Ministri urdhëroi inspektimin e minierave, të nxjerrë të “fajshëm” minatorin e vrarë

    474
    Sigal

    Minatori me pagë sa “1 copë bukë”, u vra si skllav, duke nxjerrë flori për mafien e bakrit që mbron ministri “pazarxhi”

    Dy ditë më parë, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë (MEI), ka “gatuar” skandalin e rradhës, duke u dirigjuar dhe urdhëruar fshehjen e një krimi me humbje jete, të një minatori të vrarë nga masivet shkëmbore në minierën e bakrit në Munellë të Pukës. Burime nga brenda MEI-t (nga grupi, me të cilin ministri Gjiknuri harton dhe shet privatisht projekte hidroenergjetike), thonë se ministri ka urdhëruar institucionin zyrtar në varësi, për të hartuar raportin e vrasjes së minatorit, ashtu “siç duhet” e jo për të deklaruar shkaqet reale, se përse dhe si ka ndodhur vrasja. “Misionin” për të bërë “letrat në rregull”, Gjiknuri ua ka besuar shefave të drejtorisë së minierave dhe inspektimit në ministri, më të cilët ka edhe biznese të përbashkëta private në projektet për sektorin e HEC-eve, të licencimeve dhe eksporteve të mineraleve. Ditën e vrasjes, gazeta “Telegraf’ ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Minierave në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, mbi shkaqet e vrasjes së minatorit, por gjithçka mbahej mister me refrenin përcjellës: – “Nuk dimë gjë, me këtë rast po merret personalisht ministri..”! Sipas një informacioni të ardhur në “Telegraf”, mësohet se vetëm 2 orë pas aksidentit, ministri është parë të futet “ilegalisht’ në një rrugicë në zonën “21 Dhjetori” në Tiranë, shoqëruar në makinë nga ish-zv/ministri i Energjetikës, Pajtim Bello, rrugicë e cila të çon në zyrat e firmës turke “Bern Orner”, firma që prej 14 vitesh po shfrytëzon minierën e bakrit në Munellë e në 8 sektorë të tjerë të prodhimit dhe përpunimit të bakrit shqiptar. Vajtja e ministrit me “mikun e vjetër” të firmës turke Pajtim Bello, në “pashallëkun” e bosit të firmës mafioze turke “Bern Orner”, tregon qartazi se ministri është vënë plotësisht në shërbim të tyre si “menaxher”, jo vetëm duke mos u hequr koncesionin, siç u betua publikisht kur u bë ministër, por edhe duke lejuar koncesionarin të shkatërrojë nëntokën dhe industrinë e bakrit, të vjedhë bakrin shqiptar, të mos investojë në minierat dhe linjat e përpunimit të bakrit as për kushtet e punës, me pasojë edhe vrasje të shpeshta minatorësh, duke pasur mbrojtjen e plotë të ministrit pazarxhi. Pas takimit në zyrat e firmës turke, mësohet se Gjiknuri ka zhvilluar një takim urgjent në ministri, me drejtorin e minierave Mehmet Hasanlami, për të gjetur “gjuhën e përbashkët”, të tekstit me të cilin do të hartohet raporti i ekspertizës teknike, të shkaqeve të vrasjes së minatorit Gjovalin Prenga, duke lënë “direktivë” që firma turke “të dalë e pastër” nga ky aksident në punë. Me këtë “këshillë”, ministri u la vartësve të nënkuptojnë, se “fajin për vrasjen e ka… i vrari”! Këtë gjë, MEI e ka bërë “me sukses” edhe në rastet e 3 vrasjeve të tjera të ndodhura në minierat e bakrit e kromit, duke “instruktuar” grupet e inspektimit dhe të ekspertizës së minierave, të nxjerrin fajtor ata… që vriten! Kaq ka mjaftuar, që të nisë zbatimi i “direktivës Gjiknuri”, për të hartuar një raport ekspertize në favor të firmës turke, me këtë konkluzion shabllon të përdorur në 10 vitet e fundit, në të 45 vrasjet e minatorëve: “Viktima u vra, mbasi nuk zbatoi rregullat e sigurimit teknik”. Por, sipas kreut të sindikatës Gjon Zeka, minatori Prenga është vrarë në një minierë, ku prej vitesh nuk është bërë asnjë investim dhe në një front pune, ku nuk kishte asnjë kusht sigurie në punë, i detyruar të punojë për të ushqyer familjen. Minatorët e Munellës kanë paraljmëruar rreyikun e vrasjeve në minierë për shkak të mungesës së masave të sigurimit teknik. Firma koncesionare turke, ka bërë në minierën e Munellës vetëm 1% investime nga detyrimi koncesionar prej 22 milionë dollarë, që duhej të kishte bërë brenda 2 viteve të para pas marrjes së koncesionit! Me urdhër të ministrit Gjiknuri, grupi inspektim ekspertizës ka shkuar pardje në Munellë, për të bërë ekspertizën e vrasjes dhe mbikëqyrjen e gjendjes teknike të frontit të punës, ku u vra minatori. Edhe në rastin konkret të k♪7tij aksidenti, doli se u zbatua urdhri i dhënë nga ministri, për të fajësuar minatorin e për të nxjerrë “të pastër” firmën turke. Këtë synim e dëshmon fakti, që një grup minatorësh, shokë të viktimës dhe përfaqësues nga sindikata, nuk u lejuan nga drejtuesit e ministrisë, të kompanisë turke dhe policisë lokale, që të ishin pjesë vëzhguese, bashkëngjitur grupit të ekspertizës të MEI, për të mos lejuar shtrembërimin e realitetit të vrasjes së minatorit. Sipas informacioneve tona, mësohet se grupi i ekspertizës teknike, “instruktuar” dhe dërguar në minierë nga ministri Gjiknuri, tashmë nuk ka e shkruar ende raportin zyrtar të shkaqeve të vrasjes së minatorit, mbasi informacioni teknik do të “kalkulohet”, fillimisht prej “ekspertëve” të ministrit e pastaj, do të zbardhet raporti i shkaqeve të vrasjes… “ashtu siç duhet”. Mësohet, se grupi i ekspertimit edhe pse ka parë në vendin e ngjarjes, se shkak ka qenë mungesa e plotë e investimeve dhe e kushteve të sigurisë teknike në punë, për të qenë në rregull me ministrin, paracaktoi këto variante të besueshme “shkaqesh”, të vrasjes së minatorit:

