Mesazhet që përcjellin fëmijët me pikturat e tyre

5476
Rajna Kovaçi
Si mund të zbuloni ndjenjat dhe mendimet e më të vegjëlve nëpërmjet vizatimeve dhe ngjyrave
Nëse doni të njihni fëmijën tuaj dhe të zbuloni ndjenjat dhe mendimet, ktheni sytë tek pikturat e tij. Tek të vegjlit fshihen më shumë informacione, se sa mund të mendoni ju. Shumë studime, prova dhe eksperienca dëshmojnë se si dallohen pikturat e të vegjëlve. E kam fjalën për fëmijët nga 2, 3 apo 4 vjeç dhe si mund të dalloni gjendjen e tyre shpirtërore. Do të çuditeni se çfarë fshehin vizatimet e të vegjëlve dhe si mund t’i kuptoni.

Përmasat dhe pozicioni i personazheve në vizatimet e fëmijëve gjithashtu është shumë i rëndësishëm. Fëmija i jep rëndësi disa figurave, në rastin kur i vizaton me përmasë më të mëdha se figurat e tjera (nëse babai është autoritar në familje, fëmija do ta vizatojë me figurë të madhe). Nëse babi nuk është i pranishëm në familje, ai nuk e përfshin aspak figurën e babait në vizatimin e vet. Ose, figura e tij do të jetë me përmasa të vogla dhe jo në planin ballor. Nëse familja ka probleme, p.sh. babai ka një grua tjetër në jetën e tij, me siguri edhe ajo do të jetë e pranishme në vizatimin e fëmijës, me emrin “familja”. Ndërsa njeriun më të shtrenjtë, fëmija e vizaton me më tepër detaje dhe me më shumë ngjyra. Nëse vogëlushi ka vizatuar veten ku ka kapur për dore njërin nga të afërmit e familjes, kjo tregon se ai ose ajo është njeriu më i dashur për të. Nëse fëmija mungon në një vizatim apo qëndron mbrapa anëtarëve të tjerë të familjes, kjo tregon se ndjehet i vetmuar, i nënvleftësuar dhe i mungon vëmendja prindërore. Në rastin kur vogëlushi e vizaton veten më të madh se anëtarët e tjerë të familjes, atëherë fëmija ka nevojë të jetë qendra e vëmendjes, madje është pak egoist. Ka fëmijë që në pikturat e tyre ku pasqyrohet familja mungon vëllai apo motra e vogël. Kjo është shenjë se vogëlushi është xheloz. Vizatimi me duart lart, të buzëqeshur, ku ka lule tregon se fëmija është i lumtur, i gëzuar dhe i qetë. Vizatimi është shumë pozitiv për fëmijët. Që në momentin kur fëmija është i aftë të marrë në dorë lugën dhe mëson ta përdorë atë, të sigurt jepjani lapsat ngjyra ngjyra. Pluset nga vizatimi janë të shumta, kryesorja është se zhvillon imagjinatën e vogëlushit, zhvillon mendimin, fantazinë, aftësinë për t’u marrë me punë, zhvillon përqendrimin dhe kujtesën dhe dallon ngjyrat dhe i njeh ato. 

