Mijëra ton duhane po u kalben, Panariti hesht dhe bën sehir

    403
    Sigal

    Fermerët e duhanit në Belësh në krizë totale

    Qindra fermerë të Dumresë në Elbasan, gjenden prej 1 viti në krizë totale, pasi mijëra ton duhane po u kalben, kurse shteti bën sehir. Ata gjatë muajve të fundit janë hedhur shpesh në protesta për bllokimin e tregut të shitjes së duhanit nga Ministria e Bujqësisë. Disa nga fermerët në protestë deklaruan se, “Panariti na ka premtuar se monopoli mbi duhanin do të merrte fund njëherë e mirë, dhe se shteti do t’i mbështeste fermerët e kësaj zone për kultivimin e duhanit, por në fakt tregu i duhanit është bllokuar totalisht, prodhimi na ka mbetur stok”. Edhe ditët e fundit fermerët e Dumresë protestuan, pasi po i kalben mijëra tonë duhan. Shkak i kësaj situate është përgjysmimi i çmimit nga kompania importuese, e cila duke parë plogështinë e Ministrisë Bujqësisë tallet me fermerët shqiptarë. Nga 350-450 lekë për kilogramë, çmimi ka zbritur në më pak se 200 lekë. Sipas fermerit N.Tafani, “ky çmim nuk mbulon as kostot e fermerëve e mbi të gjitha i pengon ata të fillojnë mbjelljet e reja, kemi trokitur në Prefekturë nuk na qesin, në Ministrinë e Bujqësisë na tallin, kemi mbetur si njerëz pa përkrahje nga shteti ynë”. Pas ankesës në Bashkinë e Belëshit, drejtuesit e saj i bëjnë thirrje Ministrisë Bujqësisë dhe kreut të saj Edmond Panariti të marrë masa për të mos dëmtuar xhepat e qindra fermerëve belshakë, t’u gjejë treg shitje, të negociojë me firmat e huaja për shitje me çmimin e tregut dhe të financojë ata. Janë mbi 45 mijë fermerë që kultivojnë duhanin vetëm në zonën e Dumresë. Fermerët belshakë deklaruan për “Telegraf” se “ ne detyrimin për ti siguruar firmave të huaja dhe konkretisht kompanisë greke 10 mijë tonë duhan për vitin 2013 dhe 2014 e kemi mbajtur, kurse vetë administratorët e huaj që kanë lidhur kontrata me ne, dhe që ishin angazhuar ta blinin duhanin me 350 deri 450 lekë/ kilogrami, e drodhën , nuk e mbajtën fjalën”. Duket se kriza që po përjetojnë vetë firmat e huaja dhe kompanië kontraktuale fqinje dhe rajonale, i kanë dëmtuar rëndë edhe xhepat e fermerëve shqiptarë. Xhevit Balla, ish- specialist në Institutin e Duhaneve në Cërrik, tha për “Telegraf” se “banorët e Dumresë në Elbasan, një zonë e njohur për kultivimin e duhanit, prej vitesh kanë stoqet me mijëra ton në shtëpitë e tyre, ashtu si më parë edhe ky ministër Bujqësie, e kam fjalën për zotin Panariti, nuk ka treguar se po mbështet fermerët, interesat e tyre, t’u gjejë tregun, t’i mbështesë institucionalisht ata, dhe të penalizojë firmat e huaja që tallen me bukën e gojës së mbi 45 mijë fermerëve të Belëshit”. Sipas zotit Balla “firmat e huaja dhe kryesisht ato greke dhe maqedonase, që kanë nënshkruar me fermerët kontrata individuale për blerjen e duhanit, po e kërkojnë duhanin e Belëshit , i cili është i një cilësie brilante me çmim shumë të ulet, por ata vonohen në pagesat e detyrueshme ndaj fermerëve, pasi kanë 2 vjet që nuk kryejnë pagesa me lekë në dorë, por thonë do ti bëjmë me bankë”. Kjo gjë i ka detyruar fermerët të mos e shesin duhanin, por stoku po i rrezikon prodhimin. Dhe konkretisht mbi 2500 familje në komunën Grekan dhe Fierzë jetojnë me kultivimin dhe shitjen e duhanit, ndaj kriza e thellë u ka vështirësuar atyre jetën. Banorët e Belëshit, të mbështetur nga Bashkia dhe komunat e asaj zone,kërkojnë mbështetjen e Ministrisë Bujqësisë për daljen nga kjo krizë e thellë. Deri në vitin 2010, një kilogram duhan në Belësh tregtohej me 350-450 lekë, ndërsa sot nuk po blihet as me 200 lekë/kg.

    Protesta e fermerëve ka nisur qysh në janar 2014

    Protesta e 45 mijë fermerëve të Belëshit ka nisur qysh në janarin e 2014. Ata, prej afro 10 muajsh, protestojnë në sheshin para Bashkisë Belëshit, në Prefekturën e Elbasanit, para Ministrisë Bujqësisë, por nuk kanë gjetur deri sot asnjë zgjidhje. Protesta e tyre ka ardhur nga ndryshimi i çmimit të duhanit nga firmat e huaja, por edhe vendase, që nuk kanë respektuar kontratën e lidhur. Sipas tyre, kompanitë kanë lidhur në fillimet e prodhimit kontratë, ku përcaktohet çmimi, kualiteti dhe sipërfaqja që do të mbillej. Por, pavarësisht se fermerët e Belëshit kanë zbatuar pikat e kontratës, në momentin e shitjes së duhanit janë përballur me ulje prej 500 lekësh të çmimit. Ky veprim ka nxitur fermerët për protesta, duke vendosur të ndërpresin çdo marrëdhënie me firmat. Fermerët thonë se “nuk kanë asnjë interes ta shesin duhanin me çmimin e ofruar nga firmat, pasi kemi harxhuar për ta sjelle prodhimin deri në këtë fazë dhe fitimi është qesharak”. Fermerët me protestën e tyre kërkojnë nga zoti Panariti të mbajë premtimin, të liberalizojë tregun, të merren parasysh kërkesat e tyre në të kundërtën do të bllokojnë prodhimin, duke mos lejuar asnjë mjet grumbullues i duhanit të shkelë në territorin e Belëshit”.

    ARTUR AJAZI