Mira Pirdeni*/ Gratë, pabarazia gjinore në politikë

    429
    Sigal

     Me rastin e 8 Marsit dhe fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare, 2013 duhet hedhur vëmendja mbi  Gruan  në Politikë duke pasur parasysh  dhe pjesëmarrjen e vogël të saj në zgjedhjet e Pushtetit Lokal 2011.

     Pasojat e mungesës së një bashkëpjesëmarje strategjike lokale dhe zhvillim të përgjegjesive për shumë vendimarrje në çështjet lokale ka bërë që zëri i grave të mos dëgjohet në planifikimin dhe shpërndarjen e shërbimeve, të cilat gjer tani kanë dështuar në adresimin e nevojave të tyre.

     Ndërhyrjet strategjike në komunitet mbi çështjet gjinore duhet të jenë politika reale, të cilat në vijim  përcaktojnë mbarëvajtjen e familjes shqiptare dhe shoqërisë.

     Më vjen keq të pohoj se sot pas kaq vitesh, njësoj si në komunizëm, pushteti nuk ka respektuar kontributin e tyre. Madje, disa nga  gratë që  përfshihen si trashëgimtare të diktaturës, të paafta për ndryshim  dhe mbi të gjitha për  ironi të faktit, përfaqësuan Gruan Shqiptare në Konferencën e 4-të Botërore mbi Gratë, NewYork, Mars 2010 në delegacionin e qeverisë demokratike.  Kjo situatë tregon dhe njëherë ilegjitimitetin e pushtetit.

     Në këtë konferencë vështrimi mbi dështimet e investimeve mbi gruan, riafirmoi dhe shtoi zotimet për veprime konkrete, burime për implementimin e saj, duke marë në konsideratë ndryshimet në kontekstin global dhe lokal. Gratë e moshuara, në Shekullin e Moshimit, janë përmendur specifikisht në Platformën për Veprim të Bejingut përsa i përket varfërisë së tyre, shëndetit, dhunës, pengesave për të hyrë në tregun e punës dhe  diskriminimit. Nga ana tjetër në Shqipëri situata e ka vendosur gruan në pozicionin më të disfavorshëm ekonomik, social dhe politik.

     Njëkohësisht, krijimi i UN Women (zyra e OKB për barazi gjinore) ka përkuar me ndryshime të thella në botë. UN Women si një strukturë e re ka një fokus special mbi fuqizimin, avancimin ekonomik, pjesëmarrjen politike dhe lidership të gruas. Përfshirja e gruas në këto fusha është thelbësore për demokracinë, drejtësinë dhe për forcimin e mundësive për një ekonomi dhe shoqëri të shëndetshme.

     Nëse tentojmë të bëjmë një reflektim dhe bilanc në prag te kësaj fushate elektorale, një pjesë jo e vogël e grave dhe vajzave , në mënyrë  të vazhdueshme jenë të prekura  nga  dhuna dhe varfëria e të gjitha dimensioneve. Natyrshëm lind nevoja e një analize të thellë dhe serioze e gjithë aktivitetit të të gjithë aktorëve të shoqërisë civile dhe atyre politike.

     Gratë duhet të jenë lider të çështjeve të familjes, komunitetit dhe  kombit.  Njëkohësisht  duhet të sjellim në vëmëndje vështirësitë e tyre, veҫanërisht të Grave të Moshuara. Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat (ASAG), ka qënë e shqetësuar ndaj abuzimeve dhe kërkon barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, duke fuqizuar  gratë si një mënyrë efektive për të luftuar feminizimin e varfërisë.

     Në  këtë fushatë duhet të çmohet  kontributi mbi temën e moshimit, por dhe një perspektivë të gjërë të ciklit të jetës së grave. Gjithashtu ajo që vihet re në këtë fushatë, gruaja vendoset në mënyrë fiktive thjesht për të plotësuar numrin, që duhet të kenë sallat gjatë premtimeve elektorale, ku shumica e të pranishmeve brohorasin me pompozitet.

    Aktualisht pabarazitë gjinore janë aspektet e ndryshme të diskriminimit me të cilat përballet  pjesërisht gruaja e moshuar dhe gratë në përgjithësi. Disavantazhet sociale dhe ekonomike kanë një impakt të rëndësishëm në shumë fusha të tjera. Për shëmbull, pabarazitë në të ardhura dhe pasuri herët në jetë do të thotë se gratë e moshuara tentojnë të jenë më të varfëra se burrat e moshuar.

     Meqë gratë jetojnë më gjatë se burrat,  ato kanë më shumë mundësi të mbeten të veja, ky mbetet një prej faktorëve kryesorë që lidhet me varfërinë, vetminë dhe izolimin.

     ASAG ka ngritur çështjet që kanë të bëjnë me gruan e moshuar dhe jo vetëm, duke nënvizuar mundësi të barabarta në termat e pjesëmarrjes në politikë dhe shoqëri dhe të drejtën për një zë në proҫeset politike të vendimmarrjes në të gjitha nivelet. Në diskutimet globale ka konsiderata kompetente për eksperiencen, kreativitetin dhe kontributin e grave të të gjitha moshave në fushat publike dhe private në kursin e gjithë ciklit të jetës për eleminimin ose reduktimin e problemeve ekzistuese dhe  të grave të brezit të tretë.

     Perspektiva gjinore është më e nevojshme se kurrë. Ajo është  e rëndësishme për të kuptuar se gratë tona përballen me realitete të ndryshme dhe nevojitet t’ju adresohemi disavantazheve potenciale.

     Ne duhet të ekzaminojmë rolin tonë në rajon duke e parë nëpërmjet objektivave të të drejtave të grave, zhvillimit dhe drejtësisë gjinore. Rritja e pabarazisë gjinore është kritike që gratë shqiptare të punojnë për zhvillimin dhe të sigurojnë që Shqipëria të kontribojë me përgjegjësi për krijimin e një rajoni të ri, të drejtë dhe paqësor.

    ASAG ka si qëllim themelor kontributin për një ndryshim  rrënjësor, për balancën e fuqisë midis burrave dhe grave, për t’u përballur me barrierat e zhvillimit për të pasur më shumë gra aktive në politikë dhe jetën publike.

     *  Drejtore Ekzekutive/ Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat (ASAG)

      Tiranë, 8 Mars 2013