Merita Halili: Kënga shqiptare, si shqiponjë në fluturim

1319
Sigal

INTERVISTA/  Flet këngëtarja e mirënjohur Merita  Halili:  Afsa Zyberi dhe Fitnete Rexha më rrënjosën dhe më nxitën dashurinë për këngën popullore

Këngëtarja e njohur  Merita Halili, e cila buisi si një syth i arrirë në kopshtin e pranverës të këngës popullore shqiptare, u rrit dhe u verselit pranë mbretëreshave të kësaj gjinie Hafsa Zyberi dhe Fitnete Rexha, duke ngjitur suksesshëm shkallët e karrierës së saj në cilësinë e bilbilit të këngës popullore shqiptare. Prej afro 19 vjetësh, ajo vazhdon të jetoj në SHBA. Koncertet e shumtë, shfaqur në mjaftë shtete kanë bërë që ajo të cilësohet, si ambasadore e artit shqiptar në botë. Ndoshta,- thotë ajo, -së shpejti do të jem në Shqipëri, ku do të jap përsëri për spektatorin shqiptar, të cilit i mbetem borxhlie gjithë jetën, një koncert recital në pallatin e kongreseve.

Nëse do të donim të dinim diçka nga koha e viteve të fëmijërisë suaj, si do e vlerësonit atë periudhë?

Unë kam patur shumë vite të bukura në fëmijërinë time, të cilat nuk i mbaj mend të gjitha, por do të  veçoja disa prej tyre. Kam filluar të këndoj qysh  në moshën pesë vjeçare, ku më pas jam aktivizuar në aktivitete shkollore dhe në Pallatin e Pionierëve në Tiranë, të cilat shënojnë dhe fillimin e  hapave të para në gjininë e artit. Këngën e doja shumë dhe gëzimi im si fëmijë, ishte vetëm të këndoja.

Cili motiv ju shtyu që ju të dashuronit magjinë e këngës, duke mbetur përjetësisht “rob” i saj?

Ndoshta dashuria që kisha për të kënduar dhe doja të bëhesha këngëtare. Ndërkohë, mësuesit më kanë inkurajuar, duke më thënë se: “Ti ke zë të bukur”, duhet të aktivizohesh dhe fillova të këndoja. Sot ajo është bërë oksigjen i domosdoshëm pa të cilën nuk mund të qënanti me ansamblet “Tirana”, “Migjeni”dhe “Kombinati i Autotraktorëve”, të cilat vlerësoheshin si trupa profesioniste. Aktivizimi im me këto ansamble shënoi një eksperiencë të re për mua  në skenë. Në moshën 16- vjeçare mora pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku u vlerësova me çmimin si interpretuese e këngës së Shqipërisë së Mesme me nivel të lartë artistik.

Mendoni se paraqitja mjaftë e mirë në këtë festival, shërbeu si trampolinë në aktivitetet e ardhshme?

Pas disa muajve të zhvillimit të festivalit në Gjirokastër, startova me recitalin tim të parë  i cili u shfaq, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ku u prita mjaftë mirë.

Përse ju pëlqen kënga popullore?

Duke qenë se vij nga një familje me tradita, unë u rrita me dashurinë për këngën popullore. Edhe në gëzime familjare ky zhanër më pëlqente shumë, pasi kënga popullore është pjesë e jetës së çdo njeriu dhe unë mendoj që u rrita me atë dëshirë.

Sa kanë ndikuar në formimin tuaj “ikonat” e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme, mjeshtret,  Afsa Zyberi dhe Fitnete Rexha?

Qyshe vogël i dëgjoja me vëmendje në radio këto ikona, por më pas interesi im ishte më i madh për t’i vlerësuar, kuptuar dhe analizuar ato. Për të dëgjuar këngët e tyre vazhdimisht shkoja në Institutin e Folklorit, sepse në atë kohë nuk kishte disqe si tani që është Youtube dhe ti ke informacion të mjaftueshëm. Më vonë pata rastin dhe nderin ti takoja personalisht këto mjeshtre të mëdha, para të cilave kam ndier sadisfaksion e respekt të veçantë. Krenohem që ndoqa  rrugën e tyre dhe këngët mundohem t’i interpretoj sa më artistikisht dhe me origjinalitet, ashtu siç i ndërtuan ato më shumë mjeshtëri, mundim dhe dashuri.

