Memush Habilaj: Neutralizimi i armëve kimike, Shqipëria fiton 2 miliardë dollarë

    546
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet specialisti i armëve kimike, inxhinieri kimist Memush Habilaj

     Kohët e fundit po bëhet një zhurmë e madhe për lëndët helmuese luftarake që mund të vijnë nga Shqipëria për t’u neutralizuar në Shqipëri. Komentet janë nga më të ndryshmet. Shumë veta thonë që këto lëndë janë të dëmshme, kanë pasoja, kanë probleme mjedisi dhe për popullsinë. Por ndryshe thonë specialistët e fushës. Midis tyre inxhinieri kimist  Memush Habilaj thekson se n.q.s çdo gjë bëhet sipas rregullave, sipas literaturës, nuk ka asnjë rrezik. Përmendja e Gërdecit nuk është risi, pasi dihet në Gërdec punonin fëmijë dhe njerëz të zakonshëm jo specialistë.

     Çfarë lëndësh kimike mendohet të vijnë nga Siria që të asgjësohen në Shqipëri?

     Siria ka një arsenal prej 1mijë e 300 ton lëndë  armësh kimike, ku pjesa kryesore përbëhet nga Zarina (fosfor organike) ose neuroparalizuese dhe nga pjesa tjetër nga Iprit plus pastaj lëndë helmuese të tjera me fuqi më të vogël që zënë një pjesë më të vogël të këtij arsenali. Vendimi është marrë nga instancat ndërkombëtare që këto armë të largohen nga Siria dhe të çmontohen dhe të asgjësohen në një vend tjetër. Një nga opsionet  është që një pjesë e këtyre municioneve luftarake LHL të vijë dhe të çmontohen në Shqipëri. Cilado prej tyre që do vijnë në Shqipëri  qoftë Iprit qoftë Zarina,  ato mund të asgjësohem apo të neutralizohen pa asnjë lloj problemi, qoftë për mjedisin qoftë  për qeniet e gjalla.

     Ne vetë në kohën e diktaturës a kemi pasur LHL të tilla dhe si janë asgjësuar?

    Po ne kemi pasur një lloj lënde LHL të tillë, pikërisht Iprit  që përbënte gjysmën e arsenalit që kishim neve si LHL. Ne kemi pasur afërisht 35 ton LHL të ndryshme, nga të  cilat gjysma ishte Iprit.

     D.m.th lënda LHL që ka sot Siria përbën një arsenal të madh?

     Sigurisht që është një arsenal i madh. Municionet kimike n.q.s Siria  ka aq ton, mund të themi se vetë LHL përbëjnë një të pestën e sasisë, pasi pjesa tjetër është, gëzhoja, mbushje plasëse, baroti, pra pjesë të çmontueshme. Në kuadrin e çmontimit, këto pjesë të tjera janë pjesë të çmontueshme të zakonshme. Pra pjesa e LHL zë jo më shumë se 20 % të predhës, apo të armës, pasi ajo do hidhet ën ajër.

     Pra lënda LHL është pjesë më vete e një predhe, apo rakete?

    Po. Pjesë më vete që mund të jetë një rezervuar. Këto janë të vendosura në predha artilerie, apo në bomba aviacioni të madhësive të ndryshme.

     Këto LHL Siria  i ka prodhime të veta, apo të blera?

    Kryesisht këto lëndë LHL apo predha me LHL Siria i ka të blera nga Rusia apo nga Kina, disa pas Luftës së Dytë Botërore, por disa të tjera dhe më vonë. Nuk përjashtohet mundësia që disa LHL t’i ketë edhe të prodhuara vetë. Besoj se mund të ketë prodhime të veta, pasi ajo disponon impiante të prodhimit të pesticideve fosfororganike që janë, të ngjashme me Zarinën. Këto impiante të këtij tipi mund t’i shfrytëzosh për LHL.

