Miliona dollarë të vjedhur nga tenderat, Prokuroria kërkon arrestimin e ish-zyrtarëve

    357
    Sigal

    Hetimi ka vazhduar 8 muaj. Shkelës të ligjit me lidhje e mbështetje të partiakë e funksionarëve të lartë

    Prokuroria e Durrësit ka kërkuar arrestimin e ish-zyrtarëve, të gjithë ish-drejtues ndërmarrjesh nacionale, duke i akuzuar ata për vjedhje në bashkëpunim të miliona dollarëve kryesisht me tendera. Sipas hetuesve bëhet fjalë për abuzime me paratë e buxhetit shtetit dhe donatorëve si Banka Botërore, BEI, BERZH apo edhe buxheti i shtetit, në periudhat 2010 deri 2013. Burimet nga organi akuzës thanë se “vjedhja u është vërtetuar pas hetimeve dhe kopsitjes së dosjeve ish-drejtorëve të ndërmarrjeve kryesore të qarkut Durrës, ndaj tyre institucioni akuzës ka vendosur marrjen të pandehur, kurse dosjet janë duke u mbyllur pas relacioneve të kontrollit të ardhur edhe nga KLSH”. Tenderat e rrugëve, shkollave, qendrave shëndetësore , linjave elektrike, blerjeve të pajisjeve, rikonstruksioneve të objekteve , janë përdorur për të bashkëpunuar me firma fantazmë, të paregjistruara në degën e Tatim-Taksave, duke vjedhur paratë dhe fondet. Hetuesit gjatë hetimeve kanë ballafaquar fakte të dala nga deponimet e ish-krerëve të Doganës, Tatimeve, ish-drejtuesit e ndërmarrjeve nacionale, duke zbuluar rrjetin sistematik të vjedhjeve. Abuzimi kishte nisur qysh nga miratimi pa konkurrencë i fituesit së tenderave, firma të cilat edhe sot nuk gjenden në regjistrat e zyrave tatimore, dhe kishin vazhduar aktivitetin deri në marsin e vitit 2013. Sipas burimeve nga organi hetimor “mbi çdo hetim të kryer dhe rezultat është vënë në dijeni veç organit epror edhe ministritë e linjës, ajo e Financave, Drejtoria Përgjithshme të Tatimeve, e Doganave, Transportit, dhe dikastereve të tjera të prekura nga vjedhja e fondeve”. Vjedhja ka prekur edhe institucionet e pushtetit lokal si bashki dhe komuna. Sipas hetuesve mungesa e dokumentacionit në dosjet e zyrave urbanistike të disa bashkive dhe komunave, mungesa e fondit që duhej të ishte mbledhur nga vjelja e taksave nga firmat ndërtuese, si dhe favorizimi i firmave fantazmë edhe në tenderat e zhvilluara me paratë e shtetit, ka krijuar premisa të një vjedhje pa kufi nga ish-drejtuesit e tyre. Një burim hetimor tha se “ne do të kërkojmë arrestimin e ish-drejtorëve që po mundohen të fshihen pas ndonjë partie politike, ata duhet të përgjigjen për vjedhje në bashkëpunim, falsifikim të dokumentacionit, zhdukje të tij, duke mbyllur kështu hetimet ndaj tyre dhe dërgimin në Gjykatën e Durrësit të dosjeve ”. Vjedhja përfshin veç ndërmarrjeve nacionale edhe disa prej tyre që varen nga bashkia e Durrësit dhe që prej 8 muajsh janë bërë objekt i hetimeve nga organi akuzës në qytetin bregdetar.