Migena Buka:Shoqëria shqiptare dhe hapësira e psikologjisë në të

    740
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet pedagogia e Shkencave Sociale në UT dhe psikologia Migena Buka

    Psikologjia është një degë e re në Shqipëri dhe si e tillë vështirë ti dihen vlerat që mbart, por duket se të ardhmen e ka të ndritur. Këtë e themi edhe nëse thjesht i referohemi shteteve ku ajo  përqafohet fuqishëm nga të gjitha fushat e punës dhe jetës sociale. Në vendin tonë, kjo mundësi do akoma kohë të realizohet plotësisht. Për të folur sot në suplementin e shkencave sociale në “Telegraf”

     -Sa njihet në Shqipëri fusha e psikologjisë organizative?

    Psikologjia Organizative përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh që lidhen me organizatën dhe jo të gjitha janë të zhvilluara në Shqipëri. Në organizatat dhe kompanitë që operojnë në Shqipëri janë zhvilluar kryesisht “burimet njerëzore”. Unë kam mbaruar specializimin për Psikologjinë Organizative në 2005, dhe kur u ktheva në Shqipëri për të kërkuar punë as nuk ishte dëgjuar si term, jo më të mund të gjeja punë. Kur shkoja për të aplikuar diku, përpiqesha të gjeja një përshtatje të termit “human resources”, që në atë kohë nuk përdorej. Ata që merreshin me personelin, quheshin “zyra e kuadrit” dhe kryesisht merreshin me pagat, ditët e lejes së punonjësve etj. Megjithatë me kalimin e kohës, termi “burime njerëzore” u bë shumë i përhapur dhe aktualisht funksionon jo vetëm në kompani të mëdha, por dhe ato të mesme.

    Sidoqoftë, në disa kompani te caktuara, zyra e “Burimeve Njerëzore” ka mbetur në nivelin e një zyre që thjesht mban dosjet e personelit; ndërsa në kompani të tjera më të mëdha këto zyra janë më të zhvilluara dhe mbulojnë të gjitha proceset që duhet të mbulojë një zyrë e tillë, si rekrutimi, përzgjedhja e personelit, trajnime etj. Gjithsesi, preferenca e kompanive është që në këto zyra të punësojnë persona që kanë mbaruar ekonomik, dhe psikologët nuk i shohin pothuajse fare si potencial për këto pozicione pavarësisht kualifikimeve të tyre.

     -A ka ekzistuar si lëndë para viteve ‘90 ky profesion?

    Si lende universitare? JO!!! Për aq informacion sa kam unë nga sistemi i regjimit komunist: zgjedhja e personelit, rritjet apo uljet në detyrë bëheshin në bazë të vendimeve partiake dhe rrallëherë në bazë të meritokracisë.

    -Çdo të thotë që, ky profesion njeh impaktin e faktorëve të tillë si ndikimi në rritje i qeverisë?

    Të marrësh një person në punë, teorikisht do të thotë: të identifikosh faktorët që janë të rëndësishëm për të bërë punën; të gjesh një mënyrë si mund t’i matësh ato; të bësh një përzgjedhje nga aplikantët dhe të marrësh atë që i plotëson më mirë kushtet e kërkuara.

    Qeveria ndërhyn në këto sfera, me ligje si ato të barazisë: ku për tu favorizuar kategoritë të caktuara, përcaktohen një përqindje apo një kuotë që duhet respektuar nga kompanitë. Për shembull: një kompani që ka 30 punonjës duhet të ketë të paktën një person nga kategoria e punonjësve paraplegjikë. Nga këndvështrimi social këto shtresa dhe kategori duhen mbështetur; nga një këndvështrim më i ftohtë në një vend pune duhet të merret më i miri. Shtetet që kanë një përkrahje sociale më të madhe, bëjnë më shumë ndërhyrje të tilla.

    -Ndjeshmëria e konsumatorëve?

    “Psikologjia e Konsumatorit” është një lëndë e re, e cila sapo është ofruar si pjesë e programit të Masterit Psikologji Organizative. Kjo lëndë merret me reagimin e konsumatorëve ndaj informacionit që marrin nga reklamat apo dhe eksperiencat e tyre në lidhje me shërbime apo produkte të ndryshme. Deri më sot, konsumatori është trajtuar nga degët e ekonomikut, në kontekstin e shpenzimeve, buxhetit apo marketingut. Ndërsa në psikologji trajtohet konsumatori si individ, përqasja e tij me produktin dhe/ose shërbimin, qëndrimet konsumatore ndaj markave të ndryshme etj. Pra, synimi nuk është si të shitet më shumë, por çfarë e bën një konsumator të blejë më tepër; të zgjedhë një markë të caktuar; të zgjedhë një produkt përkundrejt një tjetri etj. Është fushë shumë e re, dhe studimet sapo kanë filluar. Për momentin nuk mundem të them ndonjë gjë për konsumatorin shqiptar, ndjeshmërinë e tij ndaj çmimit, ofertave etj.

