Mësueset e Qarkut të Fierit, robër të presioneve politike

    450
    Sigal

    FIER/Ja si masakrohet arsimi publik nga emërimet partiake dhe nepotike. Miranda Bullapi  duhet çuar para drejtësisë

    E martë, 8 tetor, në oborrin e në korridoret e Drejtorisë Arsimore rajonale të Fierit, ndeshim shumë mësues, që presin me durim të takojnë dikë për hallin që i ka zënë. Të tjerë, mësues pyesin, ku mund të dorëzojnë dokumentet për të kërkuar një vend pune në arsim. Në tavolinat e bar-kafe që është në oborrin e Drejtorisë Arsimore Rajonale, takojmë dy mësuese që, siç na thonë, kanë qenë në emigrim dhe tashmë janë kthyer e kërkojnë që të punësohen në arsim.

    – Do të dorëzoni edhe ju dokumentet?- i pyes nga kureshtja.

    – Po ju?- ma kthejnë disi me njëfarë hezitimi, dyshimi nga mosnjohja.

    – Edhe unë pres të takoj drejtoreshën,  u them, duke  pritur reagimin e  dy mësuesve që ishin kthyer nga emigrimi dhe kanë ardhur për të dorëzuar dokumentet për një vend pune.

    – Drejtoreshën e keni në bar-kafe, jeni me fat,- më thotë njëra nga mësueset dhe më dëfton se cila ishte, ngaqë unë nuk e njihja.  Në këndin e bar-kafesë, në të majtë sa hyn, drejtoresha pinte e bashkëbisedonte në shoqëri të pesë personave, kafenë e mëngjesit, edhe pse ora ishte 11. Kryetari i Bashkisë të Roskovecit (nuk e njihja, por nga kureshtja e mësova më vonë), tregonte mes gëzimit, sesi kishte siguruar një fond prej 2 miliardë lekësh, për të bërë rrugën e re, si edhe restaurimin e shkollës. Madje Kryetari i Bashkisë së Roskovecit, e dëfton bukur, si barcoletë, që shkolla edhe pse është në një pjesë të saj në ndërtim e sipër, mësimi vazhdon në pjesën tjetër të saj. Siç, kuptova nga tregimi, nxënësit bëjnë mësim në të njëjtën godinë shkolle, që një pjesë e saj edhe ndërtohet paralelisht. Kjo nuk shqetëson kurrfarë as drejtoreshën e Arsimit Rajonal, por edhe as të pranishmit e tjerë,  në  tavolinën e bar-kafesë, që janë punonjës të kësaj drejtorie. Jo për gjë, por janë kushtet e sigurisë teknike në ndërtim ato që duhen respektuar në mënyrë që mësimi në shkollë të mos kthehet në tragjedi sikurse ndodhi para disa vitesh në shkollat e Tiranës, ku ra suvaja e tavanit dhe u plagosën disa nxënës. Në një çast, Kryetari i Bashkisë së Roskovecit, Gëzim Çaushi, bisedon me drejtoreshën e Arsimit Rajonal të Fierit, zonjën Mirela Bullapi për një mësuese të anglishtes, që e kanë hequr nga një shkollë, e kanë sjellë në shkollën e Roskovecit, por ajo nuk pranon. Kryetari i Bashkisë, Gëzim Çaushi, në mirëbesim i thotë drejtoreshë Mirela Bullapi, që nuk është nga tanët, demokratët dhe si mësuese bën naze, që nuk pranon të punojë. Madje, duke vazhduar tregimin e vet, Kryetari, me vetëmburrjen që nuk e fshihte në zërin e tij, i thotë drejtoreshës së Arsimit Rajonal, që mësuesja nuk e kupton, që emrin e saj e ka të shkruar në defterë me laps dhe ne (për veten e për bashkëbiseduesen e tij) ia fshijmë kur të duam, emrin nga lista e punës.