    – Pakujdesi e plotë gjatë punës.

    – Gjendje përgjumjeje.

    – Humbje e vetëdijes gjatë punës, prej një gjendjeje të papritur të fikti.

    – Ndërhyrje në masive shkëmbore, të ndaluar për punime.

    – Shkelje e plotë e rregullave të sigurimit teknik (mos mbajtje kapele).

    – Mos kontroll tekniko-fizik të frontit të punës, përpara fillimit të punës.

    Dhe kështu ndodhi realisht. Grupi inspektimit, sicc e paralajmëroi gazeta “Telegraf”, deklaroi si shkak të aksidentit mos zbatimin e rregullave të sigurimit teknik nga minatori me “mos mbajtje kapele ne kokë”, ndërsa për firmën turke, deklaroi “tekstin” që ka urdhëruar ministri Gjiknuri: “Miniera është e kompletuar me kushtet e punës dhe sigurinë teknike për punë”. Pavarësisht tentativës së ministrit për të fshehur të vërtetën e shkaqeve të këtij aksidenti, kujtojmë që pikërisht në minierën e Munellës, ku kushtet dhe siguria e punës mungojnë totalisht, 1 javë më parë ka qenë po ky grup i inspektimit i minierave dhe ka hartuar një raport me vlerësimin “Shkëlqyer” për kushtet e punës, për investimet dhe masat e plota të sigurimit teknik në punë! Në fakt, kushtet e punës dhe siguria teknike në punë në këtë minierë mungojë totalisht. Paçka se çfarë thonë raportet e ministrisë, fakti është se firma turke nuk ka bërë asnjë qindarkë investim, as për veshjet e minatorëve. Flitet për një minierë, ku punojnë 170 minatorë si skllevër e nën presion për pushim nga puna, nëse ankohen për kushtet e punës, pagat, ushqimin polievalent, dushet, mensën, ujin, transportin, pagën e 13-të, raportet mjekësore të paguara, pushimet në ditë festash kombëtare e zyrtare, ndotjen e lartë nga mungesa e aspirimit dhe shpërblimet financiare sipas ligjit. Pikërisht, në këtë minierë, duke punuar me pagë sa “1 copë bukë”, minatori Gjovalin Prenga u vra duke nxjerrë flori për mafien e bakrit shqiptar, që po e mbron edhe vetë ministri.

