Mësuesit protestë para MAS: Na jepni shpërblimet ose kalojmë në grevë

500
Sigal

Ditën sotme
mësues nga i gjithë vendi janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit duke
protestuar për të drejtat e tyre. Pas kërkesës së sindikalistëve për takim me
ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, për të diskutuar për problemet që kanë
arsimtarët, takimi i cili nuk u realizua, ata kanë zhvilluar protestën e parë
ditën e sotme në orën 14:00.

Në kërkesat e saj, Sindikata e
Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, (SPASH) kërkon respektimin e normës mësimore
dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të
arsimtarëve, duke i llogaritur distancën nga vendi i punës, si dhe shpërblimin e
fundvitit prej 10 mijë lekësh.

Pasi i kanë paraqitur këto 4
kërkesa për Ministrinë e Arsimit, mësuesit thonë se do ta zgjerojnë protestën
në të gjithë Shqipërinë, ndërsa paralajmërojnë se të martën do të zhvillojnë
një grevë njëorëshe, e më pas grevë pa afat, nëse kërkesat e tyre nuk
plotësohen.

“Rritja e pagës 10% është thërrime
krahasuar me mungesën e rritjes së pagës për 4 vite. Po nëpërkëmbni të drejtat
tona. Ky është viti i dramave sociale. Na detyruat të vijmë në këtë protestë që
do e zgjerojmë në gjithë Shqipërinë. Të martën do mbajmë greve njëorëshe dhe do
vijomë më pas grevë pa afat, nëse kërkesat tona nuk plotësohen.. Vendosni
dialogun me ne, se kemi dy vite që nuk komunikojmë. Nuk dimë si e zgjodhët
mësuesit ekselentë fshehtas në çdo shkollë. Kërkojmë të paguhemi sipas
kontratës kolektive të nënshkruar.

Duam të dimë ku shkuan paratë për 4
vite, ku u grabitën? Në cilat xhepa qeveritarësh shkuan? Sqaroni përfaqësuesit
e Sindikatës së Arsimit. Na lini takim të na sqaroni”, thanë mësuesit gjatë
protestës.

Mësohet se 820 mësues të Librazhdit nuk kanë marre ende rrogën e muajit nëntor.

KËRKESAT E SINDIKATËS SË ARSIMIT

1. Pagesën e transportit të mësuesve, duke
llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku
ata banojnë.

2. Pagesën e orëve mbi normë, pagesën e provimeve të fundit të maturës
shtetërore dhe provimeve të lirimit për të gjithë mësuesit.

3. Shpërblimin prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit, si detyrim
ligjor që rrjedh nga Kodi i Punës, neni 114 pika 2 dhe neni 10.11 i Kontratës
Kolektive të Punës.