Miltiadh Davidhi/ Poezi

    385
    Sigal

    DRITERO AGOLLIT

     

     (Në bibliotekën e Modenës)

    Një det me libra përmbyti sytë e mi,

    Një det i tërë më rrëmbeu, më befasoi,

    M’i mbushi mendimet me kaltërsi,

    E ëndrrat e bukura erdh’ e m’i zgjoi,

    Me kapak të trashë e erë lashtësie

    Rrjedhur nga gjithë lumenjtë e botës,

    Por unë zgjodha një gjuhëz perëndie,

    Që rrinte në raft si në brazdë të tokës.

    Preka valëzat e bardha të Devollit,

    E shfletova copëza shpirti të vendit tim,

    Në kallëzat e mendimeve të Agollit

    Me vesëza malli mbërritur në mërgim.

    Dhe ky lum i dashur,i vogël si përrua

    Më solli pranë aromën e tokës sime,

    Zërat e njerëzve,perëndimet që i dua

    Dhe shtëpizën që vesohet në agime.

    Më erdhën pranë zogj e ligjërime,

    Me lule fushash u mbush syri im,

    Dhe zemra ime nëpër drithërime

    Përkëdhelte varrin e nënës e atit tim.

    Me malet,me fushat e njerëzit e mi,

    S’u ndjeva i huaj mes njerëzve të huaj,

    Dhe mjegulla e Modenës erdh’e u shkri,

    E çela si bimëz e prej mallit më s’vuaj.

    REBELOHU MË THA DETI

    Rebelohu më tha deti,

    Rebelohu dhe me valëzat e mia,
    Dhe pse të duken të brishta,

    Të bukura,të mira,
    Kanë genet e tajfuneve e zëmrimeve.

    Në ujërat që derdhen në mua
    Po shtohet gjaku e dhembja,
    Bashkë me shkrirjen
    E deborërave e ardhjen e erërave,
    Po shtohet e keqja, mjerimi, urrejtja,

    Po largohet e bukura,

    E mira po e braktis trupin e njeriut,
    Njeriu po kthehet në kufomë.

    Rebelohu me dallgët e mia
    Me egërsinë e ulërimat
    Për të vdekurit tuaj mjeran e të pafaj,
    Që kur unë qetësohem
    Dalin si trungje të mufatur

    E të pandjeshëm,
    Të pavetëdijshëm për atë

    Që ju ka ndodhur,

    Rebelohu,shpirti s’duhet të ketë
    Brishtësinë e lules,
    Shpirti duhet të ketë forcën e britmës
    Sime në furtunë,
    Ndaj rebelohu dhe kundër meje
    Dhe pse e di që më do aq shumë.

    Dhe një lule e çelur
    Duhet të rebelohet për gjakun
    Mbi petalet. Vetëvrasja e vrasja
    E luleve po shtohen.

    Rebelohu, rebelohu,

    Por kujdes,
    Në fillim rebelimin duhet

    Ta fillosh nga vetja!

    GRUA E PADUKSHME

    Asnjëherë s’të kam parë

    E fytyrën ta kam nëpër sy

    Të tretur në gjithë poret e trupit,

    Kurrë s’ta kam dëgjuar zërin

    E jetoj ç’do çast me zërin tënd,

    Asnjëherë s’ta preka dorën

    E ngrohtësia jote ende më ngrohë

    E më djeg mollëzat

    E gishtërinjve e gjakun,

    Kurrë s’ t’i kam puthur buzët

    E netëve kafshoj qershiza

    Të kuqe drite e malli,

    Asnjëherë trupat tanë s’u afruan

    E jemi drurë nudo

    Të përqafuar me rrënjët

    Në të njëjtën tokë të shpirtit.

    Ende të dua pa të parë

    Vetëm se një vetëtimëz

    MESDITË E QELQTË

    Nëpër sy kam një hapësirë

    Të ftohtë,të tejdukshme

    E të qelqtë.

    Ndjej frikë ta prekë me dorë,
    Se mund të thyhet si gotë

    E të derdhet drita.

    Përballë mali

    Si gur gjigand
    Me shpirt të akullt

    Të duket se do të lëvizë,
    E do e thyej hapësirën

    Nga çasti në çast.

    Vetëm fytyra jote

    Prej mishi e gjaku

    më ngroh.

    Është si drita e kësaj mesdite,

    Por dhe ajo do kujdes,
    Se si kjo,mesditë e qelqtë,
    Mund të thyhet

    Me një fjalë prej guri.

    Miltiadh Davidhi.