Milionat e grabitura nga pazaret me tokën, pronat dhe tenderat

    414
    Sigal

    KLSH/ Kallëzim në Prokurori për Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Fier dhe Lushnjë dhe kryetarët e bashkive të Librazhdit dhe Orikumit

     Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditimi i ushtruar në ZVRPP Fier, në zbatim të programit të auditimit Nr. 451/1 Prot., datë 06.04.2012, ka konstatuar një sërë mangësish, shkeljesh e të metash të legjislacionit në fuqi dhe në këto kushte, ka bërë kallëzim penal për ish-Drejtuesin e kësaj zyre vendore në vitet 2006 – 2012 dhe për juristin e Zyrës, pasi këta persona nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre të kundërligjshme, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7843, dt. 13/07/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar, Neni 44, pika “b”, dhe urdhrin e kufizimit Nr. 1483, dt 23/07/2008 të ZVRPP Fier, kanë sjellë përfitime materiale të padrejta për persona të tjerë dhe në dëm të interesave shtetërore duke mos zbatuar rekomandimin e ZQRPP Tiranë për vendosjen e kufizimit mbi pasuritë të cilat më pas janë shitur dhe për të cilat nga këta persona është lëshuar certifikatë pronësie.

    Nga komisioni i ndarjes së tokës në qarkun e Fierit janë dhënë katër akte të marrjes së tokës në pronësi për sipërfaqen prej 48846 m2 brenda vijës kufizuese të vijës së verdhë në kundërshtim me VKM nr. 255 dt. 2.08.1991 “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore” dhe një akt tjetër i marrjes së tokës në pronësi për sipërfaqen 16,000 m2 në kundërshtim me ligjin 8053 dt. 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”.

    Gjithashtu, nga auditimi në Zonat Kadastrale Rurale në Sistem të Regjistrimit, rezultoi se për 50 pasuri, ishin regjistruar në hipotekë, në kundërshtim me  ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar.

    Njëkohësisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 420/1 prot., datë 6.4.2012, dhe nr. 420/2 prot., datë 16.5.2012, pas ushtrimit të auditimit në ZVRPP Lushnje, ka konstatuar një sërë mangësish, shkeljesh e të metash të legjislacionit në fuqi dhe në këto kushte, ka bërë kallëzim penal për ish-Drejtuesin e kësaj zyre në vitet 2011 – 2012, i cili gjatë përmbushjes së detyrës së tij funksionale, ka kryer veprime të kundërligjshme të cilat referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 248 i Kodit Penal, mbartin elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

    Shkeljet e kryera nga personi i mësipërm, kanë konsistuar në ndjekjen e procedurave në kundërshtim me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar dhe Rregulloren “Për punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” nr. 184 datë 08.4.1999 e ndryshuar, pika 6.3, 6.5, 6.8, 6.9, për regjistrimin e pronave shtetërore që transferohen në pronësi të Komunës Rremas në bazë të VKM nr. 575, datë 28.5.2009.

    Gjithashtu, nga auditimi i zhvilluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar që personi në fjale, ka kryer regjistrimin fillestar të lejes së ndërtimit, ka bërë ndarje të pasurisë dhe ka lëshuar certifikatë pronësie në kundërshtim të plotë me kërkesat e ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar.

    Për të gjitha veprimet e mësipërme i janë përcjellë Prokurorisë së Rretheve Fier dhe  Lushnje të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

     Kallëzim në Prokurori për ish-kryetarët e bashkive të Librazhdit dhe Orikumit

    Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas ushtrimit të auditimit në Bashkinë Orikum, në zbatim të programit të auditimit nr. 454/1 prot., datë 20.4.2012, ka konstatuar një sërë mangësish, shkeljesh e të metash të legjislacionit në fuqi dhe në këto kushte, ka bërë kallëzim penal për ish-Kryetarin e Bashkisë Orikum në periudhën 2007 -2011.

    Ish-Kryetari i KRRT-së së Bashkisë Orikum dhe njëkohësisht titullar i autoritetit kontraktor, ka kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitave penale, nenit 248 dhe nenit 258 të Kodit Penal, mbartin elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

    Shkeljet konsistojnë në fillimin e procedurave të tenderave për vitet 2010 dhe 2011 pa pasur në dispozicion fondet përkatëse si dhe shpalljen fitues të operatorëve ekonomik pa plotësuar kërkesat kualifikuese për tre procedura të prokurimeve publike për periudhën objekt auditimi. Të gjitha këto veprime bien në kundërshtim me VKM nr.1, datë 10.01.2007.