     Bëhet një zhurmë e madhe  në Shqipëri që n.q.s ato vijnë do të ketë një problem të madh ekologjik, do të ndotet ambienti. Si qëndron e vërteta? Si do të neutralizohen dhe a do të ketë pasoja neutralizimi i tyre?

     N.q.s ato do vijnë në Shqipëri do të zbatohet një procedurë e tërë që nga marrja në dorëzim, transporti, dislokimi, përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për t’i trajtuar këto dhe shumë masa të tjera. Kryesorja është që vendet e neutralizimit duhet të jenë jashtë qendrave të banuara, në vende me pak lëvizje, në vende të fshehta dhe me pak qendra banimi. Ambienti duhet të jetë i furnizuar pa ndërprerë me energji elektrike dhe burime uji të vazhdueshëm. N.q.s do të neutralizohet komplet LHL, gjithë sistemi i masave, duhet të kontrollohet dhe të monitorohet nga specialistë, duke kontrolluar çdo lloj ndotje, rrjedhje, dyshimi, apo defekti. Masat e sigurimit teknik duhet të jenë në maksimum. N.q.s ndjek çdo instruksion për teknologjinë e çmontimit nuk ndodh asgjë. Në këto raste kemi të bëjmë me reaksione kimike, që ndodhin në çdo reaksion kimik.  Për mua është kujdesi i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i gjithë procesit i asgjësimit të këtyre LHL, që nga  marrja në dorëzim dhe transporti deri në destinacion. P.sh n.q.s do të kryhet me tokë, do të kalosh nëpër qytete apo fshatra me popullsi të mëdha dhe një problem do të shkaktojë dëme.

     Në transportin e tyre ç’duhet të kihet parasysh?

    Ah, këtu është një problem i madh. Këtu fillon zgjidhja e situatës. Në radhë të parë specialistët që duhet të marrin në dorëzim këto armë duhet të kontrollojnë predhat, apo raketat një për një. Pra që ato të mos kenë asnjë lloj rrjedhje. Një rrjedhje sado e vogël gjatë transportit do të shkaktojë pasoja të mëdha dhe keqinterpretime nga media. Së dyti, duhen masa shumë të rrepta sigurie gjatë transportit. Kjo për shumë arsye. Së pari, mosmarrja e sigurisë mund të sjellë sulmet e grupeve terroriste, të cilat mund t’i përdorin ato për sulme të ndryshme. E keni parasysh se çfarë ndodhi në metronë e Tokios me një bombë me LHL artizanale. Po me këto predha?! Do të kishte katastrofë n.q.s rrëmbehen nga grupet terroriste. Masat e sigurimit teknik gjatë transportit duhet të jenë të një shkalle të madhe. Por n.q.s mbërrijnë në destinacion në mënyrë të sigurt, bota ashtu siç i prodhon po ashtu i neutralizon pa asnjë problem. Pra asgjësimi nuk është ndonjë problem i jashtëzakonshëm. Ashtu siç prodhohen po ashtu edhe eliminohen. Problemi qëndron në faktorët e mësipërm. Pra përgjegjësia është shumë e madhe në rregullat e sigurimit teknik. Me to nuk mund të luhet. Kryesorja shmangia e çdo lloj shkarkimi, rrjedhjeje, shfryrje në ajër, në cilindo pjesë të neutralizimit. Gjithë situata duhet të monitorohet nga specialistët dhe me mjetet më të sofistikuara të transportit apo të kontroll-neutralizimit. N.q.s zbatohen të gjitha këto rregulla, asgjë nuk mund të ndodhë.

     Pasi neutralizohen, apo çaktivizohen, mbetjet e tyre, ku do të grumbullohen dhe a përbëjnë rrezik?

