Mimoza Çekiçi-Rista/ Poezi

    509
    Sigal

    RRUGICA IME…

    Në Pogradec është një rrugickë,
    që nuk është as pesë metra e gjerë,
    tek ajo më njeh mirë çdo guriçkë,
    për mua ajo është bota e tërë.

    Aty unë hodha hapat e parë,
    aty gjakosa gjunjët kur rashë,
    kam qeshur me lot aty, e kam qarë,
    dhe puthjen e parë aty e dhashë.

    Aty pashë të çelnin manushaqet,
    prej aty sodisja Malin e Thatë,
    aty ndjeva të më ndizeshin faqet,
    si druri në oxhak kur merr flakë…

    Filiza ëndrrash mbolla aty,
    me to dhe ndonjë farë poezie,
    ngjyra e gjolit m’u përjetësua në sy
    bashkë me ndonjë serenatë dashurie.

    Aty unë njoha dhe miq të mirë,
    me të cilët koha na hodhi larg,
    për ta ndonjë gotë në heshtje kam pirë,
    e po në heshtje thura ndonjë varg.

    Nga vendet, ku kam ikur larg nëpër botë,
    kthehem tek kjo rrugicë pesë metra e gjerë,
    sado që të kërkoj, e ndjej, është e kotë,
    veç këtu në pak metra gjej botën e tërë.

     

    FESTA E VERËS

    Pogradeci hapi butet e verës sonte,
    i ftoi në festë të tërë kalimtarët,
    Dionisi nga vreshtat e kalasë vështronte
    Dhe thoshte: do dehen pogradecarët.

    Drejt qilarit zbres dhe unë dalëngadalë,
    me kanën në dorë i afrohem butit me verë,
    tek ndjek shkallet, të mendoj, pa fjalë,
    pastaj dy gota i mbush menjëherë.

    E më vjen në mëndje ajo darka jonë,
    kur në një planet tjetër ishim të dy,
    ti verë me servirje deri natën vonë,
    ndërsa më vështroje me zjarrin në sy.

    Sa dashkam sonte të të kem pranë sërish,
    pranë butit të të servir verë, si pranë zjarrit,
    ja, i mbusha gotat, po pres të më vish,
    që botën ta mbyllim jashtë qilarit.

    Dionisi le të qeshë tek vreshti mbi kodër,
    ndërsa ne boshatisim gotë pas gote,
    ti në krahë më merr e më vërtit si lodër
    dhe unë dehem tek pi verë nga gota jote.

    Troket mëngjesi pas festës së gjatë,
    nga buti ende ndonjë pikë vere pikon,
    po unë me ty u deha këtë natë,
    apo është gota jote bosh që më huton?

    PRANË TEJE

    I hidhur është, trishtimi yt,
    kur buçet nga mllefi e dallgët ngre,
    mua një lot më ngec në fyt
    edhe pse pranë meje s’je.

    Ndaj si një diell me rreze shumë,
    pranë teje vij, zbraz shpirtin tim,
    drejt teje rend porsi një lumë
    e vërshoj në përqafim.

    Përziej stërkalat me një lot,
    ti lotin tim e pi si verë,
    të përqafoj e s’ngopem dot
    e shpirtit tim çel prapë pranverë.

    SINFONI UJRASH

    Shkumëzon e nis bubullin
    dallga gjigande jehon me oshtime,
    vjen shkumëbardhë e kreshpëruar
    e bregut shuhet e dëshpëruar.

    Pas dallgës gjoli fiton qetësinë,
    mjellmat vallëzojnë tek ndjejnë melodinë
    gurët pranë bregut nga myshku mbuluar,
    rrezatojnë ngjyra nen ujin e kulluar.

    Me paska mare malli për ty, liqeni im,
    Jam pulëbardhë qe vij nga një shtegtim
    vij te bisedojmë se shume me ke munguar,
    të lag fytyrën me ujin tënd të bekuar….

     

    SHIU NË POGRADEC

    Bubullima seç nis një shi
    qe tej nga Mali i Thate
    buçet qielli vetull e sy-zi,
    gjëmon në Çervenakë…

    Nis ngrihet dallga përmbi gjol
    me shpirtin e trazuar,
    me zemër akull si dëborë
    qan moti i trishtuar.

    Hapin krahët zgalemat
    e sulen në fluturim,
    shkëputen ajrit si shigjetë,
    me dallgën ndan një përqafim.

    Mbas stuhisë dielli buzëqesh,
    ylberi shtatëngjyrësh ndrin,
    shpalos bukurinë Pogradeci
    liqeni rifiton kaltërsinë…