Kjo gjini e artë u pasurua dhe u rrit ndjeshëm nga mjaftë këngëtarë të plejadës suaj, ku do të veçonim I.Qirjako, P.Lulo, E.Fara, B.Qamili, F.Debinja, Vëllezërit Zena, A.Toska, V.Mema, B.Sota, I.Libohova…  Si do i vlerësonit këta këngëtarë?

Me të gjithë këta këngëtarë dhe këngëtare, unë kam punuar dhe i kam të gjithë kolegë të mrekullueshëm. Çdonjërin prej tyre e vlerësoj shumë, për atë çka ka bërë në drejtim të  rritjes së vlerave të reja dhe kultivimin e muzikës shqiptare në mënyrë artistike, duke e ruajtur këtë thesar të çmuar të popullit tonë.

Cilët nga këngëtarët shqiptarë pëlqeni më shumë?

I pëlqej të gjithë po përsëri veçoj, Hafsa Zyberin, Fitnete Rexhën, Luçie Milotin, Bik Ndojën, Shyqyri Alushin, Marie Krajën, Naile Hoxhën, Eli Farën, Irma Libohovën, Artiola Toskën, Vëllezërit Zena e shumë të tjerë.

Çfarë cilësi të veçantë duhet të zotëroj një këngëtare, për të arritur suksesin?

Së pari këngëtari duhet të ketë talent, zë të mirë, por mbi të gjitha duhet të punojë shumë, të krijojë eksperiencë  dhe të fitojë siguri në skenë. Është spektatori  ai,  i cili të jep notën që ti meriton.

Repertori juaj e kalon shifrën e më se njëqind këngëve. Në cilat prej tyre do dëshironit t’i riktheheshit me një përpunim të ri?

Unë jam inçizuar që në moshë të re në Radio Televizionin Shqiptar. Edhe pse në kurikulumin tim numërohen mëse njëqind këngë, dua të them se ato nuk janë pak, por edhe shumë nuk janë. Mendoj se, krahas këngëve që kam të regjistruara, në radio, televizion dhe albume, më duhet të krijoj ende këngë të reja, që nesër gjenerata e re  duhet  t’i mësojë këngët popullore, që ato të ngelen dhe mos të harrohen kurrë.

Keni patur raste, që kur ndodheni në shtëpi të këndoni këngët tuaja?

Zakonisht po. Ka momente që unë i këndoj ato për veten time, por në disa raste dhe për të praktikuar zërin dhe përshtatur sa më me besueshmëri motivit të këngës që unë do të interpretoj.

Cila prej këngëve ju qëndron më shpesh në buzë?

Mendoj se secila prej tyre ka rëndësinë e vet dhe është e vështirë ti klasifikoj. Gjithsesi në këto çaste do të veçoja këngët “Se shoqënia” dhe “Dola me shëtit në bahçe”, të cilat dallohen për melodi dhe tekst të veçantë.

Keni kënduar në mjaftë skena, brenda e jashtë vendit. Cili spektator ju ka dhënë më shumë duartrokitje?

Kam shumë kujtime, po nuk  mund t’i veçoj dot, sepse për mua të gjitha kanë patur emocionin e vet. Gjithsesi,  do të  veçoj aktivitetin tim tek “Këngët e Shekullit” me ftesë të televizionit “Klan” si dhe koncertet e kohëve të fundit në shumë shtete, si në Barbikan Center në Londër-Angli, Athine-Greqi. Milano-Itali. Broaduei, Kennedi Center në Uashington Dc, Linkoln Center, në parkun e madh dhe vendin e simfonisë në Manhatan të Nju Yorkut, Kaliforni dhe shtete të tjera këtu në Amerikë, si dhe koncertin e fundit në Tokio-Japoni.

Si shpjegohet fakti që mjaft këngëtarë për të dhënë një koncert jashtë Shqipërisë rendin që repertori i tyre të përmbajë dhe këngë të huaja, ndërkohë që, repertori juaj vetëm me këngë nga të gjitha trevat shqiptare, kurorëzon  sukses të padiskutueshëm?

