Minatorët e Bulqizës trajtohen e vriten si skllevër, “çingija” sindikale Kol Nikollaj i “përdridhet” pronarit

    472
    Sigal

    Dhjetë ditë më parë, minatorët e kromit në Bulqizë e humbën përsëri durimin dhe “vulosën” portën e minierës ku ata punonin për të nxjerrë “një copë bukë” për vete e fëmijët. Të arrish deri në aktin ekstrem, sa të braktisësh edhe “bukën e fëmijëve”, do të thotë që të ka shkuar “thika në kockë”. Kjo ka ndodhur e po ndodh me minatorët e Bulqizës. Ata kanë ndërprerë përsëri punën e janë ngritur sërish në protestë ekonomike-sociale, mbasi horrat familjarë, miq e ortakë të shtetarëve që kanë uzurpuar koncesionin e grabitjes së kromit, po i shfrytëzojnë e po i trajtojnë si skllevërit e kohës së “Babilonisë”. Mirë mafia e kromit, që “gjen shesh e bën përshesh”, mirë ministri Gjiknuri që bënë pazare përftimi më këtë mafie, po Federata Sindikale e Minatorëve dhe Konfederata Sindikale e Shqipërisë (KSSH) që ka “komandën” sindikale në këtë minierë, çfarë bëjnë? Pa bërë komente, po citoj atë ç’ ka më tha një prej minatorëve grevistë të Bulqizës, gjatë bisedës së djeshme telefonike:- “Sindikata bën qejf në Tiranë, ha e pi me koncesionarët mafiozë në Tiranë, u mbush letrat sikur ne jetojmë në bollëk e sikur punojmë në luks, bën pazare me ministrat, mbush xhepat me lekët e qirave të kampeve, i bën fresk pronarit të minierës Bulqizë dhe koncesionarëve të tjerë të galerive, blen çdo vit vetura luksoze nga 70 mijë euro me lekët e sindikatës, çon djalin me studime 100 mijë dollarëshe në SHBA dhe na përdor ne mjeranëve si budallenj, me nga një zarf me 10 mijë lekë të vjetra kur ka mbledhje 3 mujore e për kongrese kur Kol Nikollaj gradohet Kryetar i KSSH dhe kur “Mon Kukaleshi” i tij Taf Koleci gradohet Kryetar i Federatës Sindikale të Minatorëve”. Çfarë po ndodh në minierën e Bulqizës? Si trajtohen minatorët? A po zbatohet kontrata koncesionare? Çfarë po bën sindikata? Këtyre pyetjeve, po u japim përgjigje me fakte konkrete.

     Minatorët punojnë e vriten si skllevër, Kol Nikollaj mendon për kolltukun dhe qiratë e pronave

