Meta përshëndet rezolutën e PE-së, inkurajim për thellimin e reformave

533
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta përshëndeti sot rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë duke e konsideruar atë një inkurajim për institucionet e vendit në thellimin e reformave, sidomos për realizimin e reformës në drejtësi. Në një deklaratë për mediat kryeparlamentari vlerësoi dhe mesazhet e marra nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Uashington, të cilat tha ai gjithashtu janë një thirrje për thellimin e reformave, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
“Përshëndes miratimin e rezolutës për Shqipërinë nga PE dhe falenderoj në mënyrë të veçantë reporterët për Shqipërinë në PE, Flankeshtain dhe Kukan për rolin konstruktiv dhe mbështetjen e dhënë. Kjo rezulotë njeh progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në kuadër të reformave dhe pesë prioriteteve kyçe. Rezoluta është një inkurajim për Kuvendin, Qeverinë dhe gjithë institucionet për të vazhduar dhe thelluar reformat dhe për të përmbushur pa vonesë miratimin e reformës në drejtësi”, deklaroi kryetari Meta.
Është përgjegjësia e jonë ta lexojmë në mënyrën e duhur rezolutën, e cila, theksi ai, duhet të na shërbejë si një udhërrefyes dhe të na bashkojë për çuarjen përpara të tyre reformave. Gjithashtu theksoi Kreu i Kuvendit ajo është një thirrje për të lënë mënjanë diferencat dhe retorikën e panevojshme dhe për t’u përqëndruar në prioritetet madhore të vendit. I pyetur për kritikat e raportit të DASH për Shqipërinë Meta tha se çdo kritikë e sugjerim do të lexohet me vëmendje dhe besoj se thellimi i reformave do të ndihmojë për të adresuar të gjitha këto shqetësime të raportit të Departamentit të Shtetit.
Sa i takon funksionimit të koalicionit qeverisës PS-LSI, Kreu i Kuvendit pohoi se ai funksionon shumë normalisht dhe në mënyrë shumë demokratike. Kryeparlamentari përshëndeti gjithashtu vendimin e sotëm të Partisë Demokratike për dhënien fund të marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin. “Kjo do të shërbejë si një premisë pozitive për t’iu bashkuar reformave me ritmin e duhur”, deklaroi Meta.
Sigal