Meta: LSI, në rritje eksponenciale,kemi rininë e Shqipërisë me vete

507
Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në emisioni “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan

Z. Meta, jeni kthyer në një farë mënyre, nga President i zgjedhur në startin e fushatës, për arsye se goditjet më të mëdha kanë ardhur ndaj jush dhe kundërgoditjet më të mëdha i keni dhënë pikërisht ju. Çfarë ndodhi mes jush dhe Ramës? Megjithëse duhet thënë që këto dy ditët e fundit ju kam parë disi më të qetë, më të relaksuar. Duket sikur po ja bëni pak me sy njëri – tjetrit… Çfarë ndodhi? Ç’ishte gjithë kjo dashuri që u tret në pak ditë?

Unë e kuptoj që ju doni që të ndizen akoma më tej motorët e debatit, është normale. Kam dy javë, meqenëse jemi akuzuar nga ish-bashkëkryetari i koalicionit dhe kreu i rilindjes, për përgjegjësitë që kemi pasur, unë i kam thënë: hajde dalin në debat, kudo, tek ju, në çdo studio që të dojë ai, me marrëveshjen e koalicionit që kemi pasur, që kemi firmosur dhe le të bëjmë një transparencë para të gjithëve, para Partisë Socialiste, para LSI-së, para publikut, para qytetarëve. Çfarë faji ka Petrit Vasili, që i kërkon të dy kandidatët e tjera të dalin në një debat dhe ata nuk pranojnë? Pra, dikush ka faj për këtë mungesë transparence.

Z. Meta, prapë nuk ma sqaruat çfarë ndodhi mes jush dhe z. Rama… Tre herë jeni pajtuar, tre herë i keni kërkuar falje njëri – tjetrit…

Në radhë të parë, unë nuk i kam kërkuar falje…

Po Rama ju ka kërkuar?
Rama ka kërkuar dhe do kërkojë prapë. Nuk e di a do pranojë faljen Petrit Vasili.

E paskeni mbyllur diçka…

I ka mbyllur ai me LSI-në dhe LSI-a e ka mbyllur me të, kështu që në rregull janë. E ka mbyllur Rama ka thënë me LSI-në s’ka. LSI-a ka thënë: me Ramën s’ka, por me PS-në jemi të hapur.

Ç’do me thënë që me Ramën s’ka kurse me PS-në jemi të hapur?
Po, sepse ai ka thënë që do japë dorëheqje nëse ai nuk fiton, nuk do fitojë, do japë dorëheqjen.

Z. Meta, Rama ka thënë që ju keni menduar më shumë tepsinë, më shumë e keni pasur dorën në tepsinë e pushtetit, sesa në qeverisje…

Tepsinë e parë e kam dëgjuar nga Rama. Tani e kam të qartë se si e ka konceptuar ai përgjegjësinë e qeverisjes si një tepsi. Nuk ka asnjë problem midis Ramës dhe LSI-së. As midis Ramës dhe Metës. Ka vetëm një problem midis Ramës dhe demokracisë, midis Ramës dhe votës së lirë, midis Ramës dhe mendimit kritik, midis Ramës dhe transparencës, midis Ramës dhe debatit, debati me kundërshtarët, debati me partnerët. Unë sa kohë ka qenë z. Basha në çadër kam thënë: për drogën ka të drejtë dhe e kemi thënë çështjen e drogës edhe përpara z. Basha. Për dekriminalizimin ka të drejtë, për ato çështjet e tjera si votimi elektronik, numërim elektronik, etj., janë të pamundura. Qeveri besimi hajde të bëjmë, LSI i lë të gjitha mandatet e veta që të krijohet një qeveri besimi për zgjedhjet.

A keni biseduar ndonjëherë me z. Rama për këtë çështjen e tepsisë së pushtetit z. Meta? E keni ndarë ju pushtetin, domethënë më jep këtë ministri që ka para, apo këtë ministri që ka favore