Më pëlqen kjo pyetje sepse dhe unë pyes veten time për këtë fenomen. Haa, disa nga këngëtarët mendojnë se, duke kënduar pjesë të huaja do arrijnë sukses, kjo për mua nuk është sukses, sepse muzika është fjalor i një populli dhe unë mendoj që me muzike t’i i tregon vlerat dhe traditën e popullit nga vjen dhe gjithashtu, edhe pse është gjuhe e huaj, përsëri nëpërmjet muzikës t’i depërton, edhe pa e ditur gjuhën e atij vendi dhe suksesi është aty, duke i treguar që t’i vjen nga një vend shumë i lashtë ose i vjetër dhe e përcjell tek publiku i huaj.

Filmi Italian “Lamerica”, i cili i kushtohet eksodit të shqiptarëve në vitet 90-të, shoqërohet me një këngë të interpretuar nga ju. Si jeni ndier kur interpretuar atë?

 Këto ishin fillimet e para kur unë kisha krijuar bazën si këngëtare e  re e asaj kohe dhe po ndërtoja stilin tim si këngëtare dhe fillova të këndoj këngë që kishin rëndësi bashkë me situatat e asaj kohe. Këngët me tematikë emigrimi janë pothuajse emocionuese për mua. Këtu dua të veçoj këngën “Më ka marrë malli për nënën time”. Eksodi ishte shumë goditëse në atë kohë, por nuk e mendoja kurrë për veten time, që një ditë  do të isha dhe unë pjesë e emigrimit.

Ju shohim nëpër koncerte me llojshmëri kostume popullore, por spikat disi më shumë ai i Tiranës. Çfarë të veçante mbart ai krahasuar me kostumet e tjera popullore?

 Kostumi popullor i zonës së Tiranës është shumë  vjetër i qëndisur rreth 80 vjet më parë.  Atë unë e kam blerë nga gra artizane të Tiranës, të cilin e kanë qepur me ar dhe argjend. Në kohë këto përdoreshin si fustane nusërie në ditët e sotme dhe ishin simbol nga cili rreth vinin dhe çfarë vlerë kanë këto nuse që do i veshin vijnë nga familje më të ardhura të mira në qoftë se ishin të punuara me ar ose me argjend dhe vajza që do ta vishte këtë kostum duhej një vit për ta mbaruar së qëndisuri, Jelekun, Cerven, Këmbëzat e Dimiteve… Ky kostum tregon pasuri, elegancë dhe bukuri.

Po në jetën e përditshme jeni pasiononte pas veshjeve?

Unë kam dëshirë të vesh atë që mua më qëndron bukur në trupin tim dhe jo ekstravagancën.

Si ndodh kështu me ju. Edhe pse tashmë një grua pesëdhjetë vjeçare përsëri zëri dhe fizionomia juaj trupore të kujtojnë Meritën e disa viteve të mëparshme. Vërtetë ku qëndron sekreti i këtij binomi të admirueshëm?

(Qesh) Megjithëse, akoma, nuk jam pesëdhjetë, mua më mban vetëm pasioni dhe shpirti, sepse njeriu brenda vetvetes krijon shumë faktorë si qetësinë shpirtërore dhe disiplinën. Mundohem të kem një jetë të mirë sipas mundësive që më ofron jeta.

Keni vite që jetoni në Nju Jork të SHBA. Sa është integruar Merita në jetën e këtij qyteti gjigand?

Unë kam 19 vjet që jetoj në SHBA. Për disa vite kam jetuar në Nju Jork, por më vonë kalova në Nju Xhersi, ku  vazhdoj të jetoj dhe sot. Mendoj se, Nju Jorku ka qenë një eksperiencë  e mirë për mua si artiste dhe familjen time.

Gjatë kësaj periudhe keni shkuar disa herë në Shqipëri, ku keni dhënë koncerte. Në cilin prej tyre ke ndjerë sadisfaksion të veçantë?

