Para më shumë se një shekull, Sami Frashëri botoi në shqip në Bukuresht veprën “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe çdo të bëhet”. Falë njohjes së thellë të problemeve të kombit, kompetencës profesionale, por edhe të patosit patriotik, edhe pse e botuar pa emrin e autorit, menjëherë u bë me dije se cili ishte autori i saj.

Në 70 faqe, si në një histori të shkurtër të kombit, shtjellohen probleme që përbëjnë “Thembrën e Akilit“ për atë. Ajo mbetet modeli i një Traktati Politiko-Historik, një prozë e vërtetë poetike, që imponohet ta lexosh me një frymë; jep informacion të pasur, sikundër grish të thellohesh në argumentet dhe analizën e fakteve. Që në krye të këtij punimi, me preokupimin e patriotit, me merakun e filozofit, me përgjegjshmërinë e intelektualit, por edhe me keqardhjen e natyrshme për një komb që rrezikohet të copëtohet, autori rreket të japë “… mendime për shpëtimin e mëmëdheut nga rreziqet që e kanë rrethuarë…”. Më se njëherë, përmes ideve që shpalos, i bën apel atdhetarizmit, si ndjenjë gjithëkombëtare dhe historike e kombit, përgjegjësisë së tij për t’i dalë zot Vatanit, kur kombi kanosej deri në shpërbërje përmes “krasitjes“ territoriale dhe asimilimit nga fqinjët shovenë e të pabesë. Në këto rrethana, më së shumti si patriot se sa si historian e filozof, Samiu merr përsipër të sqarojë e publikojë çështje të tilla si:

Autoktonia e padiskutueshme e popullit shqiptar në vatrat e veta;

Aftësia për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira;

Atdhetarizmi e besa si cilësi të vyera, por edhe aspirata mbarëkombëtare për të ngritur një shtet demokratik mbi baza organizative, ekonomike, kulturore e morale të shëndetshme.

Tezën e autoktonisë e pohon disa herë, ashtu si bën mjaft që ta argumentojë sa më bindshëm. Për “Dijetarin“, një epitet i meritueshëm për Samiun, Ballkani ka qenë trevë e banuar që herët në Evropë, ku formuar fiset: Ilire, Maqedone, Trake, Frygase, e të tjera. Në jug Ilirët shtriheshin deri në Vjosë, bashkëjetonin në fqinjësi të mirë me Epirin, edhe ky një fis Ilir. Këto dy mbretëri; kanë pasur gjuhë të përbashkët, ngjashmëri në formën e qeverimit me një organ kolegjial; kanë nxjerrë mbretër të ditur e të fortë si Pirua, Teuta, e të tjerë. Deri në shekullin VI-VII kur u dynden sllavët e jugut dhe bullgarët nga veriu e nga lindja, Ilirët jetonin në trojet e tyre në thuajse 80.000 kilometra katrorë, ose tre herë më shumë se sa sipërfaqja e Shqipërisë së sotme.

Origjinën pelazgo–ilire të popullit shqiptar, Ai e argumenton edhe përmes etimologjisë dhe të dhënave fiziko–fiziologjike të banorëve. Nocionin “ARBËRI“ apo “ARBËR“ e argumenton edhe me faktin se, banorët e këtyre anëve ishin të aftë të ndërtonin shtëpi me gurë, dinin të punonin tokën, të bënin arë. Pra, shqiptarët ishin “Arëbënë” apo “Arë-bërë”, prej nga edhe morën emrin “Arbër“.

Nocionin tjetër  “Shqiptar”, Samiu e shpjegon me prezencën e zogut “Shqiponjë”, një zog i bukur, i fuqishëm, pra “Zog i Yjit“, të cilit stërgjyshët tanë i faleshin, si dhe shëmbëllenjën e saj e vunë në Flamur si simbol të trimërisë, të mprehtësisë, të forcës, të jetëgjatësisë, e të tjera, simbol të cilin e kemi edhe sot në Flamurin  Kombëtar.