     Mbas  asnjanësimit, mbetjet përbëjnë një problem me vete po jo me pasoja. Mbetjet  në rastin e  Zarinës janë mbetje që nuk kanë, asnjë problem, pasi kthehen në fosfate, që mund t’i përdorësh për qëllime të tjera, ose në rastin  më të keq n.q.s nuk do t’i përdorësh mund t’i konservosh dhe i mbyll në gropa betoni, gropa të sigurta, të mbyllura hermetikisht.  Më vonë mund t’i shfrytëzosh sërishmi për qëllime si lëndë për plehrat kimike.

     Pse bëhet gjithë kjo zhurmë për këto LHL, për ndotje ambienti dhe për rrezik jetësh njerëzore?

     Në radhë të parë mund të themi se është një rrezik, sepse në fund të fundit janë LHL dhe kanë rrezikshmërinë e tyre. E dyta ata që flasin, bëjnë propagandë për veten, pasi si njohin në detaj problemet. Duan të identifikohen dhe të bëjnë shou. Ata me të drejtë  shqetësohen, pasi marrin informacione të njëanshme se çfarë janë LHL, pra mendojnë se vetëm shkatërrojnë dhe nuk mund të asgjësohen pa rrezik.  Pra rreziku nga Armët e Dëmtimit në Masë është evident, por ata e ekzagjerojnë tej mase, e bëjnë shumë të rrezikshme për kredo individuale, apo të komunitetit që përfaqësojnë. Duke pasur parasysh dhe eksperiencat e hidhura me Shqipërinë, si historia  e Gërdecit, deri diku këta individë kanë të drejtë. Por këtu ndryshon puna. Aty masat e sigurimit teknik ishin jashtë çdo rregulli, jashtë çdo standardi. Etja për fitim çoi në katastrofë pasi nuk ishin instaluar impiante moderne çaktivizimi apo nuk ishin marrë as masat më elementare të sigurimit teknik. Pra me të drejtë këta persona shqetësohen apo tremben nga këto probleme. Kur çdo gjë u lihet në dorë ekspertëve të fushës, edhe për të sqaruar opinionin, edhe për të çaktivizuar, eliminuar këto armë nuk do ndodhë kurrë, asgjë. Pas asgjësimit të këtyre armëve, nuk ka as ndotje ambienti, as probleme me popullsinë.

     Aktualisht a ekzistojnë linja të tilla për eliminimin, apo çaktivizimin e këtyre LHL?

     Aktualisht, ne nuk kemi linja të tilla, për eliminimin apo çaktivizimin e këtyre LHL. Por ajo nuk është  problem, pasi në momentin që do na ngarkohet ne kjo barrë, ahere në çdo vend të zhvilluar mund të marrësh teknologjinë e duhur, që përfshihen në koston e çmontimit, ose mund t’u jepet kompanive të specializuara për këto punë, ku të tilla ka në shumë vende të botës të zhvilluar. Pra ato mund të eliminohen tek ne, por pajiset, linjat, specialistët mund të jenë të një kompanie të huaj. Natyrisht, në këtë rast çdo kompani do të jetë nën monitorimin e shtetit shqiptar dhe të specialistëve shqiptarë të kësaj fushe.

     Në gjithë vendet arabike, Siria ka pasur potencialin më të madh të armëve të dëmtimit në masë, pra të LHL-ve?

     Potencial të madh të këtyre armëve në vendet arabike ka pasur, Libia, Siria, Iraku dhe Irani. Këto katër shtete kanë përbërë rrezik në këtë fushë. Këto vende një pjesë të këtyre LHL e kanë të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore, të marra në forma të ndryshme dhe pjesa tjetër, të importuara nga vendet si Rusia, Kina apo të prodhuara dhe vetë.

     Cilat janë mënyrat e asgjësimit të këtyre dy lloj lëndësh helmuese luftarake (LHL)?

