Mikado Shakohoxha: Shkolla ushtarake “Skënderbej” në këtë 69-vjetor vjen me një pasuri të rrallë

    493
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Kryetari i shoqatës “Skënderbej”, Mikado Shakohoxha

    Sot shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” feston 69-vjetorin e krijimit të saj. Në gjithë historinë e ekzistencës ajo ka nxjerrë nga bankat e saj rreth 32 mijë oficerë, të cilët kanë shërbyer në të katër anët e atdheut. Kjo shkollë, fidanishtja e shkollës së lartë ushtarake, ka nxjerr nga gjiri i saj mbi 30 gjeneralë, njëkohësisht thuajse të gjithë Shefat e Shtabit, pas vitit 1950. Sot kjo shoqatë është ndër më të fuqishmet dhe ka degët e saj në Greqi, SHBA, Australi, Itali ndërsa në Shqipëri ka më shumë se 30 mijë anëtarë.

     Sa vjet keni si Kryetar i shoqatës “Skënderbegasi”?

    Kam qenë Kryetar i saj qysh në themelimin e kësaj shoqate. Kjo shoqatë patriotike atdhetare është krijuar qysh në vitin 1996. Pra, qysh në këtë vit dhe në vijim edhe me gjithë kundërshtitë e mia, jam zgjedhur unë. Unë i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që aderojnë në këtë shoqatë, për besimin dhe respektin që kanë për mua dhe ndoshta nuk e meritoj tërë këtë besim, pasi në radhët tona ka intelektualë edhe më të përgatitur, edhe më të devotshëm, por ja që fati më ka takuar mua.

     Cili është qëllimi dhe mesazhi i kësaj shoqate kaq shumë të diskutuar?

    Kjo është një shoqatë atdhetare kulturore, ku respekton në mënyrë të veçantë figurat patriotike, luftërat e popullit shqiptar për pavarësi, por mbi të gjitha respekton në mënyrë të veçantë luftën nacional-çlirimtare, që për ne është lufta më e shenjtë dhe më e madhe në gjithë historinë e popullit shqiptar. Por njëkohësisht kjo shoqatë kujton apo rikujton figurat kryesore të shoqatës dhe mban lidhje me shumë shoqata homologe jashtë atdheut.

    Me cilat shoqata jashtë atdheut mbani lidhje?

    Kryesisht mbajmë lidhje me disa vende ish- Lindore, por kryesisht me Brukselin dhe me Turqinë. Këto dy vende i respektojnë shumë shkollat ushtarake që bëjnë parapërgatitjen e ushtarakëve të lartë. Por kohët e fundit ne i kemi ndërprerë  këto lidhje për shkaqe financiare, pasi në të gjitha aktivitetet na sponsorizonin ata. Për arsye dinjiteti i ndërpremë lidhjet duke u justifikuar shqiptarçe, pro më mirë ndihemi kështu se sa me dorë të shtrirë.

     Sa është aktualisht numri i shoqatës tuaj?

    Numri i shoqatës tonë vetëm në Tiranë është 3 mijë vetë të regjistruar me tesera. Ndërsa në gjithë Shqipërinë ne kemi në gjirin tonë rreth 32 mijë vetë. Kemi degë kudo në Shqipëri, por dega më e fuqishme është në Athinë, ku kemi më shumë se 1 mijë vetë, të cilat na kanë dërguar dhe një telegram që do ta lexojmë sot në 29 -vjetorin e krijimit të shoqatës “Skënderbegasi”. Por ne kemi dhe një degë të fuqishme në Itali, Austri dhe në Amerikë në Nju Xhersi. Pra jemi të shtrirë kudo në botë.

     Pse keni zgjedhur pikërisht datën 28 mars për të festuar krijimin e shoqatës?

    Sepse një vit pas çlirimit të atdheut, më 28 mars të vitit 1945 është krijuar  shkolla ushtarake “Skënderbej”. Një shkollë me disiplinë, korrekte, me pedagogë të shkëlqyer, me pastërti shembullore. Ajo shkollë ka qenë me tërë parametrat e një shkolle bashkëkohore ushtarake, e cila na edukoi, na rriti, na arsimoi me dashuri për atdheun dhe për njeriun. Mbi të gjitha në plan të parë dhe edukimi numër një i kësaj shkolle, ishte dashuria për atdheun.

     Çfarë titullarësh ka nxjerrë kjo shkollë?