Por “Dijetari” shtron e argumenton edhe tezën e aftësisë të kombit shqiptar për të mbijetuar edhe në kushte tejet të vështira. Analizon cilësinë moralo–luftarake, që e ka bashkëshoqëruar ndër shekuj, është fjala për atdhetarizmin e pashuar. Në sajë të asaj Ilirët nuk humbën, por ruajtën njësinë e bashkësisë; nuk u përzjenë me të ardhurit dhe as që muarën mënyrën e jetesës, ruajtën gjuhën; ruajtën marrëdhëniet midis tyre; bashkërisht u bënë ballë rreziqeve dhe vështirësive; u treguan të aftë për të mos humbur guximin, tjetër cilësi morale, e cila e ka bashkëshoqëruar dhe kombëtarizuar në të gjithë rrjedhën e historisë së tyre. Këtë sentencë e pohon disa herë, por në mënyrë koncize e shpreh: “Shqiptarët, sado që u mundnë e u vranë, nuk u pushtuan e s’u bënë robër…”. Personalisht gjykoj se, nuk duhet të jetë rastësi vlerësimi dhe qëndrimi i përbashkët edhe i At Gjergj Fishtës, i cili pohon edhe sa vijon:“… Ka pasur pushtuesa të Shqipërisë, por pushtuesa të shqiptarëve nuk ka pasur kurrë…”.

Qëndrueshmëria dhe mbijetesa e shqiptarëve janë rrjedhojë e trimërisë dhe e forcës së tyre dhe aspak e lëshimeve ose e sjelljeve “të buta” të kundërshtarëve. Më së shumti si atdhetar, por edhe si historian i kompletuar, Ai pohon se, kombi shqiptar është ndër më të fortët e më të shëndoshët. Edhe pse me popullsi relativisht të vogël, gati dy milionë, ka aftësinë të nxjerrë një ushtri prej 500.000 vetësh, një formacion ushtarak prej 200 mijë shqiptarësh është i barazvlerëshëm për nga vlerat luftarake me një formacion tjetër ushtarak prej 500 mijë vetësh. Si personifikim të trimërisë shqiptare “Dijetari” merr Skënderbeun, i cili njëherësh është simbol i heroizmit, besnikërisë, qëndrueshmërisë, bukurisë, fisnikërisë, humanizmit…Për Heroin Kombëtar, Samiu formulon vlerësimin se, historia nuk “… i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit; në diturit’ të luftës, në forcë si dhe në dije…”; ”…se ai ishte i drejtë në mendime, i ëmbël dhe i madh në zemër e në shpirt”. Është fakt i njohur, që lidhja në fjalë dhe dhënia besë për shpëtimin e Shqipërisë pas Besëlidhjes së Lezhës (2 mars 1444), rritën qëndrueshmërinë e shqiptarëve, të cilët për gati tridhjetë vite u vunë përballë armiqve të shumtë në numër, të armatosur më mirë, por që gjithmonë triumfuan, “.. duke vrarë e handakosur armiqtë…”. Atdhetarizmi e besa spikatën me mjaft shkëlqim në këtë periudhë, jo vetëm si tregues i autoktonisë dhe vazhdimësisë, por edhe i forcës e qëndresës. Burim force gjithë herë ka shërbyer çështja kombëtare, e cila ka ndezur prush atdhetarizmin. Në emër të atdhetarizmit shqiptari ka dhënë besën, ka lidhur fjalë dhe ka vënë gjithçka në shërbim të çështjes kombëtare, duke përdorur krahas njëra-tjetrës pushkën dhe penën. Lidhjen e fjalës dhe dhënien e besës “Dijetari” e shpjegon si një akt të lartë moral me fuqi efektive vepruese. Shqiptari besën që jep nuk e merr, atë asnjëherë nuk e thyen apo nuk e prish, por e ka të shtrenjtë dhe bashkudhëtare të përjetshme. Qëndrimi në besë e ka nderuar shqiptarin, i ka zbardhur faqen, i ka rritur dinjitetin. Por, në kushtet konkrete, autori konkludon se, duhet bërë një “Besë e Madhe”, e përjetshme dhe e përgjithshme, dhe për hir të saj duhen lënë mënjanë deri edhe hasmëritë apo gjakmarrjet, si dy vija ndarëse mjaft të fuqishme në psikologjinë e shqiptarit. Por kur është evident rreziku i copëtimit dhe i asimilimit të kombit, Samiu si patriot e diplomat jep sentencën: “… kush ka për të marrë gjak, ta dhurojë…”, sepse gjaku i shqiptarit është shumë i vlefshëm, ai kurrsesi nuk duhet derdhur kot. Ai e çmon magjinë e kësaj cilësie morale si burim force e bashkimi, prandaj lëshon thirrjen, gati apoteozë: “O burrani o shqipëtarë! Zihni me të dy duartë në besë, në lidhjet e në bashkimt, se kjo do t’u shpëtojë…”.

