Meta:Vitin 2015 e kthejmë në vit të zhvillimit e modernizimit bujqësor

624
Sigal

FUSHË KRUJË – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehu bindjen se vitin 2015 do ta kthejnë pa asnjë diskutim në një vit të zhvillimit dhe të modernizimit të bujqësisë.

Gjatë inaugurimit të një fermë moderne e cila do të zhvillojë aktivitetin saj në fushën e bujqësisë e kompanisë “Besa Agro Invest”, në Fushë Krujë, Meta u shpreh se futja e investitorëve përmes këtij projekti mjaft serioz e të sigurt përbën një kontribut shumë të rëndësishëm dhe një model që duhet të shumëfishohet.
 
“Nuk do të nguroja ta quaja vitin e ardhshëm 2015 si vitin e bujqësisë, vitin e blegtorisë, vitin e peshkimit. Përshëndesim këtë investim prej 15 milionë eurosh që do të punësojë të paktën 500 veta banorë të këtij komuniteti punëdashës.”- tha Meta.
 
Më tej ai i ka bërë apel institucioneve të tjera financiare dhe sipërmarrësve shqiptarë që të investojnë drejtpërdrejtë në fushën e bujqësisë.
 
 
Fjala përshëndetëse e Kryetari të Kuvendit 
Të nderuar zotërinj ministra, Panariti dhe Veliaj. Të nderuar z. Shalsi, Kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisit
Të nderuar deputetë. Të nderuar zotërinj ambasadorë,
I nderuar Zv. Ambasador,
Të dashur pjesëmarrës,
I nderuar z. Bajram Muça,

Për mua është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në ceremoni të tillë, aq më tepër vetëm dy ditë pasi Kuvendi miratoi dhe mbështeti plotësisht projektbuxhetin për vitin 2015 i cili avantazhon më shumë se çdo prioritet tjetër mbështetjen për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin dhe agro-përpunimin, pra një paketë e tërë në kushtet e kufizimeve që vijnë sa i takon investimeve për shkak të borxhit të jashtëzakonshëm të trashëguar, të deficitit të lartë të trashëguar, të përpjekjeve të vendosura të qeverisë për t’i patur ato nën kontroll.

Pra sektori më i avantazhuar është bujqësia. Unë nuk do të nguroja ta quaja vitin e ardhshëm 2015 si vitin e bujqësisë, vitin e blegtorisë, vitin e peshkimit. Në rast se nuk do të arrihet ai hop cilësor i pritshëm, absolutisht që ky do të ishte një dështim i papranueshëm për të gjithë ne, pasi si asnjëherë tjetër janë krijuar kushte për një shpërthim të bujqësisë shqiptare.

Pas atij rrënimi tragjik prej gati 20 vitesh, që kulmoi me shkatërrimin e gjithçkaje të ndërtuar për 40 vjet me mund dhe sakrifica nga i gjithë populli shqiptar, tani ka ardhur koha vërtet e një ripërtëritjeje , por një ripërtëritje të shpejtë.

Tani ka ardhur koha për t’i kthyer sytë të gjithë nga bujqësia, nga blegtoria nga peshkimi, sepse janë resurse të jashtëzakonshme për një rritje më të madhe ekonomike të vendit.

Ndaj përshëndesim shumë këtë investim që nis sot, një investim prej 15 milionë euro që do të punësojë të paktën 500 veta banorë të këtij komuniteti punëdashës.
Dëgjova me shumë vëmendje fjalën e Ambasadorit të Izraelit dhe mu kujtua ajo që po i thosha një kolegu tim, z. Petrit Vasili, një ditë që shkonim në Sarandë dhe kalonim tokave të Delvinës, toka të mrekullueshme, një pjesë e të cilave janë të pambjella, dhe po i thosha që këta të gjithë duhet t’i çojnë në Izrael të shikojnë se sa e vështirë është toka atje për të punuar, për të prodhuar, por se si ata i shërbejnë tokës dhe rezultatet që kanë për të kuptuar se çfarë pasurie ne kemi të cilën nuk po e përdorim për të mirën e vendit tonë dhe të gjithë qytetarëve tanë.

Ndaj edhe ky bashkëpunim me Izraelin, me Holandën, me vendet që janë lidere sa i takon teknologjisë në fushën e bujqësisë. Është mjaft pozitiv sepse tregon ambiciet tona për të shfrytëzuar traditën dhe përvojën, por njëkohësisht edhe për të arritur përmes teknologjive të reja të shumëfishojmë rezultatet, të eliminojmë risqet që i ka bujqësia sepse gjithmonë është thënë që bujqësia është shtëpi pa çati, por bujqësia me sera është shtëpi me çati, është prodhim i sigurt dhe jo njëherë në vit, por disa herë në vit. Ndaj dhe mbështetja e investimit , sidomos sa i takon ndërtimit të serave është dhe duhet të mbetet një prioritet i jashtëzakonshëm, sepse në këtë mënyrë ne arrijmë në një kohë të shkurtër të plotësojmë atë kërkesë në rritje që nuk e plotësojmë dot për prodhimet shqiptare, për perimet dhe për frutat tona për momentin, por edhe për prodhime të tjera të cilat po njihen dhe po kërkohen me forcë nga tregu ndërkombëtar.

