Ministri Beqaj po bën biznes me jetën dhe vdekjen e shqiptarëve

    390
    Sigal

    Forumi publik “Unë dëshmoj! Unë akuzoj!”. Qytetarët denoncojnë: Tregu ynë, plot me barna që na “vrasin” çdo ditë e nga pak

    Çdo ditë e më tepër vijnë dëshmi të frikshme barnash të falsifikuara dhe të paefektshme, që rrezikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë, ndërsa Beqaj për çdo ditë nuk lodhet të deklarojë se nuk ka mungesa barnash e sidomos në ato spitaloret, duke shtuar dhe doza krenarie për çmime të ulëta të barnave që me ardhjen e tij si ministër. Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve të cilët i kanë vuajtur vetë në kurriz pasojat e menaxhimit të Beqjes në forumin publik të organizuar dje nga Arjan Galdini “Unë dëshmoj! Unë akuzoj!”, treguan mosbesimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin tonë shëndetësor, deri dhe pasigurinë e jetës prej këtij palo sistemi e palo ministri. Arian Galdini i cili denoncoi hapur fenomenin “Narvina” në sistemin tonë shëndetësor shtroi një pyetje për Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me barna të falsifikuara, ta paefektshme, e deri vrastare me të cilat “mjekohen” shqiptarët, porse përgjigjen e pret nga Prokuroria. Ai kërkon ndërhyrjen urgjente të Prokurorisë të hetojë në lidhje me barin “Avastinë” që përdoret për të sëmurët me tumor, porse ky hetim të ndiqet më pas edhe për dhjetëra barna të tjera, ndoshta për 36 apo 37 të tilla? Arian Galdini kërkoi mospolitizimin e çështjes, pasi, për të, kemi të bëjmë me dinjitetin njerëzor. “Kjo është politika dhe partia ime, nëse gjeni një të tillë, më thoni të anëtarësohem”, u shpreh Galdini.

    Dëshmitë e qytetarëve

    1. Historia e Ilirit është e ngjashme me atë të Galdinit. Ai ka nevojë për barin “Avastinë” (Altuzan) për të trajtuar bashkëshorten e tij e cila vuan nga “radionekroza” (si pasojë e ekspozimit nga rrezeve që ka marrë për të trajtuar kancerin). “Shteti është i ashpër me qytetarët e tij, madje i dënon dhe me burg, nëse nuk paguajnë detyrimet ndaj shtetit si; taksa, energji, ujë etj.. Po shteti ka vetëm të drejta, nuk ka detyrime ndaj qytetarëve të tij?” shprehet Iliri në denoncimin e tij. “Meqë Kryeministri shpalosi dje platformën antikkorrupsion, ne po ja bëjmë punën më të lehtë këtu, duke denoncuar skandalin e barnave spitalore. I bëj thirrje qeverisë, të mbajë premtimet dhe të na sigurojë barna cilësore për njerëzit tanë!” përfundoi Iliri.
    2. Një qytetare shtatzënë denoncoi qarkullimin në tregun tonë farmaceutik të multivitaminave të skaduara e të falsifikuara. Pas problemeve shëndetësore në shtatzaninë e saj të dytë (të parën e kishte kaluar pa probleme), ajo kishte nisur të dyshonte se mos vitaminat e marra gjatë shtazanisë i kishin krijuar këto probleme. Frika dhe mungesa e sigurisë në barnat që qarkullojnë në treg e kishin sjellë në këtë forum publik. Denoncimi i saj u shoqërua dhe me provën materiale të vitaminave që ajo kishte konsumuar. Edhe pse vitaminat e kishin datën e skadencës në vitin 2016, ato ishin të mykura, gjë e cila tregon se në vendin tonë qarkullojnë barna të falsifikuara. Ajo i bëri thirrje të gjitha grave shtatzëna të bojkotojnë vitaminat dhe të mundohen ti marrin ato nëpërmjet ushqimit. Porse, problemi është më i madh se kaq se mund të bojkotosh suplemnetet (vitaminat), por për barnat jetike si i bëhet?!
    3. Mirela, e cila sapo kishte humbur babain e saj pas një sfilitjeje në QSUT, denoncoi sjelljen jo humane të bluzave të bardha. “ne themi fajin e ka sistemi, por sistemin e bëjnë njerëzit dhe jo vetëm me mjekët”, u shpreh ajo.
    4. Genti, menaxher në një klinikë private mjekësore denoncoi mitmarrjen nga ana e bluzave të bardha, si dhe papërgjegjshmërinë e mjekut të familjes, të cilin më shumë se në dhomën e vet në qendrën shëndetësore përkatëse, e gjen në kafe. “Nëse halli të zë dhe të duhet të shkosh në QSUT, duhet të japësh para që në hyrje, te roja për parkimin e makinës, më pas infermieres, mjekut, dhe së fundmi shefit të shërbimit. Kështu më ndodhi para 1 vit e gjysmë, kur vajzës sime nuk i binte temperatura. Më duhej të nxirrja paratë nga xhepi që shefja e shërbimit të hospitalizonte vajzën time”, tha Genti, ndërsa tregonte peripecitë e tij në QSUT.
    5. Fredi, një emigrant në Gjermani, i cili kishte ardhur në mbështetje të kauzës, u bëri thirrje qyteraëve shqiptarë ti bashkoheshin kësaj nisme. “nëse nuk jeni guximtarë, mbështetini ata! Mos heshtin, por kërkoni të drejtat e juaja! Të drejtat e juaja nuk mbarojnë këtu, por mbarojnë në Strasburg” tha Fredi në thirrjen e tij.

    Ledjana Saliu