Mënjanimi i Sindikatës i hap rrugë abuzimit me punonjësit e policisë

    394
    Sigal

    Raporti i Agjencisë së Trajtimit të Shërbimeve Juridike për Komisionerin e Bashkimit Europian për Shqipërinë

     Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, në rrugë institucionale, të Sindikatës së Policisë për të gjetur gjuhën e komunikimit, në zbatim të kontratës kolektive, të detyrimeve që ka punëdhënësi ndaj kësaj organizate, deri tani nuk ka asnjë reagim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, megjithëse i është bërë kërkesa për t’i kthyer përgjigje zyrtarisht të gjitha problemeve që ka ngritur sindikata nga momenti i ndërrimit të drejtuesve të policisë e në vazhdim. Madje, Drejtori i Policisë ka shkelur dhe autoritetin e Kryeministrit, në mosrespektimin e kërkesës së tij për kthim përgjigje Sindikatës së Policisë për problemet e ngritura që nga janari i këtij viti. Në shkresën e datës 1 gusht 2014, nga zyrat e Kryeministrisë me nr. protokolli 5096, i kërkohet ministrit Tahiri, që të vihet në dijeni Kryeministri, pasi Ministria e Brendshme të verifikojë të gjitha shqetësimet e ngritura nga Sindikata e Policisë. Ministri i Brendshëm në përgjigje të tij shet Drejtorin e Policisë, duke u shprehur, se nuk mban përgjegjësi për marrëdhëniet e Drejtorit të Përgjithshëm me Sindikatën.

    Për çfarë i është drejtuar Kryeministrit Sindikata?

    Përveç rasteve që janë bërë publike për moszbatimin e Nenit 11/12 të kontratës kolektive, ku sindikata duhej të ishte pjesë në diskutimet për realizimin e reformës dhe për rastin e këtyre largimeve duhej të ishte bërë marrëveshje midis Sindikatës dhe Drejtorisë se cilët persona duhej të largoheshin, duke i analizuar rast pas rasti në rrugë ligjore, pasi të gjithë të larguarit janë anëtarë të sindikatës dhe sindikata ka detyrimin për mbrojtjen në rrugë institucionale të të drejtave të tyre. Në kuadrin e këtyre largimeve nga puna janë larguar në kundërshtim me Nenin 12 edhe drejtues të sindikatës në degë e njësi, të cilët kanë sjellë dëmtimin e aktivitetit sindikal nga ana organizative, duke ulur edhe imazhin e saj te anëtarët. Për rastet e mësipërme sindikata, përveç asistencës juridike në rrugë individuale, të punonjësve të cilët kanë bërë ankesë pranë sindikatës, vazhdon procesin gjyqësor edhe për largimet kolektive, pasi në asnjë rast sindikatës nuk i është dhënë informacion për ndryshimin e strukturës, numrin e funksioneve që do shkurtohen dhe cilat janë masat lehtësuese sociale që do merren ndaj të larguarve, në përputhje me Ligjin e Policisë dhe Rregulloren e Brendshme të personelit. Fakti që të gjithë punonjësit e larguar i janë drejtuar gjykatave dhe vetë vendimet të cilat po përfundojnë edhe në Gjykatën Administrative të Apelit tregojnë abuzimin që është bërë në trajtimin e të larguarve nga puna. Dhe së fundmi, Kryeministri është vënë në dijeni edhe për veprimet më flagrante të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj sindikatës, që janë 2 urdhrat absurdë:

    1. Urdhri nr. 942, datë 26/06/2014, nr. protokollit 4356, në lidhje me lirimin e ambienteve të zyrave. 2. Telegrami me nr. protokolli 1807, datë 21.7 2014, dërguar njësive shpenzuese, ku Drejtori i Financës, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm, kërkon moszbatimin e Nenit 8 të kontratës kolektive, duke bllokuar në këtë mënyrë që nga muaji gusht derdhjet e kuotizacionit në llogarinë e sindikatës. Të dyja këto urdhra tregojnë qartë tendencën për ta mënjanuar sindikatën nga aktiviteti i saj i ligjshëm në mbrojtje të të drejtave të punonjësve të policisë. Përveçse gjykatës, sindikata, në pamundësi të marrëdhënieve me institucionet shtetërore në vend, i është drejtuar nëpërmjet Agjencisë Juridike, edhe Komisionerit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

    Ledjana Saliu

    Raporti i Agjencisë së Trajtimit të Shërbimeve Juridike

    AGJENCIA E TRAJTIMIT TË SHËRBIMEVE JURIDIKE

    MISIONI PËR MONITORIMIN E ADMINISTRATËS PUBLIKE

    RAPORT

    LËNDA: Informacion mbi monitorimin e Marrëdhënieve të Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit e Ministrisë së Brendshme.