     Kjo shkollë ushtarake ka nxjerrë jo vetëm ushtarakë, por edhe mjekë ushtarakë, inxhinierë ushtarakë, politikanë, por mbi të gjitha ka nxjerrë yjet e sportit shqiptar. Ekipi i “Partizanit” e kishte burimin e lojtarëve në të gjitha sportet tek kjo shkollë. Pra kjo shkollë ka nxjerrë futbollistë, volejbollistë, basketbollistë, qitës, mundës, boksierë, ndër më të mirët e Shqipërisë në të gjitha kohërat. Por ka nxjerrë dhe muzikantë të talentuar, juristë pra në të gjitha fushat. Por mbi të gjitha ka nxjerrë gjeneralë. P.sh Shefat e Shtabit të Përgjithshëm, janë  skënderbegas. Apo për më tej komandantët e forcave tokësore, detare, ajrore, edhe sot janë të gjithë skënderbegas. Të gjithë që kanë mbaruar shkollën “Skënderbej” kanë vazhduar Akademinë Ushtarake, mund të jetë ndonjë rast i rrallë që mund të ketë ngelur dikush në klasë.

    Çfarë aktivitetesh organizon sot shoqata juaj?

    Shoqata jonë organizon aktivitete të ndryshme me karakter historik, duke promovuar libra apo figura të shquara patriotike të të gjitha kohërave. Në ditët e festave jubilare apo të formimit të formacioneve të ndryshme luftarake të luftës nacional çlirimtare, apo të çetave patriotike në luftë kundër pushtuesve ne organizojmë aktivitete përkujtimore. Njëkohësisht, ne nderojmë dhe figura të shquara që ka nxjerrë kjo shkollë.

     Çfarë figurash të shquara ka nxjerrë kjo shkollë?

     Ka nxjerrë me dhjetëra intelektualë të të gjitha fushave, por mbi të gjitha ka nxjerrë një President, tetë deputetë, me qindra diplomatë që kanë qenë në vende të ndryshme të botës, shumë ambasadorë dhe të gjithë atashetë ushtarakë në disa vende të botës kanë qenë skënderbegas. Mbaj mend që në vitin 1992, kur kam qenë në ministri, rreth 98 për qind e ushtarakëve që ishin me tituj shkencorë ishin skënderbegas. Kërkesat për të kaluar në Akademinë Ushtarake ishin që të kishe mesataren mbi 8 dhe thuajse të gjithë skënderbegasit e arrinin këtë mesatare.

     Sot në Muzeun Kombëtar çfarë do të zhvilloni?

     Sot ne do të përkujtojmë 69-vjetorin e krijimit të shkollës ushtarake “Skënderbej”, që është bërë tradicionale, ku do të kujtojmë, vlerësojmë krijimin e shkollës pra 28 Marsin e vitit 1945, do të flasim për historikun e shkollës  njëkohësisht do të nderojmë dhe vlerësojmë dy nga mësuesit tanë më të mirë, të gjendur, që kanë bërë emër në fushën e sportit, Ismet Bellovën dhe Bejkush Birçen, që kanë bërë emër në gjithë hapësirat mbarë shqiptare, madje dhe më tej. Do i nderojmë këto dy figura pasi janë lënë në heshtje, kur dihet se sa kanë dhënë ata për sportin shqiptar. Ne do t’u japim  Certifikatën e mirënjohjes. Njëkohësisht do të kemi dhe një koncert të vogël me këngë të ndryshme.

     A mendoni se ajo shkollë ka pasur vlera të veçanta në atë kohë?

    Pa diskutim. Ne kishim një betim, të mbronim atdheun, të mbronim kufijtë tanë. Edhe pse ideologjizohej shumë herë ushtria ne betimin ushtarak e bënim në emër të atdheut. Tek ne kanë ardhur të gjithë ish-udhëheqësit e sistemit monist, por ne gjithmonë kemi pasur të ngulitur në ndërgjegjen tonë, që atdheu është mbi gjithçka. Dhe këtë e kemi vërtetuar me punën tonë, me stërvitjen tonë, pasi në gjithë periudhën e luftës së ftohtë midis dy sistemeve, ne asnjëherë nuk kemi luajtur nga betimi. Madje, mund të them se kemi sakrifikuar shumë nga vetja, pasi rrinim me shërbim me muaj të tërë, me po atë rrogë, me po atë ngarkesë duke mos marrë asnjë shpërblim. Dihet sot si vlerësohen ushtarakët kudo në botë në raste luftash, gatishmërisë, apo në raste situata emergjente. Ne rrogën e kishim njëlloj gjatë gjithë muajit dhe pse rrinim ditë natë në shërbim edhe me muaj. Këto sakrifica sot as merren parasysh, as merren në konsideratë.