Merrnin naftë kontrabandë nga Maqedonia dhe e shisnin në Pogradec, pranga 8 banorëve

590
Policia e Korçës ka vënë në pranga 8 banorë të Pogradecit pasi akuzohen për kondrabandë nafte nga Maqedonia. Sipas burimeve zyrtare, 8 banorët të moshës nga 26 deri në 60 vjeç merrnin naftë në Maqedoni dhe e shisnin në Pogradec.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Sektori Kundër Krimit Ekonomik-Financiar, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në kuadër të procedimit penal nr 402 të vitit 2016 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kanë finalizuar me sukses operacionin “DIEZEL” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1. Vasil Bardhi, 50 vjeç, banues në fshatin Grabovicë-Pogradec
2. Rexhep Elmasllari, 60 vjeç, banues në fshatin Mëmëlisht-Pogradec
3. Enrik Muçollari, 31 vjeç, banues në fshatin Vërdovë-Pogradec
4. Alban Seitllari, 35 vjeç, banues në fshatin Gështenjas-Pogradec
5. Mihal Qazollari, 54 vjeç, banues në Pogradec
6. Eneris Elmasllari, 26 vjeç, banues në fshatin Nizhavec-Pogradec
7. Krenar Hoxha, 32 vjeç, banues në Pogradec
8. Marsel Ymer, 30 vjeç, banues në fshatin Goskovë e Poshtme-Korçë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në bazë të një hetimi disa mujor, të filluar në muajin Tetor 2016, rezulton se këta persona në mjetet e tyre kanë modifikuar depozitat e naftës duke i shtuar depozitë tjetër për të marrë sasi nafte më të madhe në shtetin Maqedonas, e cila më pas shitej prej tyre, në tregun vendas në mënyrë joligjore.

Nga hetimet e zhvilluara është bërë e mundur që në faza të ndryshme të hetimit të faktohet edhe vend depozitimi i sasisë së naftës së futur kontrabandë, në dy ambiente të ndodhura në fshatin Mëmëlisht dhe në fshatin Grabovicë.

Pas verifikimit të mjeteve dhe personave, si dhe ambienteve të cilat përdoreshin për depozitimin e naftës kontrabandë, më datë 05.04.2017 u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 automjete që përdoreshin nga këta të fundit për të futur naftë kontrabandë, si dhe një sasi rreth 1500 litra naftë e ndodhur nëpër bidonë plastikë e cila është futur kontrabandë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale: “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”; “Ruajtja dhe Depozitimi i mallrave Kontrabandë”.
Sigal