     Për të parë fytyrën e vërtetë të krerëve drejtues të Konfederatës Sindikale të Shqipërisë (KSSH) e cila kapardiset e kollarisur nëpër ekrane si sindikatë që përfaqëson masivisht minatorët e Bulqizës, po publikojmë një episod: Dy javë më parë, isha në një takim me kreun e Konfederatës Sindikale të Shqipërisë Kol Nikollaj. Erdhi në redaksi në mbrëmje vonë, i alarmuar pas një kërkese të gazetës, për të ballafaquar disa fakte konkrete, lidhur me shkatërrimin, shitjet, vjedhjet dhe abuzimet financiare me qiratë në pronat e sindikatave. Ndërsa bisedonim, i kujtova se mëngjesin e asaj dite në Bulqizë, ishte vrarë një minator tjetër. “Më tha: – Nuk di asgjë. E pyeta, i çuditur: – Si nuk di gjë ti që je kryetar sindikate, që sot është vrarë minator, një anëtar i sindikatës që drejton ti? Përgjigja e tij, ishte kjo: – Prej 1 muaji nuk e kam pasur mendjen fare tek punët e sindikatës, se kam kongresin dhe dua të zgjidhem përsëri kryetar i KSSH, po punoj për të siguruar votat mbasi duan të më bëjnë “puç”, por 90% të votave i kam në xhep! Pas përgjigjes, bëri një telefon me Bulqizën dhe mu drejtua mua: – Po, qenka e vërtetë që është vrarë! I thashë: – Mendoj të nisesh urgjent në Bulqizë, atje tek sindikata, tek familja e minatorit! Më tha: -Po ja, sot nuk mundem se kam hallin e këtyre pronave që më akuzojnë e nuk dua të dal nëpër gazeta, ndërsa nesër e pasnesër nuk shkoj dot, se të dielën kam kongresin e sindikatës dhe atje varet fati im si kryetar! Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë vlere ka jeta e minatorëve, për sindikatën që kapardiset se i përfaqëson e i mbron. Vetë kreu i Konfederatës Sindikale të Shqipërisë (KSSH) nuk e ka aspak mendjen tek kushtet e vështira të punës së minatorëve, as tek pagat lëmoshë, as tek trajtimi i detyrueshëm shëndetësor ushqimor, madje as tek jeta e minatorëve, që trajtohet sikur ngordh “një zog pule”, por e ka mendjen tek mbajtja e kolltukut të kryetarit dhe tek pronat e sindikatës, që të mos i publikohen “pisllëqet” në gazetë! Nuk besoj, se ka nevojë për koment!

     Firma koncesionare shkel kontratën, Kol Nikollaj përdridhet si “çingije”

     Puna dhe jeta e minatorëve të Bulqizës e ka emrin “skllavëri”. Kështu është realiteti. Minatorët që prodhojnë krom, këtë mineral me të ardhura “floriri”, vazhdojnë të përballen përditë me varfërinë masive e ekstreme. Shkak nuk janë as malet që rrethojnë Bulqizën, as 80% e banorëve që janë pa punë prej braktisjes së kësaj qendre banimi prej shtetit, as fëmijët që “qajnë” për bukë, por e kanë ata që prej 20 vitesh po tallen me minatorët. Në bandën që po tallet me minatorët bën pjesë edhe Konfederata Sindikale e Shqipërisë që përfaqëson me federatë sindikale (me lista emrash) minatorët e kësaj miniere. “Shef” i kësaj talljeje me minatorët, duke u bërë palë aktive pazari të heshtur “anti-minatorë”, me punëdhënësin (koncesionarin) minatorët thonë, se është drejtuesi i Konfederatës Sindikale Kol Nikollaj. Kujtojmë që minatorët e Bulqizës, që prej vitit 2008 janë ngritur 5 herë në protesta, ndër të cilat, protesta e fundit e nisur në korrik 2011 zgjati 32 ditë. Ata u rikthyen në punë, pasi në Bulqizë shkuan me helikopter për takim, bosët e kompanisë “DCM” Rohtraut Skatsche-Depisch dhe Rudolf Skatsche, si dhe banditët e trustit minerar të minierës së kromit në Bulqizë “ACR”, të cilët kishin bërë pazare të fshehta me kreun Kol Nikollaj, për mbylljen e grevës dhe nisjen e punës me premtime boshe, siç rezultoi. Pas premtimeve për plotësimin e 12 detyrimeve të kontratës koncesionare me “garant” kreun sindikal Kol Nikollaj, minatorët u rikthyen në punë. Por nuk u plotësua asnjë prej kushteve. Kol Nikollaj, prej 4 vitesh vazhdon të përdridhet si “çingije” përballë koncesionarëve të kromit, duke u bërë “serenata”. Ndërsa përballë minatorëve, vazhdon të kapardiset  si “luftëtarë i mbrojtjes së të drejtave të tyre” dhe si “luftëtar i shpartallimit” të korrupsionit në minierën e kromit. Aq shumë i dhimbsen minatorët kreut sindikal Nikollaj, sa kur nuk ka punë personale në Tiranë dhe pazare me qiratë e pronave të sindikatës në rrethe, del ndonjëherë edhe nga… Bulqiza. U premton minatorëve, se “do t’i zgjidhë problemet, dhe kërkesat e minatorëve”. U thotë, se gjoja ka folur me ministrin Gjiknuri, me ministrin Veliaj si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës, me kryeministrin Rama, me presidentin Nishani, me kryetarin e Kuvendit Meta dhe se (sipas “çingijes” sindikale) ata “do ta detyrojnë koncesionarin e kromit, të zbatoj detyrimet ndaj minatorëve dhe minierës”. Në fakt, greva e nisur prej minatorëve dy ditë më parë, tregon se në Bulqizë vazhdon krimi social-ekonomik me punën dhe jetën e minatorëve. Çdo muaj vritet nga 1 minator për shkak të kushteve mizerje të punës dhe mungesës së sigurisë teknike në frontet e punës. Ndoshta kreu sindikal “aga” Kol Nikollja ka nevojë për lista anëtarësie sindikale minatorësh, por minatorët nuk kanë nevojë për një sindikatë që t’u “tradhtojë” interesat jetike, nuk kanë nevojë për një kryetar sindikate me kostum të zi, që t’u hedhë lule në funerale kur u vriten shokët e t’u jap shpërblim familjeve, aq sa vlen kapaku arkivolit (33 minatorë të vrarë në 15 vitet e fundit). Ata duan kushte pune, paga reale për punën që bëjnë, transparencë për të ardhurat nga kromi, siguri jete në frontet e punës, shërbim shëndetësor. Pikërisht këto detyrime e kërkesa, nuk ka arritur të sigurojë sindikata nga punëdhënësi. E kujt i duhet një sindikatë që edhe me pronat e saj i shërben qejfeve, luksit, pasurimit, rehatisë dhe kolltukut të kryetarit?!