    Ja çfarë e “lidh” ministrin, me koncesionarin e bakrit

     Në strukturën e minierës Munellë, firma “BER-ORNER” e mori gjendjen faktike të mineralit të bakrit me 1 milionë, 601 mijë e 1988 ton mineral bakër gjendje “stok”. Sipas evidencës pasurore nëntokësore, miniera kishte 5 milionë e 543 mijë tonë ton rezervë bakri masiv polimetalor, me përmbajtje 1,62% bakër, me 0,66% zink, me 33,35% Squfur, me 1,63 gr/ton ar, me 12,3 gr/ton argjend dhe përbërës të tjerë anësorë, nga të cilat deri në vitin 2008 u nxorrën 820 mijë ton minerale të pasur me përbërje 3,8% Cu, me 4% Zn, me 3,7 gr/ton Au dhe me 60 gr/ton Ag. Zona minerare e bakrit në Munellë-Lak-Rosh, ka ende gjendje edhe 1.8 milionë ton rezerva bakri, me përmbajtje 1.69% Zn, me 2.37 gr/ton Au, me 42 gr/ton Ag dhe 0.2% Cu dhe të gjitha së bashku si volum mineral në këtë zonë minerare janë 7.3 milionë ton. Sasi e floririt, argjendit, zinkut ikën jashtë Shqipërisë, ndërkohë që kontrata koncesionare nuk lejon që ari e argjendi të dalë nga Shqipëria, por të përpunohet e të futet si depozitë në Thesarin e Shtetit.

    “Profil” i koncesionarit të bakrit, që mbrohet nga lart

     “Bosi i ri” turk i bakrit shqiptar, biznesmeni Erol Kohen, deklaruar aksioner me 55% të koncesionit, denoncohet tek ministri Gjiknuri nga aksioneri turk Hasan Berkpinar, se në bashkëpunim me strukturat mafioze në MEI është nxjerrë nga loja e koncesionit, duke e detyruar me presione, që t’i shiste koncesionin e bakrit, ortakut Erol Kohen”. Kjo ankesë, as nuk mori asnjë përgjigje, as nuk gjendet në dosjet e punës të ministrit Gjiknuri dhe në arkivat e ministrisë. Në tavolinën e ministrit është edhe një dokument zyrtar, dërguar prej drejtësisë dhe shtetit turk, me të cilin Gjiknuri njoftohet të verifikojë veprimtarinë e koncesionarit të bakrit në Shqipëri, mbasi “bosi” turk i bakrit shqiptar, Erol Kohen, është arrestuar në Turqi nën akuzën e “vrasjes mafioze me pagesë, të ish-ortakut të mermerit, inxhinierit 27-vjeçar, Serkan Şahin”. Kjo dosje dhe ky akt verifikimi e pezullimi, i kërkuar prej drejtësisë dhe Shtetit Turk, nuk po bëhet objekt shqyrtimi me shënimin e ministrit: Bllokuar deri në një urdhër të dytë! Dhe “çuditërisht”, koncesionari turk vazhdon nxjerrjen e bakrit, floririt e argjendit në minierën e Munellës e Lak-Roshit, jashtë çdo kontrolli e duke u mbrojtur prej Gjiknurit, me urdhër të të cilit pajiset me akte kontrolli me letra fiktive e me vlerësime “shkëlqyer”, ndërkohë që në këtë koncesion grabitet minerali dhe shfrytëzohen si skllevër e vriten minatorë për “1 copë bukë”, prej gjendjes së vështirë të fronteve të punës dhe mungesës së sigurisë teknike në punë…

    Përparim HALILI