Minatorët në pension protestë përpara kryeministrisë: Duam statusin, kërkojmë të drejtat tona

461
Sigal

Minatorët në pension kanë dalë paraditen e sotme në protestë përpara Kryeministrisë për të kërkuar statusin e minatorit.

Ndonëse policia e Tiranës iu ka refuzuar kërkesën për tubim para Kryeministrisë, minatorët kanë vijuar aksionin e tyre. Ata kërkojnë të drejtën për statusin e minatorit, ndërsa shtojnë se etapat e diskutimeve kanë kaluar.

“Jemi brenda rregullave, është protestë paqësore, jo për të shkatërruar e djegur. Kërkojmë të drejtat tona. Minatorët kërkojnë statusin e tyre. Ne do ta vazhdojmë protestën. Kërkojmë një të drejtë që duhet të ishte dhënë që në fillim të demokracisë. Ne kemi bërë bisedime me ministrinë përkatëse dhe ka qenë zv.ministri në tavolinë dhe kemi rënë dakord për 11 pikat e statusit. Si status ka përfunduar, ka kaluar të gjithë institucionet por nuk e kuptojmë pse vjen ky ngërç. Ndaj ne do dalim në protestë para kryeministrisë që ky status të jepet në kohën sa më të shkurtër. Ne jemi të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Taf Koleci.