Ministria e Shëndetësisë mbushet me gjela deti

520
Sigal

Ilir Beqja kthen garazhet e ministrisë, në kotece dhe fermë me… gjela deti

 

Mbarështimi i gjelave të detit brenda oborrit të kësaj
ministrie, mund të jetë një hap tjetër i rëndësishëm në kuadrin e reformave të
“rilindjes”, për shtimin dhe fuqizimin e partneritetit publik me privatin, por
është rasti i vetëm në botë, që një ministër e kthen një institucion
shëndetësie, në qendër blegtorie

 

Ndërsa në oborrin dhe hyrjen kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, prej
3 vitesh e gjysmë dëgjohet zëri i ministrit Ilir Beqja, në oborrin prapa
ministrisë, prej 1 muaji po dëgjohen këngë… gjelash deti! Nuk është sajesë
por fakt, që në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Shëndetësisë, ku
janë garazhet e makinave të këtij dikasteri shtetëror është krijuar një “fermë”
gjelash deti, për të cilën kujdesen rojet e parkingut dhe garazheve të kësaj
ministrie. Rojet nuk paguhen si rritës gjelash, por si kujdestarë të tyre, duke
u hedhur ushqim, duke i  futur e nxjerrë
nga garazhet e makinave që shërbejnë si kotece, madje edhe duke i ruajtur nga
skifterët që kanë nisur të grumbullohen në majë të tarracës së ministrisë, në
pritje të mundësisë për të sulmuar ndonjë gjel. Ne mundëm të filmojmë me zë e
me figurë fermën e gjelave të detit që është ngritur në këtë prag Viti të Ri në
oborrin e pasmë të Ministrisë së Shëndetësisë. Duke mos e ditur se janë në një
mjedis ministrie dhe duke u kënaqur që po ushqehen me misër e ullinj, gjelat po
shëndoshen e janë bërë çakërrqejf, duke u krekosur, duke luajtur e duke u
ndeshur me njeri-tjetrin. Prej më se 1 muaji, në këtë ministri nuk ka qetësi e
punë, por ka humor mes punonjësve, të cilët argëtohen nga dritaret e zyrave,
duke i nxitur gjelat të këndojnë e të ndeshen mes njeri-tjetrit, aq sa po
shkulin lagjen rrotull ministrisë. Kush i ka futur gjelat në mjediset e
ministrisë? me çfarë urdhri? Të kujt janë? Thuhet se këta janë gjelat e shefave
të ministrisë, të cilët me leje të ministrit Ilir Beqja, janë “kolektivizuar”
në pjesën e garazheve të makinave. Gjatë ditës, rojet i nxjerrin në oborrin
para garazheve dhe i ushqejnë. Në mbrëmje, i fusin në “kotece”, dmth në
garazhet e makinave. Sipas bisedave konfidenciale me rojet, mësojmë se 5 gjelat
më të shëndetshëm i ka ministri Beqja, për të cilët tregohet aq kujdes i
veçantë, sa nuk tregohet as pacientët në spitale. Rojet kanë detyrë, që përditë
të pastrojnë garazhet, me qëllim që higjiena e gjelave të jetë si në zyrën e
ministrit (siç i ka porositur). Ashtu siç është shëndetësi falas edhe puna e
kujdestarëve të gjelave është falas. Thuhet, se gjelat do të qëndrojnë në këtë
“fermë” deri në 31 dhjetor, kur do të bëhen “kurban” po aty ku kanë kënduar e
kanë argëtuar zyrtarët e ministrisë…, të cilëve në emër të Kodit të Etikës së
“Rilindjes” u ndalohet të filmojnë gjelat, të qeshin me ta apo t’i stresojnë…
Ky veprim është sa komik, aq dhe alarmant e i turpshëm. Ndërkohë që në spitale
mungojnë ilaçet dhe shërbimet mjekësore, në mjediset e ministrisë krijohen
kushte për të mbajtur gjela deti. Ndërkohë që ministrat “Rilindës” pasurohen me
tenderë, mbushin edhe mjediset e institucioneve me kafshë e shpend. Nuk dihet,
nëse këta gjela deti janë mbledhur aty për t’u therur për Vitin e Ri, apo “Rilindja”
ka ndonjë projekt zhvillimi ekonomik për të kthyer Ministrinë e Shëndetësisë
dhe ministritë e tjera në qendra blegtorale, me qëllim mbarështimin e gjelave
të detit, për të rritur prodhimin e brendshëm bruto… Ajo që kuptohet nga ky
skandal i rëndë është fakti, që babëzia e tyre shkon deri në këtë turp…