    Asgjësimi i këtyre lënëve mund ët bëhet me dy mënyra. E para dhe më e shpejta është me djegie dhe e dyta është me neutralizim pra me shpërbërës kimik. Secila ka specifikat e veta. Mënyra e parë është me djegie, e cila është më e shpejta dhe më konkrete. Në këtë rast lëndët helmuese futen në dhoma speciale çeliku dhe digjen. Lënda djegëse në këtë rast është karburanti. Aty pas djegies që është një kohë e shkurtër këto lëndë futen në bunker, apo përdoren si lëndë e parë për prodhimin e plehrave kimik. Kur do të ruhen ato mbyllen në bunkerë çeliku dhe futen në tunele ku ruhen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo mënyrë kërkon më pak kohë dhe më pak shpenzime. Edhe këtu çdo gjë bëhet me aparate përgjimi, aksesorë që shikojnë se si ndodh ky reaksion zinxhir. Metoda me djegie për një bunker zgjat dy orë. Këtu kostoja më e lartë janë filtrat, pasi janë disa filtra që duhet medoemos të kalojnë LHL dhe të shkojnë deri në neutralizim. Filtrat kanë koston më të lartë.

     Mënyra e dytë

    Kjo mënyrë që quhet më e sigurt është me shpërbërës kimik. Në këtë rast predhat me LHL, kalojnë disa procese speciale, ku hiqet gëzhoja, hiqet baroti, koka e predhës dhe lihet lënda mbushëse me LHL. Kur futet në bunker, apo në fuçi të mëdha, ato ndeshin në lëndë kimike që bien në reaksion që e shpërbëjnë apo e neutralizojnë. Mbas neutralizimit ndiqet e njëjta procedurë, pra lënda ose çohet në fabrika, ku prodhohen plehra kimike, ose ruhet në bunker deri në një kohë të dytë që mund të përdoret.

    Kjo mënyrë është më e sigurt, por ka kosto më të lartë dhe kërkon një kohë relativisht shumë më të madhe. Pra në të dyja këto lloj neutralizimi, n.q.s zbatohen masat e sigurimit teknik, nuk ndodh asgjë. Nuk ka asnjë problem me ambientin dhe me popullatën. Pra vendosja e aparateve të përgjimit, sensorëve, teknikës apo teknologjisë së duhur, bën që të mos ketë asnjë problem.

     Po ato lëndë helmuese që janë neutralizuar në Shqipëri me cilën mënyrë janë neutralizuar?

     Thashë më lart se ne kemi pasur Iprit në Shqipëri. Me sa di unë këto lëndë helmuese janë neutralizuar nga specialistë amerikanë në vitin 2007 në Qaf- Mollë. Neutralizmi i tyre është bërë me djegie. Nuk ka pasur ndonjë problem, pasi janë zbatuar të gjitha rregullat e sigurimit teknik.

     A ka fitim Shqipëria n.q.s merr përsipër neutralizimin e këtyre lëndëve helmuese?

    Sigurisht që ka. OKB ka vendosur 2 miliardë dollarë për neutralizimin e tyre. Marrja e kësaj shume përbën një ndihmë të madhe për ekonominë shqiptare.

     Sa interes kishin udhëheqësit e Partisë së Punës për luftën kimike?

