Ministria e Drejtësisë portal hyrës në gjyqësor për qytetarët

    491
    Sigal

    Përurohet portali dixhital i sistemit gjyqësor, i cili garanton tërësisht transparencën e sistemit

    Sot qeveria shqiptare siguron për të gjithë vendasit e tij një portë të re hyrëse të publikut në sistemin gjyqësor, portalin dixhital të sistemit gjyqësor shqiptar.

    Një vit më parë, pak ditë pasi Kryeministri më besoi detyrën e Ministrit të Drejtësisë, përcaktuam disa nga drejtimet në të cilat do të ecnim drejt reformës në drejtësi. Vendosëm që në atë kohe se dixhitalizimi do të ishte një proces që duhej me patjetër të shtrihej në të gjithë sistemin, si kërkesë bazike e transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Një reformë strukturore do te sillte në ministri një ekip të talentuar informaticienesh, të cilët janë njerëzit që fikin dritat të fundit në Ministri netëve vonë.

    Hartuam së bashku me ta, atë që e cilësuam si planin tonë të jashtëzakonshëm të dixhitalizimit të drejtësisë. Një plan që përmbledh dixhitalizimin e gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, në një mozaik të vetëm, unik dhe të pakrahasueshëm.

    Rezultatet, në historinë e këtij viti janë absolutisht më pozitivet, falë punës së jashtëzakonshme të ekipeve të ekspertëve. Hartuam dhe implementuam pjesën më të madhe të reformës  se jashtëzakonshme. Përuruam pak muaj më parë Portalin e ri “One Stop Shop” për noterët, një portal unik në rajon i cili solli dixhitalizimit të noterisë në Tiranë dhe shumë shpejt do ta shtrijmë atë në gjithë Shqipërinë.

    Përuruam pak javë më parë, portalin e ri për aplikimin dhe ankesat online në ZRPP, i cili përmbledh të gjitha shërbimet e ZRPP si shërbime elektronike, duke larguar radhët, burokracitë, korrupsionin dhe duke i dhëne qytetareve një shërbim cilësor dhe të garantuar.

    Përuruam po ashtu së bashku dixhitalizimin e çdo seance gjyqësore dhe fillimin e regjistrimit audio recording, duke i dhënë publikut një mundësi më të madhe për të dëgjuar çdo fjale dhe çdo germë, mbi atë që ndodhë në një sallë gjyqi, mbi atë që ndodh në drejtësi. Po kështu inauguruam pak muaj më parë në Ministrinë e Drejtësisë portalin e ankesave online për sistemin e drejtësisë duke i dhëne mundësi publikut dhe qytetareve që brenda pak minutave të adresojnë ankimin e tyre online, por dhe të gjurmojnë atë që ndodh me ankimin e tyre. Aktualisht po ecim me mbikëqyrjen elektronike për të dënuarit, proces i cili është në implementim e sipër dhe procedurat e tenderit ndërkombëtar janë çelur pak kohë më parë. Por, deri më sot, kishte ngelur për tu plotësuar ajo pjesë e mozaikut të sistemit, për te cilën një vit më parë ishim më tepër skeptike, por ishim edhe të vetëdijshëm mbi vështirësitë, por edhe rëndësinë e nevojën që kanë qytetarët për rivitalizimin, qendërzimin, gjurmueshmerinë e sistemin gjyqësor dhe inspektimin online të gjyqtarëve.

    Ashtu si dhe u prezantua pak më parë, nga sot kemi një portal qendror të të gjitha gjykatave në Shqipëri, me sistem të përqendruar të menaxhimit të të dhënave, që shndërron sistemin nga sistem te mbyllur, jo transparent dhe pak të besueshëm, në një sistem dixhital, dhe që garanton tërësisht transparencën e sistemit, informimin e publikut, por dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin në kohë reale vetëm me një klikim. Kjo portë e re moderne e sistemit gjyqësor, nga sot, siguron një informacion të plotë dhe në kohë reale mbi çdo çështje gjyqësore në çdo gjykatë të vendit. Nga sot  çdo qytetar ka mundësinë reale te ndjekë dhe gjurmojë çështjen e tij 24 orë në 24. Nga sot qytetarët mund të shohin në çdo minutë se çfarë ndodh me padinë e tyre, si u caktua për shqyrtim, si u hodh shorti, si kaloi tek x gjyqtar, çfarë po ndodh me seancën gjyqësore, çfarë tha avokati, çfarë thane palët, pse u shty, sa dhe pse po zvarritet procesi?  Kur shkon në apel, çfarë u vendos, a u zgjidh çështja në Gjykatë të Lartë e deri në ekzekutim. Kemi ndërtuar kështu një sistem dixhital tërësisht të përqendruar me një portë hyrëse, e të aksesueshme për të gjithë duke krijuar dhe një arkivë dixhitale për drejtësinë në këtë 100 vjetor të pavarësisë me një server qendror me hapësirë të mjaftueshme për të paktën 30 vitet në vijim. Transferimi i dosjeve nga një gjykatë në tjetrën tashme do të bëhet në mënyrë elektronike.