     “Bajraktar” Nikollaj, ja çfarë u ke premtuar minatorëve të Bulqizës në shtator 2011

     Kreu i Konfederatës Sindikale Kol Nikollaj, i nxori minatorët nga greva e përgjithshme në gusht 2011 me “besë burri”, duke u premtuar se do të përmbusheshin 12 detyrimet që kishte kompania si detyrim kontratual koncesionar ndaj jetës dhe punës së tyre. Këto 12 detyrime të kompanisë dhe premtime të kreut sindikal Kol Nikollaj, nuk janë realizuar. Kompania “ACR”, ndërroi fiktivisht emrin me sigla të tjera, ndërsa kreu sindikal ndërroi “fytyrën”, duke “prerë në besë” minatorët e duke u bërë palë e heshtur me bosët e mafies së kromit, pra duke mos luftuar për të drejtat e minatorëve. Sa për dijeni, kontrata koncesionare e kromit për minierën e Bulqizës është një pakt-pazar i pisët financiar. Firma nuk ka përmbushur asnjë detyrim kontratual minimal ndaj minierës së Bulqizës, ndaj aspektit social-ekonomik të jetës e punës së minatorëve dhe prej 7 vitesh, po lejohet të ushtrojë aktivitet anti-ligjor, sipas parimit të hajdutëve: Shfrytëzo, përfito, vidh, shkatërro, mashtro dhe… ik! Kjo vazhdon të ndodhë. Firma grabit krom dhe nuk investon, ministria bën sikur i kërkon llogari, sindikata bën sikur kërkon zgjidhje për minatorët. Pa bërë komente, po i kujtojmë kreut të KSSH, burrit të “malcis” Kol Nikollaj, premtimin që i bëri minatorëve në gusht 2011, pasi i nxori nga greva dhe i futi përsëri “si dele” në galeri, me garancinë që do të plotësoheshin gjithë detyrimet e kontratës.