    Drejtuesit kryesorë të Partisë i kanë kushtuar kujdes zhvillimit të mbrojtjes kundra-kimike, në mënyrë të veçantë kur ushtrinë e drejtonte Mehmet Shehu. Ishte udhëheqësi që ka treguar interes dhe kujdes të veçantë për kiminë dhe veçanërisht për zhvillimin tekniko-shkencor, punën studimore dhe projektuese. Ishte shumë konkret, kërkues, njohës i thellë i çështjeve shkencore dhe kërkonte rezultate i informuar për zhvillimet e reja në botë dhe kërkonte nga specialistët që të bënin të pamundurën për t’i realizuar edhe tek ne. Në këtë periudhë drejtor i kimisë ishte Enver Lagji dhe kimia në ushtri pati një zhvillim të paparë, u ngrit Uzina e Kimisë që prodhonte të gjithë artikujt e nevojshëm për ushtrinë, u bënë shumë studime, projekte, eksperimente, u ngritën linja të reja prodhimi, u studiuan dhe eksperimentuan armë të reja etj.. M. Shehu kërkonte informacion të vazhdueshëm për ecurinë e punëve, vështirësitë që dilnin, organizonte konsulta me specialistët, të cilët shumë herë i habiste me njohuritë që kishte. Por nganjëherë ai kërkonte gjëra që ishin krejtësisht të pamundura për t’u realizuar nga specialistët shqiptarë, jo thjesht për arsye aftësie, por kryesisht për mungesë aparaturash e bazë materiale si dhe informacion të hollësishëm teknik për raste të veçanta. P.sh, mund të përmend rastin kur ai kërkonte patjetër të studiohej bomba amerikane tip CBU-54 e përdorur në Vietnam dhe që konsumonte oksigjenin e ajrit. Ne ju përgjigjëm që parimisht jemi në gjendje të studiojmë dhe eksperimentojmë në laborator, por është e pamundur ta kalojmë në fazën e prodhimit të ekzemplarit pilot që kërkonte një investim shumë të madh financiar e njerëzor. Megjithatë ai këmbënguli dhe dha urdhër të fillojë puna. Unë solla nga Vietnami një projekt-ide për këtë gjë dhe u ngrit një grup pune me inxhinier Kudret Meta për realizimin e tij. Pas vetëvrasjes së M.Shehut projekti u ndërpre dhe dosja u arkivua.

    Ç’janë këto LHL-nervoparalizuese, Zarina

    Janë LHL-që veprojnë në sistemin nervor qëndrojnë duke e paralizuar atë dhe duke shkaktuar vdekje të rrufeshme. Janë përbërje që në molekulën e tyre kanë fosfor, prandaj quhen edhe fosfor-organike (F.O.). Janë kompozimit më të rrezikshme që ekzistojnë sot. Për ilustrim po japim një të dhënë: Zarina në rast se merret nga goja mund të shkaktojë vdekjen momentale në sasinë prej 5 mg/njeri ose 1 gram mjafton për të asgjësuar 200 njerëz. Këto LHL-janë sintetizuar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u prodhuan nga shumë vende të botës. Këto LHL- janë baza e armës moderne kimike. Në nomeklaturën e SHBA-ve njihen me siglën G, p.sh. GB- Zarina, në ish-BS me siglën R, Zarina – R-35. Municionet kanë siglat përkatëse dhe kodet e tyre që i i bëjnë të dallueshme nga çdo lloj municioni tjetër. Dyshohet se janë përdorur në konflikte të ndryshme si në luftën Iran Irak 1980-1986, nga rusët në Afganistan etj., por pa konfirmim zyrtar të përdorimit të tyre. Në përgjithësi në konfliktet e ndryshme si në luftën e Koresë, Indokinë, Afganistan, Iran-Irak etj., nga palët ndërluftuese janë përdorur LHL, që kanë sjellë shumë viktima dhe probleme mjedisore dhe përveç sensibilizimit të opinionit publik nuk është mbajtur ndonjë qëndrimi i veçantë ndaj agresorëve. Në Shqipëri nuk ka patur LHL nervoparalizuese në rezervat e ushtrisë. Ato janë prodhuar vetëm në shkallë laboratorike për qëllime studimore në tërësinë e masave mbrojtëse në shkallë vendi. Mund të prodhohen në mënyrë artizanale nëpër laboratorë nga njerëz të specializuar të kësaj fushe, gjë që mund të shfrytëzohen nga terroristët për akte subversive. Si shembull shërben përdorimi i zarinës në metronë e Tokios 1995 e cila ishte prodhuar nga organizata terroriste “Jakuza” në mënyra artizanale dhe që shkaktoi mbi 5000 të helmuar.