Meri Rita Oxha/ Ëndërr

    220

    Eci nëpër det

    Flladi më ledhaton fytyrën,
    Luaj me valët, me dëshirën

    që koha të kthehet mbrapsht,
    Të jem sërish fëmijë

    Fëmijë që të mund të prek qiellin,
    Të jem e plotfuqishme e kësaj bote,
    Të bëj të dashuruarit të lumtur,
    Të varfrit, me bukën e porsa nxjerrë
    Nga shtati i zjarrtë i furrave…

    Flutur dua të jem
    Flutur që mbi lule të shëtis,
    Të nxis pllenimin e ngjyrave,
    E këngëve, e flakëve të zjarrit
    Ku të ngrohen të dashuruarit
    Që do të pllenojnë
    Botën tjetër
    Ajri mbrëmjes më prek,
    Më thërret në shoqërinë e ajërt
    Më kujton
    Mungesën e përjetshme
    Të fëminisë së dikurshme…