Ilir Meta ka qenë ekstremisht tolerant me Ramën, kjo është një nga përgjegjësitë e ti kryesore sot. Së dyti, LSI me PS-në ka pasur shumë më pak përgjegjësi apo pushtet nga sa kishte me PD-në sa i takon edhe peshës në ekzekutiv, duke pasur parasysh strukturën e qeverisë, por edhe faktin që LSI ishte më pak faktor përcaktues me PD-në se sa me PS-në. Tjetra, Rama ka marrë të gjitha përgjegjësitë e qeverisë, ka pasur timonin vetë me gjithë Zv.Kryeministrin, i cili natyrisht ka një rol të rëndësishëm dhe drejtues në qeveri, me të gjithë aparatin e Kryeministrisë që ka një rol mjaft të rëndësishëm në të gjithë përpunimin e prioriteteve të qeverisë të investimeve, etj. Dhe ajo që mund t’ju them sot, duke qenë se e ka të vështirë që të dali me një bilanc, shpik tepsinë dhe si gjithmonë i faturon dështimet te të tjerët. Një fakt do t’ju them, është shtuar borxhi me një miliardë euro në katër vet dhe rritja ekonomike e akumuluar është 900 milionë euro, që do të thotë që për një euro borxh rritja ekonomike është 0.9 euro. Pse? Sepse ka qenë vizioni i munguar i Kryeministrit, por vizioni ende i një kryetari bashkie që merr borxh dhe harxhon energjitë më të mëdha dhe buxhetin më të madh për lulishte pr fasada për palma, për kullën e Korçës, që nuk i duhet Korçës. Për betonin e Durrësit që po varros një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike e kështu me radhë. Kështu që ai e ka të vështirë tani të dalë me një bilanc konkret, se për çfarë e ka penguar LSI-ja nuk e di. E ka penguar LSI për të luftuar drogën? Përgjegjësitë qoftë për probleme të sigurisë kombëtare ai i ka pasur.

A e keni penguar ju për legalizimet, a e keni penguar ju për hipotekat?
ALUIZNI-n e ka pasur Edi Rama, hipotekën e Tiranës e ka pasur Rama, atë të Durrësit po, hipotekën e Vlorës po Rama, hipotekën e Beratit, pra 80% të hipotekave. Ai shkoi në Vorë dhe ju thotë qytetarëve atje që: “juve ju është penguar hipotekimi i shtëpive se e ka pasur LSI-ja në dorë”. Në fakt, e ka pasur PS-ja dhe vetë z. Rama në dorë.

Z. Rama lexoi një listë që kishte punësuar kryetari i Bashkisë Delvinë, ku ishin kushërinj të tij dhe militantë…
Mendoj që e mori një përgjigje për atë çështje. Por të fillojmë me kushërinjtë, ajo punë fillon që nga qeveria dhe nuk i dihet se ku i mbaron. Por nuk jemi këtu për të marrë njerëz nëpër gojë, jemi këtu për të treguar që qeverisja nuk mund të jetë më një auto-shkollë, që t’i japim edhe katër vjet tani që të na e bëjë shëndetësinë falas, meqë nuk e bëri në këto katër vjet.

Po ju pse qëndruat në qeveri, kur ai e mbushi vendin me drogë siç keni thënë, kur dështuat me reformën në shëndetësi. Si mund ta thoni ju këtë dhe të jeni akoma në qeveri me një njeri që mbolli vendin me drogë, që dështoi në koncesione, i bëri ato klienteliste?
Kur hyri Luli në qeveri tani në fund fare, ne nuk kishim pse të iknim. Vetëm për të garantuar zgjedhjet nuk u bë ajo marrëveshje. E gjithë marrëveshje është kundër zgjedhjeve. Është kundër kodit zgjedhor, është kundër të gjithë partive të tjera.

Sipas tyre është kundër blerjes së votës, që ata pretendojnë se e bën në mënyrën më të mirë LSI-ja dhe PDIU-ja…

Tani ky është një mjerim i madh i tyre, sepse e gjithë vuajtja e tyre, i gjithë shqetësimi i tyre është që morën dy parti historike, dy parti me një trashëgimi pozitive në përgjithësi, pavarësisht nga përgjegjësitë që kanë pasur sepse unë kam qenë edhe në PS, por edhe PD ka pasur një trashëgimi shumë pozitive. I morën të dy dhuratë, të dy erdhën me lugë në brez, tani nuk drejtojnë dot në mënyrë demokratike, të dy e treguan. Edhe ky tjetri e tregoi, bëri një marrëveshje me Ramën për të hequr qafe të gjitha figurat e PD-së. Kjo ishte republika e re. Ata shqetësohen si rritet LSI-ja dhe pse rritet LSI-jam, por LSI-ja rritet se ka rininë e Shqipërisë me vete. Kjo është mjaft evidente.