     -Aftësitë e kufizuara, dhe ndryshimet e shpeshta të forcës punëtore?

    Personat me aftësi të kufizuar jo gjithnjë janë në prioritetet e çdo kompanie. Zakonisht punësimi i personave të tillë bëhet në bazë të projekteve të caktuara, dhe jo për shkak të zgjedhjes së psikologëve organizativë.

    -Si punojnë psikologët organizativë me organizatat dhe për cilat fusha bëhet fjalë?

     Psikologët organizativë janë të punësuar pranë zyrave të burimeve njerëzore në kompani të mëdha (psh: AMC, Eagle, Vodafone, Agna group, etj); punojnë si punonjës të lirë (freelance) në tregun e punës; si gjetës të talenteve apo personave specifikë (headhunting) etj.

    -Kur është futur si degë në UT dhe a ka gjetur terren favorizues?

    Psikologjia organizative ka filluar si një lëndë e detyrueshme për ata që mbaronin bachelor në psikologji. Më pas u ofrua dhe një lëndë tjetër me zgjedhje, përsëri në këtë fushë. Përgjithësisht interesi ishte në nivele mesatare. Pas kartës së Bolonjës dhe ndryshimit të sistemit në 3+2, u përgatitën kurrikulat për psikologjinë organizative. Interesi u rrit dhe ka pasur shumë aplikime. Tashmë është duke u bërë përpjekje që aplikantët e Masterit të Psikologjisë Organizative të vijnë edhe nga fusha të tjera (p.sh: ekonomik, gjuhë të huaja, etj.) nëse kanë eksperiencë pune në këtë fushë.

    -Si profesion pëlqehet më shumë nga femrat apo nga meshkujt?

    Psikologjia dege përgjithësisht zgjidhet nga femrat. Rrjedhimisht edhe ne master shumica dërrmuese (85%-100%, në varësi të orientimit të masterit) janë femra.

    -Sot në UT femrat pedagoge a kanë gjetur terren po aq sa meshkujt?

    Bazuar në statistikat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) të vitit 2012, femrat janë pjesa më e madhe e pedagogëve jo vetëm në UT (54.5%) por edhe në shkallë vendi në të gjitha universitetet publike në Shqipëri (53.4%).

    -Mendimi juaj për shoqërinë shqiptare, a është ende një shoqëri maskiliste?

    Besoj se mbetemi një shoqëri maskiliste, pavarësisht emancipimit të disa shtresave të saj. Për sa kohë, ende ka burra që nuk shkojnë të marrin bashkëshorten nga materniteti se ka “lindur vajzë”; dëgjojmë për raste kur femrat vriten dhe dhunohen në emër të nderit apo xhelozisë; ndodhin fenomene që femrat refuzohen në vende të caktuara pune, sepse “është e martuar dhe do mbetet shtatzënë”, shoqëria shqiptare mbetet thellësisht maskiliste. Personalisht besoj se kemi bërë progres nga ky këndvështrim, por mbetet ende më shumë për të bërë, shumë njerëz për të sensibilizuar për të krijuar një barazi reale ndërmjet meshkujve dhe femrave.

     -Po politika shqiptare, a e ka vlerësuar si duhet femrën dhe pjesëmarrjen e saj në politikë?

    Jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera, duket se është më e vështirë për femra të çajnë përpara në karrierë. Ose duhet të sillen në mënyrë shumë agresive dhe të marrin rolet e burrave; ose duhet të futen në stereotipe jo gjithnjë të këndshme për to. Nuk them se nuk ka përjashtime, por për mendimin tim ecja në karrierë e një femre është shumë herë më e vështirë sesa e një mashkulli.

     -Sot në radhët e pedagogëve flitet për një fenomen të shëmtuar. Mitmarrjen, komenti juaj?

    Një mikesha ime më prezantoi me një të njohurën e vet. Kjo ishte një studente në vit të fundit në një nga fakultetet e UT. Në bisedë e sipër u shpreh “pedagogët marrin lekë ekstra për çdo student që lënë në klasë prandaj ngelin shumë”. Unë i thashë se isha pedagoge në UT dhe një pagesë e tillë nuk e ekzistonte. Megjithatë vajza vazhdonte të insistonte në të vetën. Megjithëse u përpoqa për rreth 10 minuta, asaj nuk i mbushej mendja se pedagogët nuk marrin një pagesë të tillë.

    Me ngjarje të tilla jam hasur disa herë. Mendoj që nëse disa njerëzve i është mbushur mendja çfarë të thuash nuk ia kthen dot. Përsa i përket mitmarrjes, bazuar në eksperiencën personale dhe atë të kolegëve të mi, them se është ekzagjerim. Nuk them se ky fenomen nuk ekziston, por ta përgjithësosh mitmarrjen për çdo pedagog të punësuar pranë UT apo çdo universiteti tjetër, është shumë e shëmtuar dhe absolutisht pa baza.