Mehmet Shehu, një komedi pas lajmit të vetëvrasjes

2019
ARKIVI/ Çfarë deklaruan TVSH-ja dhe gazeta e PPSH-së, pas lajmit për vdekjen e kryeministrit
Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetëvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Nata ishte e errën pis, si nëpër filma, bënte ftohtë, binte shi dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi askush. Pak orë më parë Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit Bashkim me volejbollisten Silva ishte zhbërë. Por kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq. Rastësi, debulesë për fëmijët, apo prapavija e një pune armiqësore? Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdinjve të deklasuar? Pikëpyetjeve vinin njëra pas tjetrës. Shefi i ashpër i qeverisë, i pacenuar deri në atë kohë, kishte zbritur shkallët e Komitetit Qendror i tendosur e plotë nerv, ndërsa në mendje bluante gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, fundin. Pasi eci pak metra në krah të Enver Hoxhës dhe mori këshillat e rastit, ishte ndarë si hije në terrin që thyhej vetëm nga ca drita neoni të zbehta ndanë rrugës. Hyri i pavëmendshëm në vilën “30”, të blinduar nga rojat e armatosura e civilët që nuk i ndaheshin çdo hap, dhe u ngujua në dhomën e tij të gjumit të ngrohur nga kaldaja. Por i ftohti nuk i kishte dalë. Në veshë i ushtonin zërat kërcënues të atyre që deri në atë çast ai i kishte konsideruar si shokë armësh dhe ideali. Por zhgënjimi nga ajo mbledhje e gjatë ishte edhe më i madh, kur drejt tij hidheshin akuza, të cilat nuk i ishin bërë të ditura asnjëherë gjatë udhëheqjes së tij 27 vjeçare në krye të kabinetit. Akumulimi i gjatë kishte shpërthyer. Orteku i kritikave në Byronë Politike qe i ashpër edhe pse propozimi në fund nuk ishte dhe aq për t’u marrë parasysh. “Vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit”, nuk ishte fundi i botës, por fati i Mehmet Shehut ishte vendosur që pikërisht këtu, pa e marrë këtë vërejtjen e propozuar, bilanci i tij me jetën të ndërpritej. 
Ai vazhdon të cilësohet si kryeministri me jetëgjatësi në historinë 96-vjeçare të shtetit shqiptar. Drejtoi ekzekutivin për 27 vite më radhë. Pas Enver Hoxhës, pretendohej se Mehmet Shehu ishte zëvendësi absolut i tij, duke u karakterizuar si njeri i vendosur, me parime dhe strateg ushtarak. I lindur më 10 janar 1913, në Çorrush të Mallakastrës, ai shfaqi zgjuarsi që në fëmijëri. Si i tillë, u dërgua në Shkollën Teknike Amerikane të “Harri Fultzit” në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1932. Kjo shkollë i shërbeu si një “trampolinë” për t’u hedhur më pas në Akademinë Ushtarake të Napolit, edhe pse nuk arriti ta përfundojë, pasi u përjashtua për motive politike. Në Shqipëri për një kohë të shkurtër me qëllimin e vetëm që të shkonte në Spanjë, ku mori pjesë në luftimet e internacionalistëve gjatë viteve 1937-1939. Pas Luftës së Spanjës, Mehmet Shehu do të provonte internimin në Francë, të cilin e vuajti deri më 1942, vit kur edhe u rikthye në Shqipëri. Shumë shpejt do të lidhej me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ende pa u mbushur vitin, ai zgjidhet me shumicë votash kandidat i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Me krijimin e Brigadës së Parë në Vithkuq, Mehmet Shehu merr komandën e saj. Me organizimin e Këshillave Nacionalçlirimtarë, ai zgjidhet anëtar i tyre gjatë Kongresit të Përmetit dhe në nëntor 1944 gëzon funksionin e plotë të komandantit të Divizionit të parë Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në vitet 1946-1947 Mehmet Shehu u emërua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Duke pasur këtë pozicion të lartë, ai nisi një specializim në Bashkimin Sovjetik, duke kryer Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PKSH-së (1948), pas goditjes së grupit të Koçi Xoxes, ai mori postin e Ministrit të Brendshëm, duke u zgjedhur anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht zv/kryeministër. Nga viti 1954- 1981 Mehmet Shehu ishte numri një i qeverisë shqiptare, pra kryeministër i Shqipërisë dhe në disa periudha (1974-1979) edhe ministër i Mbrojtjes Popullore. Në fund të dhjetorit 1979, ai zëvendësoi Hysni Kapon si sekretar i KQ të PPSH-së. Por edhe pse dukej se tashmë Mehmet Shehu ishte më i fortë se kurrë, dy vite më pas ndodh krejt e kundërta. Fillimisht ai merr disa “goditje” të lehta, ndërsa më 17 dhjetor 1981, Mbledhja e Byrosë Politike ishte fatale për të. Një ditë më pas, mediat shtetërore japin lajmin e thatë dhe pa asnjë emocion: “Vdiq Mehmet Shehu!”. 