Çfarë kuptojmë
Nga eksperienca si prindër e dimë fare mirë afrimitetin e vogëlushit me vizatimin. Të gjithë jemi dëshmitarë se që fare të vegjël ata reagojnë ndaj çdo objekti që shkruan. I marrin ato dhe përpiqen t’i mbajnë në doçkat e tyre të vogla, duke i vërtitur për të zhgaravitur diçka kudo që ndodhen, si në mure, dollape, xhama, sipërfaqe të lëmuara, etj. Që prej vizave të vogla, përdredhjeve apo zhgaravinave, pra hapave të para, ku ne na duhet një përqendrim për të zbuluar njerëzoren apo kuptimin tek këto objekte. Domosdoshmëria e reagimit ndaj të shkruarës është e madhe për çdo njeri, pavarësisht nga mosha. Për vogëlushët, të shkruarit në rastin tonë të vizatuarit, ka një funksion shtesë. Nganjëherë shpirti fëminor është një libër i mbyllur për syrin jo profesional. Shpesh fleta e bardhë është mënyra e vetme për të kuptuar diçka. Një test i veçantë që u rekomandohet edukatoreve, sipas nivelit dhe moshës, ku tregohet se si ndjehet vogëlushi dhe se çfarë mendon në përgjithësi, çfarë karakteri ka, mund të tregohet me anë të një vizatimi fare të thjeshtë me temën: ”Familja ime”. Duke ia paraqitur vogëlushit këtë ushtrim (fëmija le të jetë të paktën 3 vjeç) kuptohet kur ai është i qetë dhe i përgatitur për këtë ushtrim. Jepini një fletë të bardhë A4 dhe dhjetë lapsa apo lapstila ngjyra të ndryshme, dhe luteni të vizatojë familjen ashtu siç e sheh ai. Mos u përzieni, mos i diktoni çfarë të bëjë e si të vizatojë. Lëreni vogëlushin në një vend të qetë, pa televizor dhe pa celular. Fëmija që është i lumtur dhe i gëzuar, përdor të gjitha ngjyrat. Në rast të kundërt, parësia që mund t’u japë ngjyrave të tjera, si ngjyrës kafe, ngjyrës gri dhe në përgjithësi ngjyrave të errëta, tregojnë një gjendje jo të mirë emocionale, shtypje e depresion.

Ka arsye për t’u shqetësuar nëse:
– Kur mungojnë gjymtyrët e njerëzve të pikturuar prej vogëlushit, pa ndonjë arsye objektive, mund të dyshoni për dhunë të ushtruar ndaj tij apo dhunë fizike.
– Në rastin kur sytë e figurave janë të zbrazëta, të vëngërta – në njëfarë mënyre vogëlushi nuk “e njeh” botën.
– Ka kohë që fëmija përdor ngjyrën e zezë – mund të jetë i shtypur, i dëshpëruar, i depresuar.
– Nëse e zhgaravit shpesh figurën që bën, nuk tregon se është i gëzuar. 
– Kur vogëlushi nuk do apo nuk mundet të sqarojë apo të shpjegojë figurën, të tregojë se çfarë ka vizatuar me anë të një historie të vogël, aq sa mundet ta bëjë ai në bazë të moshës që ka. Lëreni të qetë në botën e vet. 
– Nëse pamja e përgjithshme është e zymtë, tregon urrejtje, dhunë, agresion, depresion, dëshpërim.
– Në rast se figurat janë të vrenjtura, të zgërdhirë, me elementë ose tipare monstruoze. 
Zhvillojeni këtë test të vogël me vogëlushin tuaj, kushtojini vëmëndje pikturave dhe vizatimeve që bën ai ose ajo në kopësht apo në çerdhe. Dhe mos harroni ta vendosni në kornizë pikturën e familjes që ka bërë. Test apo jo, para së gjithash ajo mbetet një prodhim me art, vepër e vizatuar prej tij. Atë do e keni një kujtim shumë të shtrenjtë sepse është një nga vizatimet e para të tij. 

Si ta shpjegojmë “portretin e familjes” 
Kush dhe si është paraqitur në pikturë? A janë të gjithë atje, mami, babi, fëmija, motra/vëllai? Secili, që është i rëndësishëm, ai ose ajo, që është i pranishëm në jetën e fëmijës, duhet të jetë i vizatuar. Nëse një prind mungon shpesh dhe nuk është çdo ditë i pranishëm në jetën e vogëlushit apo të vogëlushes, si fizikisht, po ashtu edhe emocionalisht, ka të ngjarë që mos e gjejë veten në pikturë. Mund të shpjegohet edhe si hakmarrje nga ana e vogëlushit, për mungesën e njërit nga prindërit. Por ka raste edhe nëse njëri nga prindërit i ka tërhequr vëmëndjen dhe janë zënë. Nëse në pikturë është gjyshja apo gjyshi, kjo do të thotë se ata janë të pranishëm dhe të rëndësishëm në jetën e vogëlushit/vogëlushes dhe janë pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Ndoshta ai qëndron me ta një pjesë të rëndësishme të ditës, prandaj ndodh kështu. Nëse vogëlushi/vogëlushja ka motër apo vëlla, por pikturon vetëm veten, atëherë duket hapur është xheloz për ta. 
Sigal