    – Lëreni, të mos pranojë, derisa nuk është nga tanët,- thotë drejtoresha e Arsimit Rajonal të Fierit, Mirela Bullapi.

    – Kryetari i Bashkisë të Roskovecit, i thotë drejtoreshë Mirelës, që mësuesja është këtu. Një nga të pranishmit ngrihet dhe thërret mësuesen. Mësuesja, një vajzë e re hyn me druajtje në bar-kafe. Kryetari i Bashkisë të Roskovecit  i prezanton mësueses së re drejtoreshën e Arsimit Rajonal.

    – Përse ti nuk pranon që të fillosh mësimet në shkollën e Roskovecit?- e pyet drejtoresha e Arsimit Rajonal, Mirela Bullapi mësuesen e re.

    – Nuk pranoj, se në këtë shkollë do të jap orë më pak dhe nuk më plotësohet rroga.

    – Të pranosh, se nuk ka tjetër punë,- i thotë drejtoreshë Mirela mësueses.- Të tjerat lutin që të japin edhe një orë mësimi në arsimin publik, e ti bën naze.

    – Unë në fshatin tim, Ngjeqar, kam 5 vjet që punoj, përse të më heqin tani mua, kur fillova edhe një javë shkollë, e të çojnë një tjetër?

    – Nuk ke punë tjetër, fillo ku të thotë Kryetari i Bashkisë,- i thotë prerë drejtoresha.

    – E shikon, që nuk pranon vetë mësuesja që të punojë?- thotë ndërkohë Kryetari i Bashkisë të Roskovecit, Gëzim Çaushi.

    – Nuk mund të pranoj të punoj me orë të pakta, kur unë kam 5 vjet që punoj rregullisht në fshatin tim,- kundërshton sërish mësuesja e re.