Dua  të veçoj Sofrën e Tiranës që kam qenë e ftuar disa herë që është bërë traditë me ftesë të Arben Tafait dhe stafit të tij, gjithashtu, “Këngët e shekullit” me ftesë të televizionit “Klan”  Pandi e Bledi Laços dhe Adrian Hilës. Më kanë dhënë sadisfaksion dhe jam ndjerë mirë sepse publiku kishte mall dhe unë për atë publik të mrekullueshëm që më ka dhënë duartrokitje më shumë dashuri ku unë sot jam.

Sa peshon malli i artistit për vendin e vet?

Për mendimin tim malli i artistit gjithmonë, qëndron i çelur në shpirt për vendin e tij. Kohë  më parë kur këndoja në shtetet e huaja, emocionoja publikun me këngët e mia dhe zërin tim, por tani kam filluar unë të emocionohem me veten time dhe ndjej gjithmonë mall. Kohët e fundit bashkëshorti im Raif Hyseni, muzikanti dhe koncertmastri kompozoj për mua këngën “O Tirana jonë”. Kjo këngë ka karakteristike mallin që kam unë për vendlindjen time.

Në këngën “Më ka marrë malli për nënën time” keni fituar mjaft fansa këtu në Amerikë. Kujt i kushtohet kjo këngë?

Kjo këngë i kushtohet nënave shqiptare dhe kurbetit, veçanërisht ku unë e përmenda pak më përpara.

-Ju mungon Shqipëria dhe fansat e saj?

Më mungojnë dhe do më mungojnë gjithmonë.

Poetja e talentuar, Ilirjana Sulkuqi, e cila jeton në Nju Jork, në një nga poezitë e saj shkruan: “…Përse nuk shpika,/ rrota gjigande sa dashuria/ Si një bujkrobe do e tërhiqja / të  gjithë  Amerikën tek vendlindja.

A do të dëshironit dhe ju  të ishit një bujkrobe e tillë?

 Më pëlqen shumë ideja e Ilirianës, por unë do shtoja që çdo vend ka vlerat e veta. Njerëzit janë ata që mund të bëjnë çudira në vendlindje.

Sa ka ndikuar në famën tuaj prania e bashkëshortit tuaj Raif Hyseni, si kompozitor dhe orkestrues i mjaft këngëve tuaja?

 Raifiështë pjesa më e madhe e suksesit tim në SHBA, sepse ai ka qenë pranë meje në çdo moment. Ishte fat për mua të kem bashkëshortin tim muzikant. Duke qenë  këngëtare  është e vështirë të përballosh punën dhe familjen. Ai ka qenë gjithçka në jetën time artistike dhe në familje.

Mjaft  artistë të njohur shqiptar, prej disa vitesh ndodhen në SHBA. Sa frutdhënës ka qenë bashkëpunimi juaj me ta?

Po kam kontakt me të gjithë këngëtarët e komunitetit kam punuar me to dhe kam shumë eksperience.

 Në një koncert në N.Y. kënga shqiptare “çau” muret e ndërtesës, ku kënga juaj shoqërohej nga spektatorët që kërcenin e këndonin këngën shqiptare. Ç’do të thoshit për atmosferën e krijuar, e cila kaloi si në një festë të vërtetë?

Jam e lumtur që gjithmonë  jam pritur mirë dhe kam patur shumë sukses. Kjo më bënë të ndjehem krenare, por dhe përgjegjësi, pasi gjithmonë kërkoj nga vetja se si duhet ta përcjell bukur dhe me besueshmëri,  këngën apo koncertin e ardhshëm.

Keni patur raste të këndoni për publikun e huaj?

Kjo ndodh shpesh duke komunikuar me publikun. Gjithashtu, Raifi drejton grupin muzikor dhe krijon këto momente të veçanta dhe interesante.

A keni mikesha të njohura këtu në Amerikë?

Duke qenë se njoh shumë dhe më njohin shumë, do veçoja Enida Llagamin, e cila ka stiluar fustanin tim me Shqiponjë. Ajo është një desinjatore që me punën e saj ka arritur të bëhet e suksesshme në SHBA.

-Ju Merita keni tre vajza. Sa e vështirë ka qenë për ju dhe Raifin, rritja, edukimi dhe shkollimi i tyre?

