Meta: Tushaj do të ketë mbështetje që të mbajë të gjitha premtimet për Lezhën

400
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta së bashku ma kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj zhvilluan takime në lagjen Skënderbeg si edhe në komunën Ungrej. Fillimisht, Meta dhe Tushaj u ndalën në lagjen Skënderbe, ku zhvilluan një bashkëbisedim me banorët. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se ASHE është në drejtimin e duhur për të vazhduar me projektet e nisura dhe për transformimin rrënjësor të Lezhës. 
“Unë besoj që me Viktorin jemi në drejtimin e duhur për të vazhduar punët dhe për t’i shtuar ato, sepse edhe kërkesat dhe pritshmëritë tuaja për standardet më të mira, për shërbimet më të mira, padyshim që vijnë duke u rritur dhe ky është treguesi i zhvillimit, është tregues edhe i evropianizimit të Lezhës dhe të gjithë vendit tonë. E kemi nisur me një ritëm të ri transformimin, i cili do të përfshijë jo vetëm gjithë qytetin dhe periferitë e tij, por do të përfshijë të gjithë bashkinë e re të madhe të Lezhës. Besoj se reforma administrative territoriale që është bërë do t’i japë një frymëmarrje tjetër gjithë Lezhës, të gjithë komunitetit dhe besoj që bashkimi i gjithë këtyre resurseve natyrore, gjithë këtyre potencialeve të bujqësisë, të blegtorisë, të peshkimit, të turizmit, mundësitë gjithashtu për të realizuar zonën industriale. Viktori padyshim që do të ketë mbështetjen e qeverisë siç e ka patur gjatë këtij një viti e gjysmë ku projektet flasin vetë. Do të ketë mbështetje nga të gjithë ne në mënyrë që ai të mbajë të gjitha premtimet dhe të realizojë programin e tij gjithmonë me bashkëpunim të ngushtë dhe në interes të komunitetit tuaj”, shtoi Kryetari i LSI-së. 
Gjithashtu, z. Meta foli dhe për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm nëpërmjet një investimi prej 13 milionë eurosh, ndërsa nënvizoi se Lezha do të bëhet një qytet shumë herë më i kërkuar nga turistët për shkak të vlerave historike që ka dhe transformimit. “Zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për Lezhën që ka qenë një gangrenë e tmerrshme për të gjithë komunitetin, jo vetëm për Lezhën, por edhe për Balldrenin dhe për shumë zona të tjera, është një arritje e shkëlqyer të cilën ne do ta prekim të gjithë shumë shpejt, një investim madhor prej 13 milionë eurosh, por jam i bindur që në këtë mënyrë do të zgjidhim dhe shumë probleme të tjera. Lezha shumë shpejt do të jetë një qytet shumë herë më i kërkuar nga turistët e huaj dhe nga ato vendas, më i vizitueshëm, sepse ndryshimi i pamjes dhe të qytetit shkon në harmoni të plotë me të gjithë atë pasuri historike, muzeale, kulturore, të gjithë atë trashëgimi të jashtëzakonshme që Lezha e ka, dhe natyrisht unë besoj që Lezha është një qytet që ka një histori të lavdishme, ka dhe një të ardhme të shkëlqyer dhe në emër të kësaj të ardhme të votojmë në 21 qershor Viktor Tushajn”, – deklaroi ndër të tjerash z. Ilir Meta. 
Ndërsa, kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj foli për investimet që janë bërë deri më tani dhe që e kanë ndryshuar totalisht këtë lagje, teksa premtoi se në të ardhmen projektet që do t’i rikthejnë shkëlqimin qytetit të Lezhës do të vazhdojnë me ritme të larta. “Filluam të adresojmë vëmendjen përmes atyre projekteve të cilat sot i kanë ndryshuar pamjen kësaj lagje. Asfaltuam rrugën, ndërtuam trotuaret, një lulishte të vogël, pra ndërtuam atë infrastrukturë, që edhe pse nuk është gjithçka, besoj se kanë ndikuar në cilësinë e jetës së gjithsecilit. Në qytetin e Lezhës besoj se keni parë që kemi bërë shumë investime në shkolla, kemi rikonstruktuar të gjitha shkollat tashmë, por kemi ndërtuar edhe shkolla të reja për të bërë të mundur që të realizohet një proces mësimor edukativ cilësor dhe ashtu siç e meritojnë familjet lezhjane. Kemi adresuar vëmendje edhe në ndërtimin rrugëve, rrugicave, trotuareve, por mbi të gjitha keni parë ndërtimin e një sheshi që edhe ne si qytetarë të vjetër të këtij qyteti na bën krenar, standardi me të cilin është ndërtuar kjo shëtitore në qendër të qytetit e cila tashmë çdo ditë, çdo mbrëmje, zien nga qytetarët, nga vizitorët, nga turistët, nga fëmijët tanë dhe pikërisht kjo është arsyeja që ky shesh është ndërtuar me këto standarde”, deklaroi Tushaj.
Sigal