    Ja 12 detyrimet, që nuk zbatohen:

     1. Sipas kontratës koncesionare e asaj kolektive të punës me Konfederatën (Federatën) Sindikale, vetëm duke bërë ri-indeksim të pagave në përputhje me normën e inflacionit, duhej të kishte rritur pagat me 47% brenda vitit 2007, vetëm si indeksim dhe të rriste pagat e kompensimet financiare sociale, aq herë dhe në atë përqindje sa i ka rritur qeveria.

    2. Firma koncesionare, që 6 vjet më parë, duhej të kishte bërë minimalisht rritjen 20% të pagave, për të balancuar pagën e minatorit, me nivelin e minimumit jetik mujor 41 mijë lekë në muaj, mbasi minatorët paguhen me afro 8500 lekë të reja nën kuotën e minimumit jetik.

    3. Firma koncesionare, ka detyrim ligjor kontratual, që 30 ditë përpara nisjes së aktivitetit koncesionar, të niste aktivitetin për plotësimin e kushteve e sigurisë në punë me 6 milion euro investim, mbasi për shkak të këtyre kushteve të pasigurta, në këtë minierë janë vrarë 18 minatorë në 7 vitet e fundit.

    4. Firma koncesionare, prej 6 vitesh, duhej të kishte nisur investimet e nevojshme për zgjerimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e minierës, duke realizuar urgjent investimet në thellësi, për krijimin e perspektivës së minierës me vlerë investimi 12 milionë euro.

    5. Firma koncesionare ka pasur detyrim futjen urgjent në punë të Uzinës së Ferrokromit në Burrel, ku janë përcaktuar në kontratë 4.5 milion euro investime që parashikon projekti kontratual.

    6. Firma koncesionare, ka pasur detyrim kontratual, të mos niste aktivitetin në këtë minierë, pa ndërtuar mjediset higjienike të dhomave të tharjes dhe kompleksin e dusheve, por nuk e ka bërë këtë investim kontratual prej 800 mijë euro.

    7. Firma koncesionare, duhej të kishte kryer brenda 6 muajve të parë pas fillimit të aktivitetit, sigurimin e ujit të pijshëm në 24 orë, në sasi e cilësi në minierë, me rrjet të veçantë, por nuk e ka investuar detyrimin kontratual prej 450 mijë euro.

     8. Firma koncesionare, duhej të kishte futur në përdorim që ditën e parë të aktivitetit, furnizimin me ushqime polivalente e antidote të minatorëve, në përputhje me ligjin për sigurinë e shëndetit, por nuk e ka realizuar detyrimin kontratual në vlerën ditore 1.5 milion lekë nga të ardhurat e firmës.

    9. Firma koncesionare ka pasur detyrimin kontratual të largonte brenda vitit 2007, të 114 firmat pirate të nxjerrjes së kromit me licenca false e të paguara në zyrat e shtetarëve.

    10. Firma koncesionare, ka pasur detyrë që brenda muajit të parë të aktivitetit të saj, të ndërtonte mensën e ushqimit të minatorëve në Bulqizë me vlerë investimi 530 mijë euro, por nuk e ka realizuar.

    11. Firma koncesionare, ka detyrim kontratual, të japë shpërblim në çdo fund viti pagën e 12-të, por nuk e jep, si dhe ka detyrimin që 2% të fitimit vjetor, ta arkëtoj në llogarinë e sindikatës së minierës Bulqizë për kushte jetese, çlodhjeje dhe shpenzime gëzimesh, ose hidhërimesh për minatorët, por nuk e akordon.

    12. Firma koncesionare, ka detyrimin kontratual që të informojë me shkrim sindikatën e minierës Bulqizë, për të ardhurat dhe fitimet e firmë në çdo 6 muaj, si dhe të ketë përfaqësues të sindikatës në bordin drejtues më të drejta të plota, por nuk e zbaton.

     Përparim HALILI