“Ministri Beqaj na fyen dhe denigron, kemi 40 vjet në profesion”

    336
    Sigal

    Mjekët e Elbasanit kundër testimit profesional

    Mjekët në Elbasan janë kundër testimit të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë. Ata madje janë të ndarë rreth çështjes së testimit të aftësive të tyre, pasi “Urdhri i Mjekut” dhe një pjesë e mjekëve të Spitalit Rajonal “Xhaferr Kongoli” janë kundër testimit, ndërkohë që ka edhe zëra brenda bluzave të bardha, që shpjegojnë nga frika se “testimi nuk ka ndonjë të keqe dhe është një proces që secili duhet t’i nënshtrohet”. Shumica e mjekëve dhe infermiereve që janë kundër testimit, ditën e diel kanë përgatitur një peticion që do t’ia dërgojnë Ministrisë së Shëndetësisë, personalisht zotit Ilir Beqja. Bluzat e bardha në Elbasan ndajnë qëndrime të ndryshme rreth testimit, të paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që mjekë me eksperiencë 40-vjeçare u shprehën se “ kjo iniciativë është dështake, pasi ky ministër po rrezikon njohuritë e mjekëve dhe infermiereve që marrin në universitete”. Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe shefat e Kirurgjisë, Patologjisë, Infektivit, të cilët theksuan se “me këtë testim hidhen poshtë vite të tëra pune në shëndetësi, specializimet e shpeshta të mjekëve, pasi mjeku vazhdimisht është në perfeksionim të profesionit të tij”. Por tek-tuk ka edhe ndonjë mjek që, duke dashur ti serviloset eprorëve, deklaron se “ jam i gatshëm për testimin dhe më duket se ai është një proces normal”. Pritet që brenda javës së ardhshme bluzat e bardha të Elbasanit që janë kundër testimit, të dorëzojnë peticionin në Ministrinë e Shëndetësisë, por dhe disa institucioneve të tjera të shtetit. Bluzat e bardha në Elbasan mbartin probleme të shumta, por, pavarësisht atyre, duhet thënë se Spitali i Librazhdit, Gramshit dhe Peqinit, kanë jo vetëm mungesa specialistësh, por edhe pajisjesh dhe medikamentesh, duke e konsideruar të paqenë shërbimin mjekësor në këto tre rrethe të Prefekturës.

    Nga Ben Delimeta