Le t’i japim mbështetjen më të plotë për bujqësinë, për blegtorinë, për peshkimin sepse në këtë mënyrë kemi dhënë mbështetjen më të mençur për një rritje më të lartë ekonomike të vendit, kemi dhënë mbështetjen më të mençur për punësimin dhe për mirëqenien, jo vetëm të asaj pjese të popullsisë që jeton në zonat rurale dhe është e lidhur me bujqësinë, me blegtorinë apo me peshkimin, por kemi dhënë kontributin më të madh për të gjithë zhvillimin e vendit për ekonominë tonë mbarëkombëtare. Është e patolerueshme që ne ende të kemi një bilanc mjaft negativ të import-eksportit në fushën e bujqësisë dhe të prodhimeve ushqimore.

Ky është një bilanc që duhet përmbysur, treguesit me kaq për qind dhe me aq për qind nuk shkojnë më. Në bujqësi duhet një revolucion i vërtetë duhet një përmbysje, duhet një shumëfishim i prodhimit, duhet një mbështetje e vendosur e gjithë strukturave të shtetit për ta shfrytëzuar dhe këtë paketë fiskale plot avantazhe për bujqësinë për blegtorinë dhe për peshkimin që ne sapo kemi miratuar në parim. Kjo kërkon një shkundje totale të gjithë strukturave të Ministrisë së Bujqësisë në të gjithë vendin.

Nuk është më koha për të thënë që u kemi dhënë tokat fermerëve dhe janë të lirë të bëjnë çfarë të duan, të mbjellin çfarë të duan. Duhet t’i orientojmë, duhet t’i ndihmojmë, duhet t’i mbrojmë nga spekulantët e farave duhet t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë nga spekulantët e plehrave kimike që përdoren në bujqësi. Duhet t’i përkrahim natë e ditë sepse bujqësia nuk ka pushim. Bujqësia ka vetëm probleme, ka probleme kur ka shumë diell e ka thatësira, ka probleme kur ka shumë shi e kur ka reshje, ka probleme në dimër e ka probleme në verë. Të gjithë ata që merren me bujqësinë i dinë problemet e saj dhe është detyra e të gjithë strukturave shtetërore që merren me bujqësinë në radha të parë për të qenë në gatishmëri non-stop në këtë drejtim. Që kjo mbështetje që jep, që kjo sakrificë që bëhet të kthehet në një moment të ri për të frymëzuar të gjithë që ta duan më shumë tokën që ta duan më shumë bujqësinë sepse ajo do të jetë padyshim një instrument shuam i fuqishëm për mirëqenien dhe pasurimin e familjeve që jetojnë në zonat rurale por edhe për të forcuar ekonominë tonë kombëtare.

Njëkohësisht dua të shpreh vendosmërinë tonë si Parlament, si Kuvend, që të ndjekim implementimin e kësaj pakete dhe gjithë këtyre masave, sepse ato duhet të kenë efektivitet, duhet të kenë produktivitet dhe duhet të sjellin rezultate. Dhe jam i bindur që ne do ta kthejmë vitin 2015 pa asnjë diskutim në një vit të zhvillimit dhe të modernizimit të bujqësisë. Dhe futja e investitorëve të tillë, kaq cilësorë siç është Fondacioni Besa përmes këtij projekti mjaft serioz dhe të sigurt përbën një kontribut shumë të rëndësishëm dhe një model që duhet të shumëfishohet. Prandaj unë edhe një herë tjetër do të apeloja edhe për institucionet e tjera financiare, për të gjitha fondacionet e tjera që të investojnë drejtpërdrejtë në fushën e bujqësisë, por do të apeloja sidomos të gjithë sipërmarrësit shqiptarë të cilët deri tani janë marrë shumë me ndërtime dhe një pjesë e mirë kanë mbetur të bllokuar sepse të gjithë i dimë vështirësitë që has sot tregun i pasurisë së patundshme jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën.
Nuk ka investim më të sigurt se sa në bujqësi. Nuk ka investim më të sigurt akoma më tepër kur investon në serat në bujqësi. Prodhimet shqiptare po kërkohen me forcë jo vetëm në tregun vendas por edhe në tregun ndërkombëtar. Norma e fitimit është shumë e lartë është detyrë edhe e Ministrisë së Bujqësisë, edhe e AZHBR-së për të kontaktuar me të gjitha dhomat e tregtisë dhe të biznesit në vend për t’i informuar për leverdishmërinë e jashtëzakonshme për të investuar në bujqësi, për të investuar në blegtori.

Sepse këto investime pa asnjë diskutim do të sjellin një ndryshim cilësor për të gjithë ekonominë e vendit tonë, por edhe do të sjellin një rilulëzim të bizneseve dhe të sipërmarrjeve shqiptare duke orientuar investimet në një treg të sigurt dhe me të ardhme. Ishte kënaqësi ë morëm pjesë sot në këtë ceremoni të veçantë dhe domethënëse dhe shpresojmë që Fondacioni Besa të angazhohet dhe në projekte të tjera në fushën e bujqësisë dhe njëkohësisht këtë shembull ta ndjekin edhe institucione të tjera financiare dhe shumë sipërmarrës të tjerë në vend, pasi bujqësia pa asnjë diskutim do të jetë një sektor që do të ndikojë për të rritur prosperitetin dhe begatinë jo vetëm të kësaj zone, por të mbarë vendit tonë. – See more at: http://www.shqiptarja.com/Aktualitet/2731/metavitin-2015-e-kthejme-ne-vit-te-zhvillimit-e-modernizimit-bujqesor-253554.html#sthash.nHLPLOC0.dpuf