Meta: Fokusi i punës së Kuvendit krijimi i dialogut

413
Sigal

Kryetari i Kuvendit priti dje Eurodeputetët Anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje Eurodeputetët Anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri të kryesuar nga z. Eduard Kukan.

Z. Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë dhe theksoi se integrimi evropian do të jetë prioriteti parësor i të gjitha institucioneve shqiptare.

Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se fokusi i punës së Kuvendit do të jetë krijimi i një dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv, përmes gjithëpërfshirjes dhe konsultimeve të hapura më të gjithë aktorët parlamentarë, institucionet e pavarura, shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Eurodeputeti Eduard Kukan, duke mirëpritur rekomandimet pozitive të Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, nënvizoi se puna e politikës shqiptare duhet përqendruar në ruajtjen e këtij momenti pozitiv në interes të vendit. Në këtë kontekst, z. Kukan vuri në dukje rëndësinë e veçantë të Parlamentit si institucioni ku zhvillohet dialogu politik mes palëve.

Në përfundim, Z. Meta iu përgjigj interesit dhe pyetjeve të anëtarëve të tjerë të delegacionit.