Miliona lekë abuzime me medikamentet, spitalet e Elbasanit si në mesjetë

    409
    Sigal

    ELBASAN/Për skandalin kërkohet hetimi i krimit ekonomik, njoftohet Prokuroria e Rrethit dhe KLSH

    Prokuroria e Elbasanit dhe kontrolli i Lartë i Shtetit, janë njoftuar nga strukturat lokale të shëndetësisë në këtë qytet, lidhur me zbulimin e abuzimeve dhe dëmit në miliona lekë shkaktuar arkës së shtetit, me tenderat dhe furnizimin me medikamente në spitalet e këtij qarku. Burimet e besueshme nga Drejtoria e Spitaleve dhe Drejtoria e Shëndetit Publik thanë se, “janë konstatuar mjaft shkelje, abuzime dhe po inventarizohet dhe dokumentohet gjithçka, për të ndjekur rrugën ligjore”.  Drejtoria e Spitaleve dhe DSHP ka kërkuar ardhjen e KLSh dhe strukturave të Prokurorisë, për të zbardhur shkeljet  dhe abuzimet. Realisht në spitalet e Elbasanit, pacientët i blejnë nga aget, tek serumi, nga ilaçet e thjeshta tek antibiotikët, pasi deklarohet nga mjekët dhe infermierët se “nuk kemi, depot janë bosh”. Ky skandal duket se nuk e ka shqetësuar aspak Ministrinë e Shëndetësisë dhe kreun e saj Beqja, i cili megjithëse, ka dijeni për situatën në spitalet dhe ambulancat e Elbasanit në qytet dhe shkallë qarku, nuk ka marrë asnjë masë, qoftë edhe formale. Ministri Beqja e di shumë mirë se situata në spitalet e Elbasanit është shumë serioze, duke nisur nga mungesa e medikamenteve, abuzimet me blerjen e tyre, boshatisja e depove, mungesa e investimeve, mungesa e higjienës në ambientet spitalore, e mjekëve, të cilët do t’i gjesh vetëm në klinikat e tyre private, por jo në vendin e punës dhe probleme të tjera që lidhen me emërimet në strukturat e tij vartëse. Qytetarët e Elbasanit dhe qyteteve, ku përfshihet gjeografikisht ky qark, si Gramshi, Librazhdi  dhe Peqini, kanë ankesa lidhur me shërbimet në lagje nga mjekët, ku ata bashkë me infermieret janë bërë ekip korrupsioni, kanë ankesa lidhur me shërbimet në spitale, ku mjekët nuk kryejnë  pothuajse  asnjë shërbim  brenda tyre pa para, duke kërkuar madje vizita “speciale” pasdite në klinikat e tyre për pacientët. Por si të mos ishin këto  problem, spitalet dhe ambulancat e Elbasanit, prej vitesh vuajnë edhe mungesën e medikamenteve, kur titullarët e institucioneve lokale të bluzave të bardha në këtë qytet, deklarojnë se, “ka ilaçe, por janë me pakicë, do të furnizohemi nga muaji tjetër”. Tallja  dhe përbuzja me jetën e qytetarëve, duke se është bërë sinonimi  shërbimit mjekësor në Elbasan, ndërkohë që ministri Beqja nuk ka ndërmend  të  verifikojë dhe të marrë asnjë masë për të ndryshuar situatën , e cila është ndoshta e krahasueshme me atë të viteve ‘40 në Shqipëri. Spitalet do t’i gjesh pa kravatë, pa çarçafë, dhoma të pa suvatuara, të pa lyera, pa ujë dhe banjo të pista, duke tmerruar pacientët dhe familjarët e tyre. Veç qytetarëve elbasanas, pesimistë janë edhe vetë mjekët dhe infermierët për ndryshimin e situatës, e cila sa vjen e bëhet më dramatike, duke humbur çdo shpresë për ndryshim.

     “Burimet nga Drejtoria e Spitaleve dhe Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan thanë se, “janë konstatuar mjaft shkelje, abuzime dhe po inventarizohet dhe dokumentohet gjithçka, për të ndjekur rrugën ligjore. Drejtoria e Spitaleve dhe DSHP ka kërkuar ardhjen e KLSh dhe strukturave të Prokurorisë, për të zbardhur shkeljet dhe abuzimet”