Mimoza Çekiçi-Rista/ Poezi

    378
    Sigal

    Rrugëtimi i dashurisë…

     Si zogu që folenë e braktis një ditë

    U gjenda në shtigjet pafund të jetës

    Herë i trembesha makthit të humnerave

    Herë kisha frikë nga makthi i tatëpjetës

    Diku në një shteg, diku në një udhë

    Në revanin kaotik tek ecja kuturu

    Nuk desha të ndaloj, zemra më tha:Stop!

    Dhe papritur u gjenda në krahët e tu.

    Të gjitha çfarë kisha brenda meje

    Dhe ato që si kisha, ty ti dhashë

    Kur puthjen shkëmbyem atje në Olimp

    Në brendësi të syrit tënd veten pashë

    Tashmë së bashku në një udhë jemi

    Si krahët e një avioni që çajnë retë

    Stjuardesa të pagabueshme dy vajzat

    Pika e gravicionit tonë në këtë jetë.

    Jetësore….

     

    Udhë të pafundme nëpër vite bëra,

    Në kërkim të së shtrenjtës dashuri

    Herë asfalteve, herë në shpate malesh

    Herë në vapë e zheg, e herë në stuhi

    U rrëzova, po prapë në këmbë u ngrita

    Gjunjët mu gjakosën, rashë dhe në koma

    Forca e shpirtit, dhimbjet mi lehtësoi

    Po plagët e zemrës më dhëmbin akoma

    Diku në një pikë të Universit

    Nuk di binte shi apo kishte diell

    Kur fjalën ‘Të dua’ ti më the

    U ngrita mes reve, u gjenda në qiell

    Në qiell krah për krah ndjehemi mirë

    Dhe kur jo rrallë bimë në pikiatë

    Por ndërrojmë kursin pa rënë në tokë

    E gjendemi mes reve e qiellit të zjarrtë

    Unë dhe liqeni

    Qëmtoj mbi ty si borë prilli

    Me fjalë ngrejë erë dhe stuhi

    Gjëmoj mbi ty si vesë tërfili

    Dhe retë e bardha behën gri.

    Lodroj mbi ty si mjellme gjoli

    Edhe kur liqeni ka ngrirë

    Ndërsa hedh sytë nga moli

    Rryma më vjen e akullin shkrin.

    E nëse liqeni do të ngrij krejt

    E pulëbardhat të enden lart në re

    Ta dini se dhe unë s’do jem më

    Do të fle përjetësisht nën dhe.

    Dashnorë të betuar

    Po mos të isha në sytë e tu, kaq e bukur,

    Të heshtja nga padija, mos të flisja si flas

    Të isha një e rëndomtë a grua pa ambicie

    Një nursëzkë që nuk e vë buzën në gaz…

    ..Po të reagoje kur grindem dhe pa shkak

    Po të mos ishe mençurisht i duruar

    Po të mos heshtje dhe kur duhej folur

    …Mbase s’do të ishim dashnorë të betuar

    ..E ti do notoje në detin e alkoolit

    Mes kotësisë të një jete në vegim

    E unë si molla e mirë ende pa u pjekur

    Do të më kishin krimbat për ushqim…

     

    POGRADECIT

    Unë ngjizur jam aty në çdo qelizë

    Që nga koha e enkelenjve të lashtë

    Që kur liqeni e bregu bashkuan buzët

    Kur mjelmat e zanat rrinin bashkë.

    Ngjizur jam që në nisje të jetës

    Kur një majëmali u quajt Qafë -Thanë

    Kur toka shpërtheu, lindi Shën Naumin

    E pellgun ‘Gjol’ quajtën stërgjyshit tanë.

    Ngjizur jam , dhe pse fizikisht larg

    Dhe malli-zjarr sytë me lot mi mbush

    Dhe kur afrohet e bulëzat mi fshinë

    I madhi dhe i shtrenjti ynë Lasgush

    Puthje….

    Mbylli sytë, të të prek buzët

    Me të miat, ashtu lehtësisht

    Futu pa ndrojtje, pa komoditet

    Në detin e ndjenjave, krejtësisht.

    Pastaj, pastaj, ashtu symbyllur

    Në një spektër dritash do notosh

    E përtej murit të vetullave

    Më pastër, më mirë do më shikosh.

    Mos u trondit asgjë s’ka ndodhur

    Dikë ndryshe po puth këtë herë

    Nuk është amplitudë sizmike

    Po shpërthim zambaku në pranverë.

    Ndaj mos më lut në shtrat të më çosh

    Ritual që e bëjmë pothuaj çdo natë

    Le të flasim e dashurohemi symbyllur

    Me kodet e buzëve, me puthje të gjatë.

    S’ kishim parë të tillë mrekulli…

    E di, ti s’kishe parë mrekulli të tillë

    Dhe unë se di që mbaja kaq mrekulli

    Gjithë ditën të ngrija kurthe fjalësh

    Natën mbyllja sytë, të shtrëngoja në gji

    Por një ditë të dy krah për krah ecëm

    Jo ëndërr, por siç ndodh rrallë në jetë

    Nuk pyetem se ku, nuk pyetëm se si

    Busull në rrugëtim, zemrat ishin vetë

    U gjendëm në një dhomë si Eva dhe Adami

    Ashtu nudo, siç na kishte bërë nëna

    U bëmë njësh buzë, trup dhe zemrat

    Nga dritarja e hapur na përshëndeste hëna