Jemi munduar t’i rrisim me shumë dashuri, respekt dhe me disiplinë, dhe me dashuri për Shqipërinë dhe Kosovën ku unë dhe Raifi kemi vendlindjen.

Përherë keni kënduar këngë dasme, potpuri dhe kolazh nga trevat mbarëshqiptare. A keni patur ndonjë rast kur këngën tuaj e keni shoqëruar mes dhimbjes së lotëve të dëshpërimit?

 Ishte shumë e vështirë për mua dhe kolegët e tjerë të  këndoja tek shoqja, mikja dhe kolegia ime, e ndjera Anita Bitri. Ne artistët e komunitetit vendosëm të përcillnim me nderimin më të madh këtë artiste, së bashku me nënën dhe vajzën e saj. Të gjithë duhet të bënin atë që bëmë, por unë zgjodha këngë nga folklori shqiptar specifike se si kanë vajtuar në Shqipërinë e Mesme në këto raste. E mora motivin dhe e përshtata me fjalë për atë dhimbje. Kuptohet ishte shumë e rëndë kjo tragjedi dhe ikja e saj  për mua, duke qenë se unë kam qenë shumë afër me Anitën dhe kam punuar shumë kohë me të.

Jeni vlerësuar si ambasadore e këngës shqiptare nëpër botë. Ç’përbën për ju ky cilësim?

Vlerësimet janë gjithmonë për mua motiv që të vazhdojë me sukses maratonën e këngës.  Ndjehem vërtetë e vlerësuar.

Mendoni se karriera juaj e gjatë dhe e suksesshme është vlerësuar nga shteti shqiptar?

Mendoj se po, sepse nuk ka të bëj gjithmonë vlerësimi individual. Unë i besoj popullit në vlerësimin nga duartrokitjet. Për mua ai është vlerësimi më i mirë.

Mendoni se në jetën tuaj keni dhënë shumë dashuri dhe keni marrë pak prej saj?

Kam dhënë dhe kam marrë gjithmonë dashuri, për këtë jam e lumtur, por nuk kam dhënë dashuri për të menduar se një ditë do ma kthejnë të njëjtën dashuri, por ashtu e ndjej unë. Kështu që unë mendoj që çdo njeri duhet të mendojë kështu.

Keni menduar ndonjëherë me veten tuaj dhe të thoni: Mjaft më me artin?

Jo asnjëherë, pasi arti është pjesë e jetës time.

 Kohët e fundit ju kanë akuzuar se ju keni dhënë një koncert në Beograd. Ç’do të thoshit për këtë thënie?

Unë nuk e përjashtoj veten time të marrë pjesë në vende të ndryshme të botës për të përcjellë muzikën shqiptare pavarësisht nga vendi, ku mund të organizohen këto evenimente, por mua më çudit fakti që disa  gazetarë jo profesionalë, krijojnë këto situata dhe duan patjetër të thonë gjëra të paqena. Përse ata nuk analizojnë koncertet që unë jap në Amerikë, për vlerat dhe sakrificën që unë po bëj për të  përcjell këngën shqiptare dhe po e ngre lart në një vend shumë të madh siç është Amerika, ku unë me Raifin, jemi bërë ambasadorë të muzikës dhe jemi vlerësuar për këtë në Amerikë dhe vende të tjera.

Nëse nesër do t’ju ofrohet një kërkesë e tillë në këtë vend, do e pranonit ftesën?

Sigurisht. Sepse prezantoj muzikën shqiptare, muzikën e vendit tim dhe jam krenare për këtë.

Cila do të jetë kënga juaj më e re apo koncerti që do të shfaqni së afërmi?

Jam në bisedim e sipër për të dhënë një koncert recital përsëri në Shqipëri.

Çfarë mesazhi do të transmetonit në këto çaste për fansat tuaj?

Do dëshiroja që të gjithë adhuruesit dhe dashamirësit e mi, të kenë shëndet dhe lumturi dhe të dëgjojnë më shumë këngët e popullit të tyre.

F A D I L   S H E H U

  FLORIDA,  SHBA, tetor 2014