    – Mirë, është puna jote që të mos pranosh të punosh ku të thotë Kryetari i Bashkisë, mund të largohesh,- ia kthen drejtoresha Mirela Bullapi.  Mësuesja e re ikën jashtë bar-kafesë, ndërsa Kryetari i Bashkisë së Roskovecit, në intimitet, i thotë drejtoreshës së Arsimit Rajonal, që do të shkojë edhe në Ministrinë e Arsimit, po sot, të takojë mikun, për bisedën që kanë bërë. Drejtoresha miraton me kokë, duke lënë të kuptohet që kishin bërë bisedën më parë. Më tej, kryetari i Bashkisë të Roskovecit thotë ( me vetëkënaqësi)  që Roskoveci është i vetmi rast, ku 100 % fitojnë demokratët çdo herë, ndaj duhet që të përkujdesen të punësojnë të gjithë militantët.  Drejtorja e Arsimit Rajonal e “shqyrtoi” ankesën e mësuese së pushuar në bar-kafe, me “komisionin” e bashkëbiseduesve të kafesë së mëngjesit dhe vendimi ( sot për sot) është që mësuesja të detyrohet të pranojë kushtet që i paracaktojnë. Ndryshe, është e përjashtuar nga mësimdhënia.   Mësuesja, që Kryetari i Bashkisë së Roskovecit, Gëzim Çaushi e ballafaqoi me drejtoreshën e Arsimit Rajonal të Fierit, Mirela Bullapi, është  larguar nga shkolla e Ngjeqarit me urdhër të Kryetarit të Komunës të Kurjanit, zotit Ilir, dhe në vendin e saj ka vajtur një tjetër mësuese, që është militante partie, edhe pse  mësuesja  filloi të punonte  një javë në këtë vit të ri arsimor. Ka 5 vjet që punon në këtë shkollë. Nuk ka marrë asnjë herë vërejtje për cilësinë e mësimdhënies së saj. Nuk ka asnjë motiv që të justifikojë largimin e saj nga shkolla dhe marrjen në punë të një mësueseje tjetër. Mirëpo, Kryetari i Komunës së Kurjanit, e largon, për të sjellë militantët e njerëzit e tij në shkollë dhe duke qenë se kryetari i Komunës së Kurjanit është kushëri me  kryetarin e Bashkisë të Roskovecit, gjoja e çojnë mësuesen të punojë në Roskovec, me orë të pakta pune. Mësuesja në fjalë edhe pse ka 5 vjet që punon në arsim, akoma nuk ka mundur që të marrë vendimin e emërimit, edhe pse kjo i është premtuar çdo vit nga drejtuesit, që do t’ja japin në bazë të ligjit. Mosdhënia e vendimit, edhe pse mësuesja i plotëson kushtet, është një truk i drejtuesve, qoftë të Drejtorisë së Arsimit Rajonal, qoftë edhe të pushtetit vendor, që të mbajnë peng çdo mësues për vendin e punës. Nga ana tjetër, vetëm me këtë metodë, drejtuesit e administratës publike në arsim, por edhe drejtuesit e pushtetit vendor, sigurojnë një vend të lirë pune, për njerëzit e tyre në çdo kohë që të duan ata. Vetëm kjo logjikë, mund të shpjegojë që, ndonëse mësuesja fillon një javë punën në shkollën e Ngjeqarit, pushohet nga puna dhe në vend të saj emërojnë kë të duan drejtuesit. Madje, nga reportazhi ynë, mësojmë që në shkollën e Ngjeqarit, ka 3 mësues të histori-gjeografisë, që u është dhënë vendimi i emërimit dhe japin mësimet e lëndëve të tjera, kur, ndërkohë, drejtuesit e Arsimit Rajonal të Fierit nuk duan që të pranojnë mësuesit e lëndëve përkatëse. Kjo mund të shpjegohet se 3 mësuesit e histori-gjeografisë, që kanë marrë vendimin, plotësojnë kriterin më themelor të pranimit në punë në shkollë. Atë të militantit partiak, ose të njerëzve të afërt të drejtuesve. Ose, tjetra, dhe më e rëndësishmja. Mbase, për të vazhduar punën, pavarësisht se japin mësim edhe lëndët që nuk i kanë mësuar kurrë ata vetë, kanë dhënë  besnikërinë partiake ose “tarifën” tek  drejtuesit  që kanë në dorë emërimet në shkolla.  Presim me shpresë, se mos na marrin prapë në punë. Po të nxjerrim emrin, ju duhet ta dini, që drejtuesit janë shumë inatçinj, e nuk na marrin kurrë në punë- na thanë mësuesit që sorollaten. Ata  lutin ditë pas dite dhe  javë të tëra drejtuesit e Arsimit Rajonal të Fierit, për t’u rikthyer sërish në punë si mësues. Ndoshta kjo marrëzi që po politizon arsimin shqiptar po na kthen si në kohën e diktaturës,  ku mësuesit duhet të ishin ushtarët  e politikës dhe përçuesit e teorive marksiste dhe Enveriste në shkollë. E vetmja rrugë që u mbetet mësuesve të gjorë është të vetëflijohen dhe të pasojnë veprimin e ish-të burgosurve politikë, deri në vetëflijim, si ai i Gjergj Ndrecës që u dogj me benzinë. Dhe atëherë do të duhet që ambasadori i shtetit më mik dhe më demokratik në botë, ai i SHBA-ve, Arvizu duhet të shpërngulet dhe të shkojë të qajë hallet e mësuesve të Fierit, sepse drejtoresha Miranda Bullapi është kthyer në një militante partie, duke harruar se paga e saj dhe e nëpunësve të arsimit paguhen jo nga partia lokale dhe ajo në pushtet, por nga taksapaguesit e ndershëm fierakë. Por do vijë shpejt një ditë dhe të gjithë këta që sot po abuzojnë më arsimin shqiptar do të japin llogari në bankën e të akuzuarve para drejtësisë shqiptare. Në numrat vijues do të keni reagimin e drejtoreshës Miranda Bullapi dhe  fakte të tjera për marrëzinë që ka mbërthyer arsimin në Qarkun e Fierit…