    Nga auditimi i procedurave të zhvilluara në lidhje me tenderin me objekt: “Ndërtim Rruga e Lagjes 1 Maj Orikum”, ka rezultuar dëm ekonomik për buxhetin e bashkisë në vlerën 3,143,210 lekë, pasi është shpallur fitues operatori ekonomik pa plotësuar një sërë kërkesash kualifikuese në kundërshtim me VKM nr.1, datë 10.01.2007.

    Në tenderin me objekt: “Rehabilitimi i Lagjes 4 Dhjetori, Orikum” dy operatorët ekonomikë, që kanë plotësuar dokumentacionin përkatës në tabulatet elektronike nuk kanë plotësuar të gjitha kërkesat kualifikuese të miratuara nga njësia e prokurimit, çka përbënte kusht skualifikues dhe në këto kushte ky tender duhej të ishte anuluar dhe përsëritur nga e para.

    Në tenderin me objekt: “Blerje autoveture për nevojat e Bashkisë Orikum” janë konstatuar gjithashtu një sërë shkeljesh në kundërshtim me ligjin, pasi autoriteti kontraktor nuk ka patur asnjë dokument që të vërtetonte se si është llogaritur fondi limit duke sjellë si pasojë mos vërtetimin e vlerës reale të kësaj autoveture. Gjithashtu dokumentet e operatorëve konkurrues të paraqitur për konkurrim në këtë tender nuk i plotësonin kushtet për kualifikim të miratuar nga hartuesit e dokumenteve të tenderit, pasi u mungonin certifikata e regjistrimit në organin tatimor, vërtetimi i pronësisë së autoveturës, kontrata e shitblerjes apo ndonjë akt tjetër juridik që të vërtetonte këtë pronësi; leja e qarkullimit apo akti i zhdoganimit si dhe akti i kolaudimit

    Ish-Kryetari i Bashkisë, për periudhën e audituar, gjatë përmbushjes së detyrës së tij funksionale, në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, nuk ka planifikuar të ardhurat nga Renta Minerare, si dhe nuk ka kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë që të përcaktojë dhe të arkëtojë këto të ardhura nga kjo taksë kombëtare për tre subjekte në fushën e shfrytëzimit të mineraleve ndërtimit për periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2011.

    Nga auditimi i veprimtarisë ekonomiko financiare të kësaj bashkie ka rezultuar një dëm ekonomik prej 4.071,338 lekësh nga të cilat 3.607,274 lekë në prokurime dhe 464,064 lekë për mospagesë të taksës së pasurisë. Për të gjitha këto veprime janë ngarkuar me përgjegjësi për shlyerjen e detyrimeve Kryetarja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ish-Kryetari i Bashkisë në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe katër subjekte private të cilat nuk kanë paguar taksën e pasurisë mbi ndërtesat.

    Njëkohësisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar në rezultatet e këtij auditimi, ka bërë kallëzim për ndjekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për ish-Kryetarin e Bashkisë Orikum në cilësinë e ish-Kryetarit të KRRT-së së kësaj Bashkie, dhe Drejtorin e Drejtorisë së Urbanistikës dhe njëkohësisht Sekretar i KRRT-së në Bashkinë Orikum, pasi gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë kryer veprime në kundërshtim me VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e Rregullores së Urbanistikës”, dhe Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, duke miratuar një sërë Studimesh Urbanistike Pjesore, sheshe dhe leje ndërtimit, pa zbatuar kriteret ligjore në lidhje me hartimin dhe miratimin e tyre dhe duke mos respektuar kondicionet urbanistike të përcaktuara në ligjin dhe VKM e mësipërme.

    Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas ushtrimit të auditimit në Bashkinë Librazhd, në zbatim të programit të auditimit nr. 573/3 prot., datë 9.5.2012, ka konstatuar një sërë mangësish, shkeljesh e të metash në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe në këto kushte, ka bërë kallëzim penal për ish-Kryetarin e Bashkisë Librazhd në periudhën 2007 – 2011 dhe njëkohësisht ish-Kryetar i KRRT-së, si dhe ish-përgjegjësin e Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Librazhd dhe njëkohësisht ish-Sekretar i KRRT-së së kësaj Bashkie, të cilët nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre të kundërligjshme, referuar përmbajtjes së dispozitës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

    Nga auditimi rezultoi se KRRT e Bashkisë Librazhd, në miratimin e disa Studimeve Urbanistike Pjesore (SUP), shesheve dhe lejeve të ndërtimit, nuk ka zbatuar kërkesat ligjore të parashikuara në Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e Rregullores së Urbanistikës”, duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme normativat e  kondicioneve urbanistike si koeficienti i shfrytëzimit të territorit, intensiteti i ndërtimit, distanca nga kufiri i pronës, numri i vend parkimeve, sipërfaqet e nevojshme të gjelbërimit, etj.

    Për të gjitha veprimet e mësipërme i janë përcjellë Prokurorive të Rretheve Vlorë dhe Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.