    DREJTUAR: Komisionerit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

    Pranë selisë së Bashkimit Europian – Bruksel

    Për dijeni: Ministrit të Brendshëm

    Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

    Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit

    I nderuar, z. Komisoner!

    Të nderuar, Anëtarë të Parlamentit të Bashkimit Europian!

    Në kuadrin e kërkesave të vazhdueshme të Bashkimit Europian, për implementimin e ligjit “Për administratën publikë”, për një siguri të punonjësve të administratës publike dhe për punonjësit e policisë së shtetit, në Shqipëri funksionon ATSHJ, Agjencia e Trajtimit të Shërbimeve Juridike, e cila nën misionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, gjatë vazhdimit të misionit të miratuar për EURALIUS, ku tani me mbarimin e mandatit të këtij misioni në Shqipëri i bie barra ATSHJ-së për të mbuluar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore që burojnë sidomos nga Karta Sociale Europiane.

    Së fundi, jemi vënë në dijeni zyrtarisht dhe në mënyrë verbale e të detajuar të veprimtarisë së Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ndërprerjen në mënyrë të njëanshme dhe jo ligjore, të marrëdhënies së kësaj të fundit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, megjithëse këto marrëdhënie janë të formalizuara në një kontratë kolektive dhe të miratuara në aktet normative të vendit.

    Gjithashtu, rezulton se nga ana e këtyre te fundit janë ndërmarrë veprime konkrete që cenojnë pavarësinë e sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, duke cenuar të drejtat që asaj i takojnë me ligj, siç janë:- rastet e largimeve nga puna të punonjësve të policisë së shtetit; pjesëmarrja, informimi e marrja e mendimit në hartimin e drafteve ligjore dhe ndryshimin e strukturës së Policisë së Shtetit e implementimin e këtyre ndryshimeve në praktikë; krijimi i kushteve të favorshme të punës për funksionimin normal të sindikatës dhe realizimin e detyrimeve Statutore të sindikatës në mbrojtje të të drejtave të punonjësve të policisë së shtetit, duke i hequr së fundmi dhe ambientet e punës, të cilat kanë funksionuar për këtë shkak që nga krijimi me ligj i Sindikatës së Policisë.

    Së fundmi, nga ana e ligjvënësit mbi propozimin e ekzekutivit, është mënjanuar ekzistenca e një sindikate të punonjësve të policisë së shtetit, duke lënë punonjësit e policisë së shtetit në vetorganizim sindikal, ku mund të ushtrohet presion mbi këto të fundit, për të cenuar lirinë sindikale, si një liri themelore e kushtetuese. Ju raportojmë që në Republikën e Shqipërisë është e domosdoshme që punonjësit e policisë së shtetit të kenë të paktën një sindikatë, pa kufizuar lirinë sindikale për sindikata të tjera homologe, por në mënyrë që punonjësit e policisë së shtetit, për vetë natyrën që ka marrëdhënia e punës për ato, të mos ngelen pa mbrojtjen e duhur kundër abuzimit të administratës drejtuese të politikës mbi policinë e shtetit, ku mund të cenohet rëndë liria sindikale, pasi nuk do të jetë e mundur riorganizim sindikal pa ekzistencën e detyrueshme dhe të përcaktuar në ligj të paktën të një sindikate e cila sot funksionon sipas ligjit në fuqi.

    Së fundmi, duke shprehur konsideratën tonë të lartë, ju vëmë në dijeni që me Sindikatën e Punonjësve të Policisë së Shtetit është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me ATSHJ-në, ku nën asistencën e përbashkët të të dy organizmave po ndiqet zbatimi i Kartës Sociale Europiane për punonjësit e policisë së shtetit, ku po vihet në rrezik cenimi i saj, nga dizinformimi mbi marrëdhënien Sindikatë – Drejtori e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Ministri e Brendshme.

    Në konsideratën tonë të lartë

    Me respekt

    Roland Islami

    Kryetar