Komenti i mediave 
“Mbreti vdiq! Rroftë mbreti”, ose më saktë “Kryeministri vdiq! Rroftë Kryeministri!”. Duket se kjo parrullë që shumë vite më parë i takonte një mbreti u përshtat mrekullisht në politikën e Shqipërisë në fundin e vitit 1981. Kreu i qeverisë komuniste kishte pak orë që kishte ndërruar jetë dhe në dijeni ishin vetëm Byroja Politike e përbërë nga 13 anëtarë. Megjithatë, problemi nuk ishte te udhëheqësit dhe mënyra se si do ta prisnin ata vdekjen e kryeministrit, por te masa e thjeshtë, populli. Për këtë arsye, dy mjetet kryesore të komunikimit masiv, Televizioni Shqiptar dhe gazeta “Zëri i Popullit”, morën udhëzimet përkatëse për dhënien e lajmit. Ndërkohë që Blloku “ziente” nga brenda, në dukjen mediatike flitej për kullotat, pulat, rendimentet, aksionet për ndërtimin socialist të vendit, madje u shfaq edhe një komedi e njohur e Teatrit Popullor, “Ushtari i mirë Shvejk”. 

TVSH-ja
Ora 18.00. Në lajmet e para të mbrëmjes folësi i “Tiranës”, Kiço Fotjadhi shfaqet me fytyrë pak më serioze se netët e tjera. Kronikën hapëse të edicionit prej 12 minutash, padyshim e zuri vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu. Teksa lexoi komunikatën e përgatitur nga kolegjiumi, Kiço Fotjadhi theksoi “vetëvrasje”, duke vijuar pastaj motivin “pas një krizë nervore”. E gjithë kronika nuk ka zgjatur më shumë se një lajm i zakonshëm 30-40 sekondësh, i cili është pasur menjëherë nga një varg kronikash që ishin në kuadër të diskutimeve dhe vendimeve të Byrosë Politike që ishin marrë gjatë punimeve të Kongresit të Tetë. Fotjadhi pasqyroi lajmet që kishin të bënin me realizimin e detyrave të planit nga fshatarët, kooperativistët dhe klasa politike në përgjithësi. U fol për arat, blegtorinë dhe angazhimet në shumë sektorë, por asnjë fjalë tjetër për detajet e vdekjes së kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri. Edhe pse në edicionin kryesor të lajmeve, atë të orës 20.00 u prit diçka më tepër për humbjen e kreut të qeverisë komuniste, deklarata zyrtare vazhdonte të ishte e njëjta. Madje, çuditërisht, kur nga çasti në çast teleshikuesit prisnin ndërprerjen e programeve, dhe futja e muzikës funebër, në mbrëmje vonë shfaqet një komedi… “Ushtari i mirë Shvejk”. 

Një ditë më pas…
19 dhjetor 1981. Ashtu si TVSH-ja, gazeta partiake “Zëri i Popullit” e jep shumë të zbehtë dhe të paplotë lajmin mbi ndërrimin e jetës së kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Në këtë datë, duke iu referuar arkivit, gazeta jep një njoftim të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të RPSSH-së, në lidhje me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut. Njoftimi për vdekjen e njeriut të parë të qeverisë komuniste për 27 vjet me radhë është dhënë në pjesën e djathtë të gazetës “ZP” dhe ishte një deklaratë shumë zyrtare, jo më shumë se ç’kishte deklaruar TVSH-ja 24 orë më parë.

Njoftimi
“Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, njoftojnë se natën duke gdhirë data 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Në vazhdimësi të nekrologjisë, gazeta bën dhe biografi të Mehmet Shehut, duke theksuar ndër të tjera datëlindjen, ditët si ish-internacionalist, luftën për çlirimin e Shqipërisë, si dhe disa nga funksionet që pati deri në momentin e ndarjes nga jeta. Pra, ishte një jetëshkrim i ditur nga të gjithë, pa asnjë lloj komenti të asnjërit prej udhëheqësve apo shokëve të tij. Shkrimi nuk kishte autor, nuk kishte detaje për ceremoninë e organizimit dhe mbi të gjitha nuk ngushëllohej familja. 