    Nga sot projektorët e publikut ne i kemi drejtuar tek gjykatat. Tashmë gjithçka ndodh në gjyqësor vendoset në monitorimin e kujdesshëm të publikut. Sot, nëpërmjet ndërtimit të portalit të gjykatave, ne sigurojmë transparencën në çdo qelizë të sistemit gjyqësor, të bindur se sistemet dixhitale dhe transparenca janë padyshim masat më të rëndësishme në betejën për reformimin e sistemit gjyqësor. Sigurisht transparenca nuk eliminon tërësisht korrupsionin dhe padrejtësitë. Por, ne jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur, sepse transparenca rrit përgjegjshmërinë e gjyqtareve dhe aktorëve të drejtësisë, ul korrupsionin, ndihmon qytetarët të identifikojnë devijantët dhe Ministrinë e Drejtësisë të fillojë procedurën për të kërkuar ndëshkimin e tyre. Ne jemi të bindur se nëpërmjet kësaj porte të re moderne për informimin e publikut, qytetarët do të shohin në dritën e diellit se çfarë ndodh në gjykatë dhe se marrëdhënia publik-gjyqësor nuk do të jetë më një martesë në krizë, por do ndihmojë seriozisht në forcimin e besimit të publikut tek drejtësia.  Epokën e letrave po e zëvendësojmë me epokën e re dixhitale.

    Ne punuam fort këto muaj, me të paktën 2 grupe ekspertesh që i solli EURALIUS, të cilët analizuan problemet dhe diagnostikuan sistemin. Ekipi i talentuar dhe Agimi, arritën të zhvillonin 7 module të reja në sistemin ICMIC, duke e rivitalizuar plotësisht sistemin e menaxhimit të çështjeve të financuar nga BE me vlerë 4.5 mln euro. Nga sot ne fillojmë një histori të re monitorimi. Inspektimin online për gjyqtarët. Identifikimi dhe adresimi i një ankesë për devijim të drejtësisë do të përfundojë si kurrë më parë në kohë rekord, duke i dhënë mundësi Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë të reagojë sa më shpejt ndaj ankesave për padrejtësi, abuzim dhe korrupsion në gjyqësor.

    Është e vërtetë se monitorimi i sistemit të drejtësisë nuk  ka munguar deri më sot. Vetëm gjatë këtij viti kanë kaluar nën monitorim pothuajse 40% e sistemit gjyqësor dhe prokurorisë. Është kërkuar fillimi i procedimit disiplinor për të paktën 50 prokurorë, 15 gjyqtarë, 10 noterë, 20 përmbarues privatë. Por, me Inspektimet online kontrolli ndaj sistemit të drejtësisë do të jetë më efikas, më i plotë duke eliminuar të gjitha kontaktet e inspektorëve më aktoret e drejtësisë. Sistemi i ri dixhital për gjykatat na sjell sot edhe një modul te ri: Matjen e performancës së trupës gjyqësore. Sistemi do të gjenerojë të dhëna automatike për çdo gjyqtar, sa vendime i janë prishur apo ndryshuar, sa shpejt ka gjykuar, sa efektiv ka qenë puna e tij, të dhëna këto absolutisht të rëndësishme për të bere vlerësimin e gjyqtarëve për efekt promovimi.

    Çdo gjyqtar do kalojë në skanerin e transparencës teknologjike dhe këto të dhëna do jenë  baza e vlerësimit të veprimtarisë së tij. Me bindje them që sistemi gjyqësor kaq transparent nuk kemi pasur kurrë më parë.

    Dixhitalizimi i gjithë sistemit të drejtësisë, krijon mundësinë e rritjes së mbikëqyrjes dhe kritikës së publikut ndaj sistemit, një zhvillim që jo gjithmonë përkrahet nga ata që mbikëqyren. Por elementi më i rëndësishëm në çdo sistem të mirëmenaxhuar – thotë Jai – është forca e drejtuesve të tij. Drejtuesit e zotë personifikojnë misionin më të madh të çdo gjykate. Ndaj dhe unë do të falënderoj të gjithë kryetaret e gjykatave për mbështetjen e projekteve tona, për realizimin e objektivave të përbashkët në reformën e madhe që kemi nisur. Dua të falënderoj edhe njëherë Delegacionin Europian dhe gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për mbështetjen në implementimin e projektit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, ekipin e ekspertëve të Misionit Euralius për diagnostimin e suksesshëm të gjithë sistemit, dhe natyrisht ekipin tim të ekspertëve dhe personalisht Agim Kasajn, djalin e mençur që me punën  e tij, na dhanë mundësinë të krenohemi para qytetarëve dhe t’u themi, ne e mbajtëm premtimin, planin tonë të dixhitalizimit të drejtësisë i shtuam pjesën më të rëndësishme të mozaikut: Portalin digital të gjykatave shqiptare.