshim” i jetës së grave dhe burrave  kërkon veprim aq më tepër në një vend si Shqipëria pa infrastrukturë mbi moshimin.

     Cila është një nga diskutimet më rezonante për këtë problem?

    Aktualisht kjo ҫështje globale ka fokusuar diskutimet në një nga temat më rezonante: Jetëgjatësia  modelon të ardhmen.

    Shqipëria është  një shtet me një tranzicion të tejzgjatur, i cili ka rënduar mbi të moshuarit. Strukturat politike, shoqërore  kanë anashkaluar problemin e të moshuarve duke e bërë atë një problem kronik, ndonëse zhvillimet demokratike  kanë ofruar mundësi. Varfëria e të moshuarve është shkaktuar nga: pensionet e pamjaftueshme,  mungesa  aksesit në shërbime si dhe diskriminimi moshor aktiv.

     Çfarë roli ka luajtur ASAG”

    ASAG ka qenë koordinatore ndërmjet qeverisë dhe OKB-së. Tashmë ne kemi një raport mbi Moshimin në Shqipëri nga një mision i nivelit të lartë të OKB-së.

    Rekomandimet e propozuara janë të organizuara në katër grupe që përfaqësojnë elemente esenciale të kapaciteteve kombëtare:

    • Ø infrastruktura institucionale;
    • Ø procesi i politikave dhe masat e politikës;
    • Ø hulumtime, grumbullimi i të dhënave dhe analiza;
    • Ø burimet njerëzore;

    2012-ta, 10 vjetori i Planit të Veprimit të Kombeve të Bashkuara mbi Moshimin përqendroi aktivitete shumë të rëndësishme me pikantet, takimi i Vjenës në nivel Ministrash njëkohësisht dhe Dita Botërore e shëndetit kishte temën “Moshimi dhe shëndeti”. Ky vit u shpall “Viti Europian i Moshimit Aktiv dhe Solidaritetit midis Brezave” duke  kërkuar:
    * Nxitje te plakjes aktive në punësim.
    * Nxitje e plakjes aktive në komunitet përmes vullnetarizmit.
    * Nxitja e plakjes së shëndetshme dhe të pavarur

     Çdo të thotë kjo?

    Kjo do të thotë se ne, veçanërisht vendet në tranzicion, do të duhet të shqyrtojmë politikat tona kolektive dhe praktikat përsa i përket planifikimit të qytetit, zhvillimit rural, transportit publik, qasje në kujdesin shëndetësor, mbrojtjen sociale, të punësimit, pjesëmarrja qytetare ne kohën e lirë, etj.. Ndryshimi demografik duhet të shikohet si një mundësi, që mund të sjellë zgjidhje të reja për ekonominë aktuale dhe sociale, por kjo do të kërkojë një vlerësim të ri dhe ripunimin e disa politikave ekonomike dhe sociale brenda shoqërisë. Fuqizimi i të moshuarve me shëndet të mirë për të kontribuar më shumë në mënyrë aktive në tregun e punës dhe në komunitetet e tyre do të na ndihmojë të përballojmë këtë sfidë demografike në një mënyrë që është e drejtë dhe e qëndrueshme për të gjitha brezat.

     Ç’tregon Raporti i Bankës Botërore?

     Raporti i Bankës Botërore: “Shqiptarët të plakur dhe të varfër në 2025”, kërkon me urgjencë reforma në kujdesin shëndetësor dhe  pensione. Popullsia e moshuar duhet të jetë tani një fokus i rëndësishëm për kërkime dhe debatin social.  Gjithashtu  një çështje kyç për politikat shëndetësore dhe planifikimin social është se çdo të ndodhë në kuadrin tonë kulturor dhe social kur popullsia aktuale në moshim vazhdon të jetojë me gjatë?

    ASAG (Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat) si mbrojtëse e çështjes së  Moshimit përpiqet të punojë fort në favor të një ndryshimi afatgjatë, origjinal në jetët e njerëzve që janë anashkaluar në shoqërinë tonë dhe vlerëson në mënyrë të veçantë bashkëpunimet aq më tepër me forca politike të interesuara. Ne kemi nevojë për një përpjekje të përqendruar të të gjithë shoqërisë për të transformuar vizionin tonë mbi moshimin nga vartësia në rritjen e vazhdueshme të kontributit të moshuarve dhe të pjesëmarrjes se tyre në jetën  sociale dhe ekonomike.

     Moshë e re për të gjitha moshat

    “Një shoqëri për të gjitha moshat është ajo që nuk i karikaturon personat e moshuar si pacientë dhe pensionistë. Përkundrazi, ajo i sheh ata si veprues dhe përfitues të zhvillimit. Ajo i nderon të moshuarit tradicionalë në role udhëheqëse dhe konsultuese në komunitetet në të gjithë botën”. Kofi Annan