Ministri Gjiknuri: Do punohet 24 orë në autostradën Tiranë-Durrës

636
Sigal

Edhe pse ishte lajmëruar, që të hënën do të nisnin punimet në autostradën Tiranë – Durrës, rruga dytësore nuk i shpëtoi trafikut të rënduar. Për inspektimin e punimeve ishte i pranishëm vetë ministri Gjiknuri, i cili tha se do të punohet 24 orë në mënyrë që ndërhyrja të përfundojë shpejt. Riparimi i autostradës Tiranë –Durrës do të jetë një zgjidhje afatshkurtër, e cila mund të zgjasë deri në dy vite, ndërkohë që e nevojshme mbetet rikonstruksioni total i rrugës që ka një faturë prej 10 mln eurosh dhe gjasat janë që kjo rrugë të jepet me koncesion, për të cilën Gjiknuri tha se sot për sot nuk mund të diskutohet. Ministri Gjiknuri: Rehabilitimi, për sa i përket mirëmbajtjes normale, do të kryhet, që të eliminohen të gjitha ato probleme të trashëguara ndër vite. Dua që të na mirëkuptojnë qytetarët, sepse këto ndërhyrje vërtet krijojnë edhe probleme në trafik, por kantieret janë të domosdoshme, kantieri gjithmonë ka probleme, ndërhyrjet janë të domosdoshme, nuk ka mënyrë tjetër që pa kryer ndërhyrjet të realizohet edhe trafiku njëkohësisht. E rëndësishme është që janë marrë të gjitha masat që të punohet 24 orë. Drejtori i ARRSH, Afrim Qëndro tha se qeveria po punon për gjetjen e financimit për ndërhyrjen totale në rrugë. Qendro: Autoriteti Rrugor është duke e përpunuar këtë projekt dhe po mundohemi për të gjetur fondet për ta bërë me Buxhetin e Shtetit. Rehabilitimi i autostradës Tiranë-Durrës parashikohet të përfundojë brenda muajit qershor, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar do të njoftoj herë pas here për devijimet që do bëhen. Punimet për segmentin Qafë Kashari-Vorë parashikohen të zgjasin 2 ditë.