Sa vota dhe sa mandate do të marrë LSI-ja?
Nuk numërohen, ajo që mund t’ju them është që LSI do të jetë forcë e parë. Kjo është ajo që i ka bashkuar, halli i ka bashkuar ata. Sepse LSI ka një rritje eksponenciale, LSI-ja nuk ka gënjyer njeri, ka marrë përgjegjësitë e saj për ato përgjegjësi që ka pasur. LSI ka qenë një garanci për stabilitetin e mazhorancës dhe për funksionimin e saj. Por LSI nuk ka pasur drejtimin e qeverisë. Kjo është shumë e vërtetë dhe kjo është arsyeja pse LSI-ja ka të drejtë të premtojë një drejtim të ri. Një drejtim që është përqendruar te ekonomia, te hapja e vendeve të reja të punës, një drejti që financon bujqësinë, që financon turizmin, ku do të përfitojnë shumë njerëz.

Z. Rama ka shprehur pakënaqësi për mënyrën si e keni ndikuar administratën.

Z. Rama flet për administratën. E ka pasur gjithë drejtimin e administratës, që nga drejtoresha e DAP dhe gjithë komisionet e përzgjedhjes së DAP-it. Gjithçka e ka patur ai! Nëse ka patur probleme, përgjegjësinë e ka ai.

A po e dëmton Ilir Meta Partinë Socialiste?
Edi Rama ka thënë që çdo gjë fillon me Rilindjen. Asgjë s’është bërë në këto 27 vjet. As në vitet kur drejtonin socialistët. Ç’mund t’i bëj Ilir Meta më shumë Partisë Socialiste nga ç’po i bën Edi Rama?

A do të ketë një mundësi tjetër nga LSI për z. Rama nga LSI?
Z. Rama shqiptarët e votuan. E pati mbështetjen dhe shohin se si ai nuk pranon asnjë dështim, e shohin ç’inkoherencë të frikshme ka me ato që ka thënë më para dhe thotë tani. Nuk kemi mundësi as të bëjmë analizë, sepse kontradiktat që ai prodhon çdo ditë me vetveten janë të tilla që nuk ka shqiptar më që të imagjinojë të hipi fëmijën e vetë në një autobus me shofer Edi Ramën. Shqiptarët e panë, që edhe pse me LSI-në, dy tre herë për pak e çoi vendin në greminë. Edhe me reformën në drejtësi, edhe me zgjedhjet që do t’i bënte pa opozitën.

Çfarë nuk shkoi mes jush?
Premtoi që nuk do bënte koncesionet që bënte Saliu. Na akuzon që bëmë një projektligj që i themi të bëjmë diçka transparente e të mos bëjmë atë që bënte Saliu, në përputhje me marrëveshjen e Shkodrës.

Nuk do të ketë riafrim pas zgjedhjeve, si ka ndodhur edhe më parë?
Nuk ndodh më kjo gjë. Nuk e besoj. Për arsye sepse nuk kam gjë personale me Edi Ramën. E kam thënë dhe më parë. Për 2009, për 2011-n, orkestrimin e Edi Ramës, unë nuk do kisha bërë kurrë marrëveshje me të. Si kryetar i Partisë Socialiste i kemi dhënë një mundësi dhe një shans. Ai marrëveshjen e ka shkelur.

Më parë z. Rama ju cilësonte partner strategjik.
Flet gjoja për partner strategjik, gjithmonë ka patur vetëm një qëllim strategjik: t’i kapë të gjitha pushtetet në dorën e tij dhe të eliminojë çdo mundësi demokratike për vendin

