Meta prezanton Halilajn: Kukësi do të jetë një qendër e rëndësishme zhvillimi

378
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Kukësit, z. Hasan Halilaj.
Në këtë takim z. Meta ishte i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi si edhe nga deputetët z. Vexhi Muçmata dhe z. Ylli Shehu.
Në fjalën e tij përsa qytetarëve, kryetari i LSI-së shprehu notat më pozitive për projektin e prezantuar nga kandidati z. Halilaj duke vlerësuar edhe figurën e tij në kandidimin për kryetar të Bashkisë së Kukësit.
“Ajo që unë çmoj tek Hasani dhe që e dinë shumë mirë kuksianët dhe të gjithë shqiptarët, është që Hasan Halilaj ka ikur nga Partia Demokratike, sepse PD-ja i kërkoi që ky të bëhej pjesë e një ceremonie mashtruese, e një inaugurimi mashtrues, që të vinin këtu të prisnin shirita për ujësjellës dhe Kukësi të mos kishte ujë. Ndërkohë që për një vit rresht Hasan Halilaj ka luftuar në Ministrinë e Transportit, në qeveri, e kudo për të rishikuar projektin e ujësjellësit të Kukësit i bindur se ai projekt nuk do të sillte ujë për Kukësin dhe ishte një projekt korruptiv. Tani njerëzit janë nëpër gjyqe dhe prokurori për atë që kanë bërë duke e lënë Kukësin pa ujë edhe sot e kësaj dite”,- tha Lideri i LSI-së.
Në vijim të fjalës së tij, z. Meta theksoi se me ndarjen e re administrative tani më do të ketë më shumë mundësi për të bërë politika zhvillimi ekonomik dhe punësimi.
“Bashkia e re e Kukësit krijon mundësinë e shtimit të kapaciteteve, të mundësive, të resurseve, të instrumenteve që do të ketë kryetrari i bashkisë dhe këshilli i ri i bashkisë për të bërë politika zhvillimore dhe në radhë të parë për të hapur vende të reja pune. Dhe kjo është falë reformës administrative –territoriale. Tani krijohet mundësia për një zhvillim harmonik dhe për t’i bashkuar resurset e të gjitha njësive anembanë këtij rrethi me shumë potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim”, – tha z. Meta.
Gjithashtu, Kryetari i LSI-së u shpreh se aeroporti i Kukësit duhet të vihet sa më parë në punë pasi do të garantojë punësimin e rreth 250 kuksianëve si edhe përfitime ekonomike për bizneset e qytetit, duke shtuar se ai ka qenë ideatori i ndërtimit të aeroportit të Kukësit.
“Unë kam qenë ideatori i bërjes së aeroportit të ri të Kukësit. Tani unë e kam ëndërr që aeroporti i Kukësit të vihet në punë, që Kukësi të jetë një qendër e rëndësishme e zhvillimit. Dua të falënderoj Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Haxhinasto për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe po bën bashkë me gjithë stafin e aviacionit civil në mënyrë që ne të bëjmë shumë shpejt realitet vënien në funksionim të aeroportit të Kukësit. Që do të thotë jo vetëm 200 deri në 250 vende të reja pune, në të gjitha shërbimet që do të ofrojë ky aeroport, por që do të thotë që qindra e mijëra pasagjerë që do të vijnë nga Shqipëria e Prizreni e kudo që do të udhëtojnë përmes të aeroportit të Kukësit me çmime shumë të leverdishme, shumë të favorshme, shumë më të lira sesa udhëtojnë sot nga Tirana. Dhe kjo të thotë që Kukësi dhe do të jetë një qendër e rëndësishme zhvillimi dhe që shërbimet në Kukës do të zhvillohen në mënyrë të jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjithë njësitë e shërbimit të kenë shumë më tepër punë sesa kanë sot”, – tha z. Meta.
Duke u ndalur tek bujqësia, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se ky sektor do të jetë prioritar për Kukësin. “Unë dua t’ju siguroj që Kukësi do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke investuar dhe duke mbështetur në ngritjen e qendrave të grumbullimit por edhe të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale”,- tha z. Meta. 
Lideri i LSI-së tha ndër të tjera se kandidati z. Hasan Halilaj do të ndjekë politikat e duhura në mënyrë që të gjenerohen sa më shumë vende pune në Kukës dhe se pas datës 22 qershor do të filloi lufta kundër varfërisë pikërisht nga kjo bashki e re. “Njëkohësisht dua t’ju siguroj se me fitoren e padiskutueshme të Hasan Halilaj më 21 qershor dhe të Aleancës sonë për Shqipërinë Evropiane në Këshillin e ri të Bashkisë së Kukësit në më 22 qershor luftën kundër varfërisë dhe papunësisë do ta fillojmë nga Kukësi. Absolutisht që me politikën e re që do të ndjekë Bashkia e re e Kukësit, Hasan Halilaj, do të ketë favorizim për sa i takon heqjes së taksave vendore për një periudhë të caktuar për të gjithë ato biznese që do të hapin vende të reja pune në Kukës. Ndërkohë që kemi edhe premtimin e Ministrit të ri të Mirëqenies Sociale, z. Klosi që një pjesë e konsiderueshme e fondit kombëtar për nxitjen e punësimit, pra për të mbështetur sipërmarrësit që hapin vendet e reja të punës, do t’i dedikohet pikërisht hapjes së vendeve të reja të punës këtu në Kukës”,- tha z. Meta. 
Sigal