Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)/ Poezi

    931
    Sigal

    Lutje…

    Të lutem, o perëndi,

    për një simfoni

    me tinguj t’argjandtë

    e akorde t’artë.

    Të lutem, o perëndi,

    për një simfoni

    plot dashuni

    të nxehtë si te vasha gjitë

    kur vlojnë ndijesitë.

    Të lutem, o perëndi

    për një simfoni

    të dëfrej në lumni

    t’u u përkundë n’ani

    të bukur t’andrrimeve

    të kaltër, ku të fantazmëve

    buzët më tërheqin zjarrtë

    e më digjen syt e flaktë.

    Të lutem, o perëndi,

    për një simfoni

    e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

    Melodi e Këputun

    Melodi e këputun

    lot i kjartë nga syni

    i një grues së dashun…

    andje e përplasun,

    xhevahir i tretun,

    një andërr e shkelun,

    buzë e paputhun

    në melodin e këputun.

    Nga vaji i heshtun

    shkunden supat e zhveshun,

    verbojnë nga zbardhimi…

    e ther, ther hidhnimi

    për çastet e rrëshqitun,

    për fatin e ikun,

    për gëzimin e humbun

    në melodin e këputun.

    Brrylat ndër gjujë të mpshtetun,

    ftyrë në shplakë e fundosun:

    Qan grueja e pikllueme

    me zemër të piskueme

    (një kitarë e gjymtun,

    za kange i mbytun

    në buzë nga dhimb’ e puthun

    në melodin e këputun).

    Hesht njeriu pran grues

    që qan e turpnueme…

    syni i venitet

    në të loti vërvitet,

    diçka nxjerr nga xhepi

    grues ia lë dhe së shpejti

    e len gruen e humbun

    në melodin e këputun.

    Por kur vjen ndoj tjetër,

    epshi kapërthehet,

    gjaqet turbullohen,

    përzihen, përvlohen,

    çohen peshë, tërbohen

    … e vetëm ndëgjohen

    ahtët e molisun

    në melodin e grisun.

    Sonet Pranveruer

    Me kangë në buzë e me hove të reja

    u zgjue agimi pranveruer,

    largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,

    n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

    Me kangë në buzë u zgjue agimi

    dhe ia këndoi kangën diellit t’ art

    rrezash purpure dhe jetëdhurimi

    me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

    Me manushaqe në buzë e me andje në zemra

    vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra

    dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

    me gji të paprekun, ku dashnia sosë

    me fletza trandafilesh që flladi sjelli

    dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.

    Dy Buzë

    Dy buzë të kuqe,

    dy dëshira të flakta,

    që afshin ma thithën,

    gëzimin ma fikën,

    si fantazma ikën

    ndër do bota të larta…

    Dy buzë të përgjakta,

    dy dëshira të flakta,

    që afshin ma thithen

    në buzë kur m’u njitën

    andjet m’i trazuen,

    zemrën ma tërbuen,

    trunin ma helmuen

    e në fund u mërguen…

    Dy buzë të kuqe,

    bukuri fatale,

    të një grueje stërzane

    një pranverë të tanë më mormë

    një pjesë zemre më nxormë,

    dhe gëzimin ma vodhnë…

    Ato dy buzë të kuqe

    dhe dy lotë të mia

    qenë shenjat e dhimbjes

    kur më vrau bukuria,

    kur më zu dashunia

    e më dogji rinia.

    Vetmia

    Më plak mërzitja

    që vetmia më sjell;

    përbuzja, urrejtja

    të gjithë sendet m’i mbështjell

    që kam shumë armiq

    të liq

    në këto sende pa shpirt,

    Nuk flasin.

    As sy s’kanë.

    Po mue më bahet

    se aty janë

    vetëm që të më plasin

    zemrën.

    Së paku, të më shajnë:

    I mallkuem!

    Së paku, të anë tallin:

    I uruem!

    Së paku, të më këndojnë:

    I yni zot!

    Ose të më thonë:

    Jeton kot!

    Të flasin, të flasin se fjalë due

    në kët vetmi me ndigjue.

    Ose të më tregojnë historinë

    e tyne, autobiografinë:

    ndoshta ty do gjej gjasim

    me jeten time pa tingllim

    që në vetmi po e kaloj

    dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

    Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

    Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

    pse gojë s’kanë

    dhe nuk flasin,

    aty janë

    vetëm të më plasin

    zemrën teme që po vuen

    dhe në mërzi vetveten truen.

    duert tona, lidhun dashnie