Aspirata për të ndërtuar një shtet të vërtetë demokratik mbetet e gjerë dhe e thellë për Samiun.. Këtë mesazh përcjell  Traktati Politiko–Hitorik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?”, përmes të cilit Samiu vlerëson unitetin kombëtar, i cili është me të shkuar të lashtë, por që mbetet po kaq i ri dhe imperativ. Ai qartazi parapëlqen formën republikane të qeverisjes. Kjo sepse kishte ideale të qarta demokratike, që i pohon qartazi në disa raste në këtë vepër. Kur flet për paraardhësit tanë, midis cilësive dhe virtyteve të larta që formonin psikologjinë kombëtare në përgjithësi, veçon idealin mbarëkombëtar për të qeverisur në bashkësi. Mentaliteti dhe mendësia për t’u qeverisur nga një Këshill apo një Kuvend të përbërë nga shumë të mençur dhe jo nga një “… vetë që bën ç’do në qeveri e në besë..”,  duhet parë si pikë referimi bazë për Samiun. Sugjeronte që, qeveria të bëhet nga një organ i zgjedhur në mënyrën më demokratike. Në `të duhet të marrin pjesë njerëz të mësuar, të ndershëm, me dëshirë për të punuar për popullin. Këto organe duhet të jenë të shkallëzuara, të kenë kompetenca rreptësisht të përcaktuara, të zgjidhen sipas një rregulli të qartë dhe të detyrueshëm periodik, (rrotacion e quan diplomacia e ditëve tona), e të tjera. Këshilli i Pleqësisë do të kryente funksionet e Presidentit; Këshilli i Përgjithshëm, ato të Parlamentit; një  organ i tretë funksionet e Ekzekutivit… Duket qartë që Samiu ishte për një shtet me demokraci të gjerë, i cili pronën private ta trajtonte të shenjtë; një shtet i begatë ekonomikisht, me motiv të qartë për zhvillimin kulturor e arsimor masiv dhe cilësor të krahasuar me kombet më të përparuar. “Dijetari” pohon që Qeveria duhej të punonte “… pas nevojës e pas të drejtave të shqipëtarëve..”, sepse, qoftë problemi ekonomik, por sidomos arsyeja psikologjike, nuk do të ishte në një vijë me qeverisjen prej një mbreti apo princi, qoftë ai edhe jo shqiptar. Sami Frashëri konkludon se, ndarja e popullsisë në pikëpamje territori në gegë e toskë, apo në pikëpamje të përkatësisë fetare në të krishterë e myslimanë, nuk ka përbërë ndonjë fatkeqësi për popullin tonë. Përkundrazi, ato nuk kanë sjellë të çara në bashkëpunimin dhe frymën e bashkekzistencës së popullit. Marrëdhëniet e popullit midis krahinave dhe besimit fetar, besës, sikurse i thotë Samiu, janë të zakonshme, të rregullta. Ato nuk kanë krijuar shqetësime, përçarje, e për më tepër as vëllavrasje apo gjakmarrje. Në të kundërtën, “… të gjithë janë një komb…., nuk ka çarje në mes të shqiptarëve… Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i krishterë”, e mjaft të tjera si këto sentenca, të cilat na bindin në konkluzionin e “Dijetarit“, si edhe shumë bashkëkohës të tij, se ideja e atdhedashurisë ka përshkuar në gjithë rrugëkalimin historik kombin shqiptar. Mjaft interesante e domethënëse mbetet ideja se, ku i kërkon, ku i gjen dhe ku i rekomandon miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Më se një herë thekson, se popujt e Evropës tek populli shqiptar gjejnë e vlerësojnë trimërinë, burrërinë, besën, autoktoninë… Në veçanti ata çmojnë ndihmesën që u dha popujve të Evropës Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i cili gozhdoi për një çerek shekulli armiqtë e kristianizmit, osmanët aziatikë. Me shikimin tek Evropa e mësuar me dije, por edhe në lëmin e qeverisjes në demokraci, Samiu me largpamje të kthjellët hedh idenë se, Kombi Shqiptar, që të zërë vend denjësisht në Komunitetin Evropian, që të përparojë e të ecë përkrah tyre, duhet të mësojë gjuhët e Evropës së përparuar përmes arsimimit të lartë. I pajisur si rrallëkush me inteligjencie natyrore të hollë, i kompletuar me kulturë të gjerë oksidentale bashkëkohore, i pajisur me shpirt të lirë demokratik, shpëtimin e Shqipërisë e shikon drejt Perëndimit, drejt Evropës. Kjo sepse, Shqipëria është pjesë integrale e saj në pikëpamje gjeografike;

-ajo është fqinje me Italinë e Austrinë,

-ka kushte të përshtatshme gjeografike e psikologjike të ngjashme me Evropën..

