Mimoza Staka: Festivalet e Fëmijëve për mua mbeten kujtimet më të bukura

644
Një këngëtare e spikatur nga qyteti i kulturës Shkodër, që sot po fiton terren në të gjitha shtetet ku ka emigrantë shqiptarë. Zëri i saj i ëmbël, korrektësia, thjeshtësia, respekti për spektatorin e kanë bërë atë shumë të suksesshme në karrierë. Lindur dhe rritur në Shkodër, ajo është martuar dhe tashmë ka dy vajza Edonën dhe Xhuljan që ja zbukurojnë më shumë jetën dhe e motivojnë në rrugën e bukur të këngës. Këngët e saj janë kryesisht popullore shkodrane, por nuk e ka të vështirë të këndojë edhe këngët e trevave të tjera shqiptare.
Jeni shumë e pëlqyer në emigracion dhe tregoni shumë e re, ndoshta lexuesit i intereson të dijë për fillesat tuaja të këngës…
Nuk jam shumë e re, pasi fillesat e mia të këngës përkojnë që në vitet e hershme të fëmijërisë kur këndoja rregullisht në Shkodër në të gjitha Festivalet e Fëmijëve, që për mua mbeten si kujtimet më të bukura. Në ato Festivale vinin fëmijë nga gjithë Shqipëria dhe Shkodra ato dinte gumëzhinte e tëra. Bëhej dhe bëhet një festival model që tashmë është kthyer në një traditë të pazëvendësueshme në Shkodër. Në ato Festivale ne mësonim dhe këndonim me gjithë shpirt pasi transmetoheshin nga televizionet. 
Kush jua ka dhënë shtysën më të madhe në jetë për të ndjekur këtë rrugë?
Shtysën më të madhe në jetë ma ka dhënë i madhi Çesk Çefa një mjeshtër i muzikës. Ai mbetet një ndër muzikantët shkodranë më të mirë të të gjitha kohërave. Duke parë zërin tim, ai dalloi diçka të veçantë dhe më nxiti që të vazhdoja shkollën. Ishte kjo shtysë dhe ky vlerësim që unë të vazhdoja shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” dega kanto. Kjo shkollë më mësoi akoma më shumë në këtë rrugë. mësova gjëra që si shkoja në mend të cilat më formuan shumë si këngëtare, pra nga ana profesionale. 
Me çfarë kënge u paraqite për konkurrim në shkollën e mesme të muzikës Prenk Jakova?
U paraqita me një këngë shumë të bukur “Zambaku i Prizrenit”, këngë të cilën e dua edhe sot po aq sa ditën e parë. Të gjithë e pëlqyen dhe më uruan. Më pas fillova të angazhohem me klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”. 
Ku këndonit me këtë klub rinor?
Ne filluam të jepnim koncerte në shumë qytete të Shqipërisë. Në këto koncerte u njoha me shumë këngëtare dhe këngëtarë dhe kështu u formova më shumë si këngëtare.

Po, kur u martuat a e ndërpretë këngën?
Sigurisht gjatë asaj kohe e ndërpreva për një periudhë 5-vjeçare, por këndoja në shtëpi. Mësoja dhe këndoja këngë të reja çdo ditë. Në asnjë mënyrë nuk doja ta lija në harresë profesionin tim që isha rritur.

Dhe më pas si vazhdoi rruga juaj?
Kisha shumë kërkesa nga grupe të ndryshme për të kënduar jashtë. Tashmë terreni ishte fituar. Zëri im ishte kërkuar nga shumë drejtues aktivitetesh jashtë shtetit. 

Po vajzat e tua a e pëlqejnë muzikën?
Të dyja vajzat e mia kanë zë muzike dhe këndojnë shumë bukur. Por nuk dua t’i angazhoj tërësisht në muzikë, pasi tashmë ato po vazhdojnë shkollën e lartë. Doja të thoja që sakrifica më e madhe e jetës sime ishte kur fillova të këndoj në Europë dhe vajzat i kisha ende të vogla. Ishin momente vërtet të vështira, pasi ato donin kujdesin tim të vazhdueshëm. Por puna nuk mund të konceptohet pa sakrifica. Vajzat e mia u rritën, duke e ndjerë mungesën e nënës së tyre. Për këtë falënderoj shumë bashkëshortin tim dhe prindërit e mi, që në shumë momente ju bënë dhe nënë dy vajzave të mia. Sot me edukatën e prindërve, të babit të tyre, pa diskutim dhe timin ato janë dy vajza të formuara dhe të përgatitura për jetën. 
Ku keni kënduar dhe këndoni më shumë?
Më shumë kam kënduar dhe këndoj në Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, Kosovë, Maqedoni dhe në shumë vende të tjera ku ka emigrantë. Jeta ime është vetëm lëvizje. 
Sa klipe keni realizuar dhe sa këngë keni në repertorin tuaj?
Unë kam realizuar dy klipe dhe në repertorin tim kam shumë këngë të muzikës popullore, por edhe të muzikë së lehtë. 
Aktualisht ku ndodhesh?
Aktualisht ndodhem në Shqipëri dhe sapo jam kthyer nga Austria. Jam në përfundim të një klipi të ri, së bashku me një këngëtar tepër të dëgjuar dhe të mirëpritur kudo. Nuk dua ta jap emrin, pasi dua ta bëj surprizë për fansat e mi. 
A ka rëndësi teksti për ju në këngë?
Ka shumë rëndësi. Një tekst i bukur më jep shumë energji, më emocionon të tërën, më bën më të përqendruar. Një tekst pa poezi e zbeh këngën. Madje dhe titulli ka shumë rëndësi, sepse ai është që bën prezantimin e parë. 
Si titullohej klipi i parë?
Klipi i parë e ka titullin “O shoqet e mija”, teksti i Jorgo Papingji, muzika Gëzim Mneri, orkestrimi nga Luan Dagistani. Një këngë që bëri bujë dhe është shumë e klikuar në internet.
Si të presin në emigracion dhe cilat janë këngët më të preferuara të tyre?
Pritjen e bashkatdhetarëve tanë nuk mund ta përshkruaj. Ata e duan shumë muzikën e atdheut të tyre. Mund të them se ata kërcejnë në çdo këngë shqiptare. Flamujt shqiptarë janë pjesë e çdo aktiviteti. U jam shumë borxhli fansave të mi dhe dua ti përshëndes. Këngët kryesore që unë këndoj janë këngët shkodrane dhe serenatat. 

Po klipi i fundit që po realizoni?
Klipi tjetër që po realizoj titullohet “Nazet e Vajzërisë”, teksti Qazim Cela, muzika dhe orkestrimi nga vëllezërit Unaza. Besoj se do jetë një nga kripet më të bukur të kohëve të fundit. 
Sigal