Si shkuat drejt presidencës, pa qenë kurrë të artikuluar publikisht për të?
Si kryetar i LSI-së që isha do të dilja në emër të LSI-së, me programin e LSI-së të qeverisë për katër vitet që vijnë. Së dyti, kriza e zgjedhjeve solli një situatë të paparashikueshme. Në këto kushte, kur opozita dukej e pamundur për t’u përfshirë në procesin e zgjedhjeve, pavarësisht përpjekjeve të mia për ta përfshirë dhe përpjekjeve të Edi Ramës për ta shtyrë dhe për të mos e përfshirë, dhe pas insistimit tim që opozita kishte mundësi vetë të merrte presidentin si mundësi e garanci dhe mirëbesim për procesin, ishim në një situatë të tillë ku vendi rrezikonte zgjedhjet pa opozitën dhe kuptohet që një parlament i tillë do ishte i kontestuar, një qeveri e tillë do ishte e kontestuar dhe nëse presidenti nuk do zgjidhej nga ky parlament legjitim, do të kishte dhe ai problemet e tij të legjitimitetit nëse do i lihej parlamentit të ardhshëm. Ishte zgjidhje e parakohshme, por në funksion të stabilitetit të një institucioni. Mos mendoni që ky veprim nuk ndihmoi për të ardhur te një zgjidhje për përfshirjen e opozitës.

Ka kontradiktë mes zgjedhjes tuaj president dhe pozicionit që keni marrë në këtë fushatë?
Në këtë fushatë, pas zgjidhjes si president, nuk më pengonte të rrija kryetar i LSI dhe të kisha edhe emrin në listë. Në katër vitet e ardhshme nuk mund të bëja premtime të karakterit ekzekutiv, mora këtë pozicion që thjesht të përkrah LSI-në, sidomos kandidatët e rinj dhe të reja në këto zgjedhje. Kjo do ndodhte nëse z. Rama dhe Basha do të bënin një marrëveshje për zgjedhjet. Ata bënë marrëveshje kundër zgjedhje. Ata bënë task-forcën. Pa asnjë ministër të LSI. Qoftë edhe ministrin e Integrimit Evropian, ku zgjedhjet dhe reforma në administratë publike janë çështje e rëndësishme. Për të vazhduar më tej me atë fushatë të pandershme që synon të mos votohet për partitë e tjera.

Pse kjo paqëndrueshmëri ne raport me z. Rama?
Ka paqëndrueshmëri me vete. Kjo sjellje e z. Rama është përsëritje e sjelljes së tij 2005-2009, ndaj s’do të ketë një të tretë. Në 2005 dëshironte humbjen e ish-kryetarit të PS dhe e fajësonte si fajtor të mosbashkimit me LSI. Bëri platformën e bashkimit për të marrë bashkinë e Tiranës në 2007-n. Sapo e mori bashkinë punoi si ta zhdukte këtë partner. Pas momentit të vështirë të Berishës me Gërdecin në 2008-n, e shfrytëzoi për të na sjellë këtë problem me parlamentarizmin dhe Kushtetutën. U përbetua që kishte vënë mend. U bë marrëveshje që dy vitet e para funksionoi. Pse? Sepse kishte sërish problemin e zgjedhjeve lokale. Qytetarët janë të lodhur. Jeta nuk është kaq e gjatë sa t’i japim gjithmonë shanse Edi Ramës. Tani është koha për shanse për të gjithë.

Pse nuk e donit ju koalicionin me PS?
Kishim marrëveshje katërvjeçare. Kemi kërkuar ta analizojmë çfarë arritëm prej saj. Debatet nuk na mungonin për prioritetin e buxhetit të shtetit, investimet etj. Asnjëherë s’ka patur ftesë serioze për koalicion dhe asnjëherë s’është pranuar kërkesa jonë për t’u ulur për të bërë bilancet.

Pse duhet të jetë kjo lloj përplasjeje ndërkohë që u plotësuan ato që ju donit?
Kemi një agresion të z. Rama dhe të PS-së ndaj LSI-së, ndaj zgjedhjeve të lira, ndaj të gjitha forcave të tjera politike. Që nga krijimi i një task-force që merr vendime të paligjshme, që shkatërron reformën në administratë dhe statusin e nëpunësit civil. Që nga përdorimi i policisë dhe bandave. Rastet e dhunës e shumë e shumë gjërave të tjera. Edhe veprimi i paligjshëm i KQZ-së ishte në këtë drejtim. Sepse Rama dhe Basha donin të jepnin një mesazh që mos votoni për LSI-në se ajo nuk do të ketë numërues. Do të kishte qenë një situatë shumë e qetë dhe normale nëse do të ishte përqendruar gjithçka tek programi, prioritetet, shëndetësia, punësimi etj.

LSI do të votohet për taksat më të ulëta, për prioritetet që ka përzgjedhur, për bujqësinë, për turizmin, për shërbimet dhe teknologjinë, në mënyrë që të krijohen vende të reja pune.

