“Mëkatet” e Gjiknurit në dështimin e marrëveshjes me CEZ-in çek

    406
    Sigal

    Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri i ka shtuar një tjetër “mëkat” vetes në dështimin e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me kompaninë çeke CEZ Shpërndarje. Duket se do të jetë arbitrazhi ndërkombëtar që do i japë rrugë mosmarrëveshjeve midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ. Kjo, pasi bisedimet mbi zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve po shkojnë drejt dështimit. Burime të brendshme thonë për “Telegraf” se pala çeke i ka kërkuar një shumë që shkon mbi 200 milionë euro qeverisë shqiptare, shumë kjo që do rëndojë së tepërmi taksapaguesit shqiptarë. Ndërsa Ministria e Energjetikës, në drejtimin e z. Gjiknuri, ende dhe sot  nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen sa më shpejt të statusit ligjor të CEZ-it, duke bërë që qeveria shqiptare të jetë në disfavor me kompaninë çeke. Ministria e Energjetikës nuk ka bërë asgjë në drejtim të shtetëzimit të CEZ Shpërndarje, duke shpronësuar një herë çekët (vetëm sa ndryshoi administrator), ndërsa CEZ Shpërndarje avancoi duke depozituar e para padinë në arbitrazh. Nga ana tjetër, FMN po kushtëzon fort qeverinë për ndërmarrjen e një sërë masash dhe reformash në sektorin energjetik (ku ndër të tjera kërkohet rritja e çmimit të energjisë, një tjetër gjobë për taksapaguesit shqiptar). Sektori energjetik gjendet sot përballë një situate të paqëndrueshme financiare (për shkak të mosfaturimit të 72 % të energjisë), si pasojë, pamundësia financiare solli dhe refuzimin nga pala shqiptare për të paguar dëmshpërblimin e kërkuar nga kompania çeke. Dhe e gjithë kjo situatë ka si përgjegjës ministrin e linjës Gjiknuri, i cili ka lejuar që situata me kompaninë çeke të degjenerojë në një situatë katastrofike për taksapaguesit shqiptarë. Ndërsa me të drejtë specialistët pyesin se pse ende ministri Gjiknuri nuk ka vepruar, përveçse të menaxhojë, të marrë në pronësi shtetërore asetet e CEZ, e cila përbën dhe arsyen kryesore të kërkesës për dëmshpërblim prej më shumë se 200 milion euro nga kompania çeke? “Ndërkohë që ka kaluar afati njëvjeçar nga mbikëqyrja e përkohshme, sipas ligjit,  edhe sot e kësaj dite, CEZ Shpërndarje trajtohet si kompani private, duke e lejuar të prokurojë jashtë procedurave të ligjit publik shuma prej dhjetëra miliona Euro, prokurime për të cilat nuk është lejuar as auditimi përkatës i KLSH-së, ndonëse janë hedhur dyshime të forta për përfitime korruptive nga tenderët në fjalë për importimin e energjisë elektrike”, shprehet në rrjetin social Facebook, eksperti i ekonomisë Zef Preçi. Në këtë mënyrë, ministri Gjiknuri, duke heshtur e duke mosvepruar, po rrënon financat publike dhe po penalizon padrejtësisht me miliona euro taksapaguesit shqiptar.

    Historiku i CEZ-it

    Në prag të zgjedhjeve të 2009-s, OSSH u privatizua dhe kompani çeke CEZ fitoi tenderin dhe ushtroi veprimtarinë e tij deri në janar 2013, kur pas një marrëdhënie konfliktuale, u mbyll në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë shqiptare. Aktualisht CEZ Shpërndarje është në administrim të përkohshëm të qeverisë.

    Megjithatë, kjo histori nuk ka përfunduar ende, pasi në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, vendi ynë rrezikon një penalitet deri qindra milionë euro, ndërsa sistemi energjetik është zhytur në një krizë që kërcënon deri sigurinë kombëtare.