Mielli serb “pushton” Shqipërinë

    397
    Sigal

    Falimentojnë miliona euro të investimeve shqiptare

    Mbasi ka “kry” punë në Kosovë tashmë ka hedhur metastazat në tregun shqiptar. Ka më shumë se 15 ditë që shqiptarët konsumojnë bukë të prodhuar nga mielli serb. Çmimi më i lirë 49-55 lekë/kg nga ai 58-60 lek/kg ka bërë që të gjitha furrat shqiptare të abandonojnë miellin shqiptar për të përdorur atë serb. Gjithçka deri këtu është brenda parimeve të konkurrencës, edhe pse kjo nuk pasqyrohet në uljen e produktit përfundimtar, në çmim të bukës. Nuk është ndonjë ndjesi patriotike që po e trajtojmë këtë temë, sepse ekonomia e tregut selekton vetiu pa pyetur për miell patriot apo armik, por ajo që është dukshëm jo patriotike dhe jo kombëtare është inekzistenca e shtetit për të ruajtur cilësinë, vlerat ushqyese, investimet dhe prodhimin vendas e cila e ka detyrë, edhe në rastet e konkurrencës së ndershme, jo më kur kjo konkurrencë godet ndershmërinë e investimet miliona euroshe të prodhimit vendas. Nga një llogaritje e thjeshtë, ky lloj importimi nxjerr nga funksioni një sektor që ka investuar së paku 100 milionë euro nga investitorë vendas, të cilët kanë sjellë teknologjinë nga më të përparuarat e kohës duke garantuar cilësi të lartë të miellrave sikur janë 11,5- 12,5 % proteinën dhe mbi 27% glutenin që duhet thënë se kanë rriskuar duke mbajtur në nivele të ulëta çmimin e miellit dhe rrjedhimisht edhe të çmimin e bukës për kg në raport me vendet e rajonit tonë, edhe pse e gjithë lënda e parë gruri blihet nga jashtë kryesisht nga Rusia dhe ish republikat ruse apo nga Serbia, Hungaria, Franca etj.. Edhe pse këto janë fakte ajo që është e palejueshme është se po favorizohet importimi nga Serbia duke e “patriotizuar” madje e quajtur edhe miell nga Kosova vetëm se kalon andej. Në një kohë kur Serbia nuk do të lejonte as të kalonte mielli shqiptar në tokën e tyre, dashamirësia jonë i tejkalon të gjitha kufijtë e së tolerueshmes. Nuk po diskutojmë që të cenojmë konkurrencën e ndershme, edhe nëse ky import do të vinte nga djalli, por në rastin kur parametrat cilësorë, kimikë dhe fizikë janë shumë të ulëta, atëherë gjendja bëhet alarmante, sepse nuk po diskutojmë fitimin, por pasojat që sjell një miell që ka nën nivelin e lejuar përqindjen e proteinave e cila ndikon në rritjen e popullsisë me problem gastrike dhe anemi. Këto sëmundje janë të pashmangshme në qoftë se popullsia do të ushqehet me këtë lloj mielli për një periudhe 5-vjeçare, mbasi dalin në pah me vonesë si rezultat i kequshqyerjes. Përpos falimentimit të pandershëm që u bëhen investimeve vendase, ajo që e bën specifik këtë import është pamundësia e kontrollit nga AKU për mungesë të mjeteve të nevojshme teknologjike të analizave fitosanitare, baktereologjike, radioaktivitetit, proteinës, glutenit etj., etj.. Por edhe nëse këto analiza bëhen, përgjigjet merren mbasi ai është konsumuar. Sektori i prodhimit të miellit nuk kërkon më shumë se të drejtën që i vjen nga kontrolli i cilësisë së këtij mielli që është futur në treg duke prekur konkurrencën e ndershme. Nga kontrolli i bërë nga Unioni i Miellit të Shqipërisë del se sasia e proteinave në këtë miell, të sjellë nga Serbia, është 9-10.7% , kur standardi e ka dyshemenë më të madhe se 12%. Është kjo arsyeja që ky lloj mielli jashtë standardeve ka prishur rregullat e tregut, duke u shitur nën koston e lejueshme. Në këto kushte të importimit të këtij lloj mielli jashtë standardeve të BE-së, efekti është domino që nga cilësia e bukës deri tek problemet sociale që do të krijohen nga papunësia që do të sjellë mbyllja e këtyre fabrikave të blojës.

    GRURI… i rezervave serbe, grurë për “kafshët”

    Duke mos mjaftuar kjo, një alarm vjen nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës të cilët njoftojnë edhe për një zbrazje të rezervave të grurit serb dhe eksportimin e tij drejt Kosovës dhe Shqipërisë. Kryetari i kësaj shoqate Misin Voci thotë se ky grurë e ka burimin nga rezervat shtetërore serbe dhe gruri ka 2-3 vjet që rri në rezervat serbe, duke i humbur të gjitha vlerat ushqyese. Por më e keqja, sipas kryetarit, është se ajo që e bën spekulativ çmimin, përpos cilësisë, është se këtë grurë, Dogana e Kosovës e konsideron ashtu sikur edhe është, ushqim për kafshët, gjë që nuk i nënshtrohet detyrimeve doganore, edhe pse në Kosovë dhe Shqipëri këto “kafshë” që e konsumojnë janë njerëzit.

    Ilir J. Hoxha