Ministri Olldashi: “I siguruam ekonomisë akset e zhvillimit të infrastrukturës së rrugës”

586
Sigal

 Mbrëmë ministri i Transportit, Sokol Olldashi ishte në emisionin “Opinion” , në një debat televiziv për infrastrukturën e rrugëve, së bashku me Artan Lame, kandidati për deputet i PS-në. Debati midis Olldashit dhe Lame  kaloi në pikën e nxehtë, kur kandidati për deputet i PS-së i mohoi të gjitha shifrat që paraqiti ministri Olldashi për infrastrukturën e ndërtuar në këto 8 vjet qeverisjeje. Ministri Olldashi, përmendi bashkëbiseduesit të tij, Artan Lame, faktin, që kundërshtia e tij përbën një gënjeshtër, dhe kjo është gënjeshtër e radhës, pasi në vitin 2010, Artan Lame, është marrë i pandehur nga drejtësia me akuzën e shpifjes. Dhe ministri Olldashi solli në dritë disa rrethana  nga ai gjykim kundër Artan Lame. “Ju jeni gënjeshtar, por po ju them, se në vitin 2010 unë ju fala juve, ju shpëtova nga dënimi për shpifje, pasi më kërkoi si nder Kryeministri Berisha, që t’ju falesha, pasi ju vetë ndërhytë te ai. Pra, ta dini, që Kryeministri Berisha ju ka ndihmuar të mos dënoheshit për shpifje”. Ministri Olldashi, argumentoi paskëtaj, se rrugët janë pika më e fortë e qeverisjes Berisha në 8 vjetët e fundit dhe socialistët mundohen të ngrenë gënjeshtra që nuk ka rrugë, dhe me këtë duan të ngrenë edhe gënjeshtrën e dytë, që pastaj, nuk ka as zhvillim të ekonomisë. Dhe, socialistët, tha Olldashi, duan të ngrenë një kauzë elektorale mbi bazën e gënjeshtrës.  Sipas Olldashit, përmirësimi i infrastrukturës të rrugëve të vendit ka qenë ideja e Kryeministrit Berisha,  që në fillim të qeverisjes, sepse një infrastrukturë e përmirësuar dhe moderne do t’i hapë rrugën edhe zhvillimit ekonomik të vendit. Kështu, -tha Olldashi,- bujqësia është rritur 25 %, sepse u përmirësua infrastruktura e vendit”.