Miltiadh Davidhi/ Poezi

    399
    Sigal

    DUAR TË BUTA RESH

     Duar të buta e të bardha resh

    Ledhatojnë shpinën e lodhur

    Të malit të Dajtit,

    E mua m’ u kujtuan duart e tua

    Të largëta e të bukura

    Mbi  trupin tim.

    O zot!

    Mos na lerë kurrë

    Pa duar drite e resh!

    XHEPAT E SHPIRTIT

    Fus duart nëpër xhepat e shpirtit

    Dhe nxjerr prej andej,

    Vetëm fjalë malli e dashurie.

    Kisha vite që t’i kisha thënë

    Dhe era e kohës

    Ish munduar t’i flakte

    Prej buzëve sa më larg

    Në honin e pamëshirë,

    Ku s’arrija t’i dëgjoja më.

    Harrova se ka një vend

    Ku ruhen përjetë.

    Ndaj nisa t’i përkëdhel

    Xhepat e shpirtit.

    SHI DASHURIE

     

    Një erë e lehtë

    Me shi dashurie

    Fryn mbi gjethet e pemës

    Së shpirtit tim,

    E degët zgjaten si duar

    Të kapin siluetën tënde

    Prej drite

    Tretur nëpër ajër,

    E unë, shushurij i tëri

    Me zëra zogjsh.