Ministri Beqaj në Marinzë, banorët kërkojnë zgjidhje: Na sëmuri gazi

    393
    FIER – “Jemi të sëmurë nga gazi, duam zgjidhje!” Është ky apeli që banorët e Marinzës në Fier i drejtuan ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja i cili inspektoi qendrën shëndetësore në këtë fshat.
    Banorët e kanë pritur vizitën e ministrit për tu mbledhur në formën e një proteste, duke kërkuar nga qeveria zgjidhje për katastrofën që është krijuar në fshatin e tyre pas shpërthimeve në puset e naftës nga kompania kanadeze Bankers Petroleum. Shume prej banoreve jane shtruar ne spital si pasoje e helmimit nga gazi.
    Në përgjigje të kërkesave të tyre, zoti Beqaj tha se ministria do të shtojë personelin mjekësor në qendrën shëndetësore të Marinzës për të ndjekur të gjitha rastet e mundshme që mund të paraqiten si pasojë e ndotjes nga gazi që u çlirua pas shpërthimeve në puse.
    Ministri Beqaj u shpreh se do të vihen në dispozicion dy njësi të lëvizshme të ndihmës mjekësore, në përbërje të të cilave do të jenë një mjek, një infermier dhe një punonjës social, të cilët do të vizitojnë banorët e kësaj zone në shtëpitë e tyre.
    Gjithashtu, Beqaj siguroi punonjësit e kësaj qendre shëndetësore dhe banorët e Marinzës se Ministria e Shëndetësisë ka marrë gjithashtu masat për stacionimin e një autoambulance shtesë në këtë zonë deri në normalizimin e situatës. Nga dje, në qendrën shëndetësore të Marinzës ka oksimetër dhe bombul oksigjeni.
    Ndërkohë, sa i përket përmbushjes së nevojave të shtuara në këto kushte të emergjencës, kreu i shëndetësisë theksoi se janë marrë të gjitha masat për të siguruar furnizim shtesë me barna dhe materiale mjekësore për qendrën shëndetësore të këtij fshati.
    Ekipi i kryesuar nga Ministri Beqaj vizitoi gjithashtu edhe Spitalin Rajonal të Fierit për të parë nga afër shkallën e gatishmërisë për pritjen e flukseve të mundshme në rritje të pacientëve. Deri më tani sipas tij, në spitalin e Fierit janë 12 persona të cilët kanë shfaqur probleme shëndetësore. 
    Sigal