Mimoza Rista/ Poezi

    417
    Sigal

    NDJEK ËNDRRËN

     Të kaltër sytë e saj,

    me bukurinë e tyre

    sfidojnë dhe yje.

    Në kaltërsinë e qiellit

    ngjyen penelin

    dhe e ul mbi telajo.

    Pastaj, dora dorës,

    peneli prek një re,

    një krah dallëndysheje,

    të blertën e një peme,

    zukamën e një blete,

    harlisjen e një luleje

    e në telajo ulet me hare.

     

    PRANVERA…

    Herë me flokë të mbledhur,

    herë me flokët mbi supe,

    shkrihet mes statujash

    e monumentesh,

    nën sqetull një karton,

    në dorë një karbon,

    historinë prek me gishta

    e në pikturë na e dhuron.

    Derdh botën e saj

    nëpër portrete,

    ndjek ëndrrën, që e fton.

    TY TË PËRKAS…

    Tek i lutesha territ

    për pak dritë,

    që të gjeja

    hijen e trupit,

    rrokullisja netët,

    i bëja ditë

    e dielli ndriçonte

    nga turpi.

    Kush m’i pa lotët në sy,

    me vete zu të flasë,

    kush më pa gazin pa ty,

    fjalë inati la nga pas.