Miliarda shpenzime në rrugën Tiranë- Elbasan dhe ndryshimet e kontratës për sinjalistikën Durrës-Rrogozhinë

672
Tiranë-Elbasan, një rrugë, por 12 ndryshime në kontratë
Shuma marramendëse të shpenzuara për 35 km autostradë. Shtesa fondesh dhe abuzime, që nuk garantojnë as qarkullimin normal
Pas një bllokimi treditor, për shkak të rrëshqitjes së një sasie të madhe gurësh, Autoriteti Rrugor dhe Policia Rrugore kanë hapur dje “bypass”-in provizor për kalimin e automjeteve në sensin Elbasan-Tiranë dhe Tiranë-Elbasan me një kalim. Automjetet që udhëtojnë nga Elbasani në drejtim të Tiranës nuk është e nevojshme të ndjekin rrugën e vjetër nga Qafë Krraba, por mund të përdorin “bypass”-in dhe më pas tunelin. “Është vendosur sinjalistika përkatëse dhe ka shërbime të shtuara të punonjësve të ARRSH-së dhe policisë në terren për udhëzimin e drejtuesve të automjeteve. ARRSH dhe Policia Rrugore u bëjnë thirrje qytetarëve që do të përdorin këtë aks të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Megjithatë, bllokimi i pak ditëve më parë, është vetëm problemi i fundit i shfaqur në rrugën Tiranë-Elbasan, që është vetëm 35 km në trajektoren e re. Vetëm segmenti i parë i rrugës Tiranë–Elbasan ka kushtuar 75 milionë dollarë më shumë se kontrata fillestare. Televizioni “Klan” ka siguruar një dokument konfidencial të auditit që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ushtruar në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Raporti evidenton se që nga viti 2012-të dhe deri në nëntor të këtij viti, kontrata është ndryshuar 12 herë, ku vetëm aksi i parë i projektit ka marrë 80% më shumë fonde. Ky segment ishte projektuar të realizohej me 83.9 milionë dollarë, ndërsa faturat e prera për firmën kanë arritur vlerën 152 milionë dollarë. Shtesat me vlerë në para për aksin e parë kanë ndodhur të gjitha nga data 6 prill 2014 deri në 6 prill të këtij viti. “Kontrata deri tani ka pësuar gjithsej 12 amendime që bëjnë fjalë për specifikime teknike, zgjatje afatesh dhe ndryshim vlere dhe ndryshim të kushteve të përgjithshme të saj”, thotë raporti. Edhe kostot e supervizionit të punimeve janë rritur me 3.8 herë më shumë se kontrata fillestare, kjo për shkak të zgjatjes së afateve të punimit. Nga 1.9 milionë dollarë që ishte fillimisht pagesa për supervizorin, kontrata e fundit e nënshkruar në 11 korrik të këtij viti ka dhënë shumën 7.2 milionë dollarë. Raporti i auditimit shprehet se punimet e kompanisë kontraktore janë miratuar nga Autoriteti Rrugor pa marrë vlerësimin e supervizorit dhe këshillit teknik, procedurë e detyrueshme me ligj dhe që ka krijuar pamundësi në verifikimin e punimeve reale dhe ecurinë zbatimit të projektit nga firma që bërë punimet. Për këto abuzime, prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj ish-ministrit të Transportit, Edmond Haxhinasto dhe ish-drejtorit të Rrugëve, Dashamir Xhika. 

Në miratimin e shtesës së fundit prej 35 milionë dollarësh, e cila u kalua në pranverë të këtij viti nga Kuvendi i Shqipërisë, auditimi thotë se ARRSH mban dy qëndrime të ndryshme për vlerën reale të projektit. Bankës Islamike që ka dhënë kredinë i është kërkuar 56 milionë dollarë, sipas konkluzioneve të supervizorit të projektit, ndërsa Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Financave i është kërkuar shuma 35 milionë dollarë. Kjo shumë, thotë raporti, “nuk është e mirë argumentuar dhe e studiuar duke sjellë pasojë mosmbulim e projektit me fondet e nevojshme”. Përllogaritet se për mbylljen e projekti mund të nevojiten edhe 21 milionë dollarë të tjera.

Abuzimet në rrugën Golem-Rrogozhinë
Aksi rrugor Golem–Rrogozhinë është gjithashtu një ndër më problematikët në vend dhe për shumë vite nuk është arritur përfundimi i punimeve. Ndërkohë, në këtë segment kanë ndodhur disa nga ngjarjet më tronditëse dhe më prekëse të këtyre viteve të fundit, ku kanë humbur jetën persona të pafajshëm, deri edhe fëmijë. Gazeta “Telegraf” prej 3 vitesh me fakte konkrete ka denoncuar rastin skandaloz të abuzimit me tenderin e sinjalistikës në Golem – Rrogozhinë. Dhe pasojat janë treguar qartë. U aksidentuan tre të rinj, që u gjendën pa jetë në një kanal, një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në oborrin e një banese dhe, për pasojë goditi fatalisht të zonjën e shtëpisë që rrinte e ulur në oborrin e saj, duke i marrë jetën. Në një tjetër rast taksia, së bashku më dasmorët u aksidentua duke u shkaktuar disa vdekje, një furgon doli nga rruga dhe guardielat mbrojtëse të rrugës nuk e mbajtën, sepse janë të dobëta dhe jashtë parametrave të përcaktuara shkencërisht dhe për pasojë humbasin jetën 3 persona dhe plagosen 5 të tjerë. Si këto raste janë me dhjetëra e qindra dhe që të gjitha i përkasin aksit rrugor Kavajë – Rrogozhinë. Aksidente ndodhin dhe kjo nuk përbën ndonjë gjë të re. Megjithatë qëllimi është të shpëtohet jeta e qytetarëve, ndaj vendosen mbrojtëset anësore ose guardielat, sikurse quhen në gjuhën e përditshme teknike. Por që të humbasësh jetën dhe shkak të jenë mbrojtëset metalike anësore (guardielat), të cilat kanë qëllim të shpëtojnë jetë dhe jo ta marrin atë, kjo nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të pranohet kategorikisht as nga ekspertët dhe as nga njerëzit më të zakonshëm. Vetëm pak km më tej, në rrugën Plepa-Golem, ka pasur aksidente, por jo me pasoja vdekjeprurëse, sepse parametrat e sigurisë, pra mbrojtëset anësore janë sipas katalogut dhe ISOS së sigurisë rrugore Evropiane dhe Botërore. Sipas denoncimeve të Gazetës “Telegraf”, e njëjta siguri rrugore, me të njëjtët parametra duhej të ishte në të gjithë gjatësinë e rrugës nga Plepat deri në Rrogozhinë tek rrethrrotullimi. Por çfarë u bë? U bë tenderi me parametrat e rrugës Plepa – Golem, por pas disa kohësh që ishte fituar tenderi, Autoriteti Rrugor Shqiptar me drejtorin e atëhershëm Dashamir Xhikën e ndryshoi projektin, duke ulur elementët e sigurisë rrugore, por fondi dhe milionat me të cilën u fitua tenderi mbetën të njëjta. Gjithashtu, abuzimet në ARRSH janë denoncuar disa herë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke e dërguar çështjen në Prokurorinë e Tiranës. 
Sigal