Prandaj, nënvizon S. Frashëri, Shqipëria “… mund shumë çpejt të hyjë në qytetëri e të përzjehetë me Evropën…”, por me një mendim të konsoliduar, se në fund të fundit, shpëtimi apo humbja e Shqipërisë është në dorë të vetë shqiptarëve, të cilët në se dëshirojnë që ta shpëtojnë vendin e tyre, duhet të bashkohen gjithë sa janë, të bëjnë besa–besë, të qëndrojnë të patundur në fjalë, të kërkojnë me këmbëngulje të drejtën e tyre, sepse, “… s’ mund të ketë Shqipëri pa shqipëtarë, s’ mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqip…”, konkludon  “Dijetari“ ynë si rrallëkush.

 

Mesazhet e “Dijetarit” janë krejt të qarta. Edhe pse të përcjella prej 123 vitesh më parë (1895-2018 SR), ato janë krejt aktuale, po të sjellim në vëmendjen e lexuesit se shtyllat e shoqërisë shqiptare janë ende të dobëta dhe pa bazament të qëndrueshëm. Aktualisht kemi një parlament që nuk funksionon: Mazhoranca bën ftesë për pjesëmarrje të opozitës ne parlament, ndërkohë kjo e fundit pretendon që t`i jepet fund praktikës së blerjes së votës apo fenomenit të Ruzhdijes; mazhoranca ka formuluar dhe miratuar ligje që bien ndesh me frymën kushtetuese të vendit, pra me interesat themelore të shtetasve shqiptarë; korrupsioni galopant, zbulimi i skandaleve me koncesionet  dhe PPP, praktikë që po rrezikon stabilitetin ekonomik të vendit, praktikë për të cilën qeverisë shqiptare i ka tërhequr vëmendjen edhe Banka Botërore, megjithatë fondi i parave publike që po shkon në xhepat e privatit dhe klientëve të kryeministrit vazhdon të rritet në mënyrë të frikshme. Po kështu pseudo reforma në drejtësi me të cilën synohet të vihet sistemi i drejtësisë nën kontrollin e ekzekutivit apo edhe lënia e vendit pa gjykata. Për të mos harruar atë që po ndodh realisht: Uzurpimi i medias nga pushteti dhe së fundi kërkesa për të miratuar në parlament një ligj që pengon dhe gjobit mediat, e quajtur edhe si Paketa antishpifje, gjë që ka ngjallur reagimin mosaprovues të organizatave ndërkombëtare në mbrojtje të fjalës së lirë kur dihet se  humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Të gjithë jemi dëshmitarë se kemi një sistem ekzekutiv nga qendra në bazë që “vihet në rresht” nga një “Njësh” dhe jo nga “Shumë”; qeveria aktuale edhe pse e deklaruar se nuk do të rritë çmimet, nuk e shikon ende se qepën shqiptarët po e blejnë me 100 lekë nga 50 që e kanë blerë më parë, që preshin po e blejnë me 150 lek nga një çmin krejt më i ulët më parë, që sheqerin nga 50 lekë po blejnë me dyfishin e tij; që energjinë elektrike të prodhuar nga një sistem energjetik prej më se 40 vjetësh, (për rrjedhje që e ka shlyer vetveten disa herë), po e blejnë me çmime të rritura dhe të pa rimbursueshme sikurse u është premtuar, etj. etj. Ne kemi një sistem drejtësie në të cilin ligjin e bëjnë “Maliqët”, ndëshkohen qytetarët që spekulojnë me drogën në sasi të vogla, por jo nëpunësit e shtetit në përfaqësitë diplomatike që spekulojnë me sasi të mëdha; hallexhinjtë e mirëfilltë mund të mbeten dyerve të institucioneve të drejtësisë për vite me radhë, ndërkohë njerëzit me zinxhirë floriri në qafë mbarojnë punë edhe pa u paraqitur në organet e drejtësisë;vendimet e organeve të drejtësisë janë krejt pa vlerë sepse nuk ekzekutohen etj., etj.

 

Pra, a nuk janë këto mesazhe, të cilat bëjnë apel në ditët tona për bashkim, për shqiptarizëm, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale dhe të aftësive fizike në interes të çështjes kombëtare, që Shqipëria të zërë meritueshëm vendin që i takon në Evropë dhe më tej?!

 

Safet N. RAMOLLI