Miltiadh DAVIDHI/ Poezi

    337
    Sigal

    NËNË GJENËS SIME

    Qielli s’po qan
    Unë po.
    Jam kthyer në një re
    Vajtuese e turp

    s’kam që jam burrë, e qaj
    Buzëdridhur

    dhe tani që po shkruaj,
    E mundohem t’u fshihem
    Syve të yjeve.
    Jo nga turpi,
    Por s’dua t’i ngarkoj

    dhe me dhimbjen time;

    Nëna ime po lëngon

    pranë vdekjes
    Diku një varr

    qëndron i hapur,
    E tashmë heshtja

     e ka mbushur atë,
    E mua më duhet të ha,

    të fle,të buzëqesh,
    Kur ajo s’ha,

    s’fle,rënkon!

    Deti është i qetë
    Unë jo.
    Dallgët e dhimbjes
    Që i fshihja thellësive
    Më kanë dalë

     mbi sipërfaqe
    Dhe shpirti buçet,

    thërret e gjëmon,
    Se s’mund të pajtohet

    me këtë fakt
    Tronditës,
    Thikë të përgjakur

    futur thellë në zemër
    Të dhimbjes e dashurisë
    Më të madhe të njeriut.

    Nata fjeti.
    Unë jo.
    Sytë e mi u shndërruan në yje
    Të largët e të ftohtë,
    E zëri im
    Në një erë

    klithëse e ulëritëse,
    Ndërsa trupi më rënkon
    Nga vuajtjet e dhimbjet
    I paralizuar

    pranë krevatit të nënës.

    Ç’do dhimbje e saj është dhe e imja
    Ndihem një trup i përqafuar me të si në vogëli,
    Tjetër s’mund t’i bëj më gjë,
    Se im atë i përmallur kaq vite larg saj
    Ka hapur krahët e po e pret,
    Të ndaj dhe shtratin e vdekjes,

    Si shtratin e jetës me të.

    Mbase do ua dëgjoj nga larg

    Një puthje malli, pa lot.
    Të më qetësohen plagët e dhimbjes.

    Gur thërmoma qelqin e shpirtit,
    Zërë vendin e tij e bëmë të fortë!