Ka pasur disa incidente ndaj militantëve të LSI-së gjatë ditëve të fundit. Sa e rënduar është situata në terren sipas jush? Sa rrezikojmë që bandat dhe paratë e krimit të ndikojë te këto zgjedhje?
Ka një platformë dhune të Rilindjes. Të gjitha këto që ndodhin janë presione që bëhen nga lart. E gjitha është një platformë dhune dhe presioni, që nga shkarkimet nga puna, që nga dhuna fizike, që nga mosveprimi i Policisë e shumë veprime te tjera që janë qartazi një platformë dhune dhe presioni. Kjo ka për të dështuar sepse këtu nuk kemi të bëjmë një forcë politike që i trembet presionit dhe konfrontimi kur bëhet fjala për një çështje të drejtë apo madhore, siç është çështja e zgjedhjeve. Dhe nuk kemi të bëjmë as me popull dhe qytetarë që nuk e kuptojnë se pse po bëhen këto akte dhe këto presione.

Do të dështojë kjo metodë sepse përdorimi i këtij arsenali është një dështim. Një njeri që mendon se ka drejtuar mirë e që meriton votën e qytetarëve shqiptarë nuk ka arsye që t’u bëjë thirrje policëve të mbledhin vota pas orës 16:00, kjo është e tmerrshme.

Fakti që Rama ka në platformë për të dëmtuar zgjedhjet, ju keni fakte apo po bëni një analizë?
Janë fakte, patjetër që standardi është cenuar. Do të vlerësojmë ditën e hënë.

Si e vlerësoni reagimin e Ministrit të Brendshëm te “Zëri i Amerikës” për incidentet e fushatës elektorale?
Ministri pa drejtorin e përgjithshëm të policisë ka një punë shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur për të bërë. Është një situatë kritike, sepse është e qartë se segmente të caktuara të policisë janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në gjithë Shqipërinë. Dhe këta që janë të implikuar ndihen të rrezikuar dhe natyrisht ata ndihen të detyruar edhe për t’u përdorur për zgjedhjet. Problemi kryesor i z. Basha është se ai duhet të insistonte te çështja e drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe disa drejtuesve të policisë në qarqe që të ishin njerëz profesionistë të mos kishin ngarkesa apo komplekse të tilla, që mund t’i bënin ata të pafuqishëm për të bërë detyrën dhe për të zbatuar ligjin. Sepse policia ka përgjegjësi edhe kur bashkëpunon me kriminelin, por ka përgjegjësi edhe kur bën sikur nuk e shikon kriminelin.

Ju përmendët sot në Berat oligarkët, që e kanë ndërruar vedin në një El Dorado për veten dhe drejtuesit e Rilindjes. A është përgjegjësi e oligarkëve apo e drejtuesit të qeverisë kjo lloj bashkëjetese mes tyre? A keni ndërmend të nxirrni emra kush janë këto oligarkëve? 
Po të shikoni listën e koncesioneve do ta kuptoni se kush janë. Z. Rama për fat të keq edhe z. Basha, ndonëse edhe ai flet ndonjëherë kundër oligarkisë, nuk arrijnë dot të ndjekin dhe të zhvillojnë politika transparente në interes të gjerë të publikut. Përmenda rastin e koncesioneve sepse kemi të bëjmë me burime natyrore të vendit, me shërbimet publike, pasuritë tokësore e nëntokësore, sa e ka akuzuar z. Rama dikur z. Berisha për koncesionet dhe për një pjesë ka pasur të drejtë, por më pas ka bërë vetë një hata me koncesione që nuk kanë asnjë lloj produktiviteti në vlerësimin tim. LSI prej dy vitesh ka paraqitur një nismë ligjore për koncensionet, që të jepen në mënyrë transparente dhe që çdo koncension të kalojë në Parlament në mënyrë që edhe administrata t’i bëjë shqyrtimet me përgjegjshmëri jashtë çdo lloj klientelizmi apo presioni për të firmosur çfarë kërkon ministri apo kryeministri. Të jenë të bindur edhe grupet e interesit dhe të gjithë që ky është një koncension në interes të publikut, që të prodhojë vende pune, mirëqenie, shërbime më të mira dhe do të forcojë interesin publik. Kjo nismë e jona ligjore nuk ka gjetur mbështetje as nga opozita.
Sigal