Lajme të tjera
Në pamje të parë dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Gjithçka shkonte normalisht. Lajmit mbi vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu i bashkëngjiteshin titujt e tjetër të faqes së parë, si: “Plotësojnë planin dhe përgatiten për fillimin e mbarë të vitit 1982”; “Sukseset kanë krijuar besim të plotë për realizimin e detyrave”; “Arritje dhe perspektiva optimiste”; “Kryejnë me shpejtësi kullimin e ngastrave”; “Ndërtuesit në pararojë”; “Ritme të mira në vjeljen e ullirit dhe mbjelljen e drufrutorëve”. Ndërsa në të njëjtën faqe me lajmin e “vetëvrasjes”, pra në faqen e dytë, figuronin këta tituj, që vijon me shkrimet përkatëse: “Masa të mira për dimërimin e bagëtive; Të ngremë ndërgjegjen e rolin e klasës punëtore në nivelin e detyrave të mëdha; Më shumë vezë për furnizimin e tregut; Për të rritur me përparësi rendimentet në zonën fushore…” etj., etj. 
Reagimi 
Kronikë e një vrasje të paralajmëruar 
Edhe pse Kongresi i 8-të i kishte përfunduar punimet dhe gjithçka mendohej se ishte mbyllur me kaq, Enver Hoxha i kërkon Mehmet Shehut që të bëjë një autokritikë. “Kam tani një çështje tjetër. Dëshiroj t`i rekomandoj Mehmetit që autokritikën për gabimin politik që ka bërë, ta përgatisë sa më parë dhe ta dorëzojë, që të njihen më të gjithë shokët e Byrosë Politike, të cilët janë vënë në dijeni se Mehmeti ka për të bërë autokritikë me shkrim. Përgatitja e autokritikës do të jetë mirë për Mehmetin, se do ta shpëtojë nga një ankth që po e mundon…(“Për Partinë”, vëllimi III-të, Tiranë 1985). Mehmet Shehu e respektoi këtë kërkesë të Enver Hoxhës, duke përgatitur autokritikën e tij. Ia paraqiti në formën e një projekti paraprak, duke shpjeguar fillimisht pozitën e tij familjare. Mehmet Shehu theksonte se i pranonte të gjitha, por nuk kishte se çfarë të shtonte më. Por kjo lloj përgjigjjeje nuk i kënaqi shokët e Byrosë. Enver Hoxha i kërkoi atij në mbledhjen e jashtëzakonshme të Byrosë Politike, më 17 dhjetor 1981, që të bënte një autokritikë më të thellë dhe më të ndjerë. 
Nekrologjia e Enverit
“Gjyqi” pas vdekjes për Mehmet Shehun
Pasi u deklarua “vetëvrasja” e Mehmet Shehut, Byroja Politike u mblodh urgjentisht për të dëgjuar fjalimin e Enver Hoxhës me këtë rast. Kreu i udhëheqjes lexon një fjalim të gjatë, duke shpjeguar para shokëve shkaqet që e çuan Mehmet Shehut drejt vetëvrasjes. Ja çfarë tha ai: “Tani, edhe unë do të lexoj, ashtu siç e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t`i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo po zhvillohet në mungesë të tij, se ai u tregua armik i partisë deri në çastin e fundit, derisa vrau veten….Në një vend të autokritikës së tij, Mehmeti thotë: “Në fillim mendova të veja te shoku Enver”. Pse mendoi të vinte? Kur krushqitë midis familjeve bëhen në vijën e partisë, nuk ka arsye kryesore që të kërkojnë aprovim… Mehmeti jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por mendoi të bënte “fait açompli”… Mehmeti prej kohësh e ka ditur kush janë Muzafer dhe Arshi Pipa, se ka qenë vetë ministër i Brendshëm. Gjithashtu, ai u përpoq të më impresiononte mua me atë që djali mund të vriste veten, prandaj i thashë tekstualisht: “Shiko Mehmet, të siguroj unë se djali nuk është nga ata që vrasin veten. Ai ka bërë shumë poshtërsi me gra, prandaj mos ki frikë nga kjo anë për të”. Enver Hoxha dënoi fuqishëm “kultin e individit” të Mehmet Shehut, duke theksuar se: “Dua të shpreh bindjen që ashtu si të gjithë ne, edhe Mehmeti do të jetë në krye të punëve që i ka ngarkuar partia. Mehmeti nuk pati durim, vrau veten dhe nuk e dëgjoi diskutimin tim, që bashkohet dhe është në akord me vërejtjet, nuk kishte besim tek partia, e kishte humbur besimin e saj”.
KRONOLOGJIA
Ditët mediatike para “vetëvrasjes” 
16 tetor 1981 – Në “ZP” lajmërohet mbledhja e pleniumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku janë miratuar raportet që do të mbanin në kongresin e 8-të, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Kryeministri kishte si temë: “Mbi direktivat e Kongresit të 8-të të PPSH-së për planin e 7-të pesëvjeçar të zhvillimit të ekonomisë e të kulturës në RPSSH”

24 tetor 1981 – “ZP” njofton se një ditë më parë është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të urdhrit “40 vjet PPSH”. Këtu anëtarët e Byrosë kanë dekoruar njëri-tjetrin dhe Enver Hoxha mban një fjalim. 

29 tetor 1981 – Gazeta pasqyron aktivitetin e zhvilluar një ditë më parë, me rastin e përurimit të Muzeut Kombëtar, si dhe foton e përbashkët të Ramiz Alisë, Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Në aktivitet ishin të pranishëm: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Pali Miska, Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, etj

30 tetor 1981 – Njoftohet se Ramiz Alia preu shiritin e ekspozitës kombëtare të arteve figurative në Galerinë e Arteve në Tiranë. Bashkë me të kanë qenë të pranishëm edhe Manush Myftiu, Rita Marko, Simon Stefani, Nexhmije Hoxha dhe sekretari i parë i Komitetit të PPSH-së për Tiranën, Gaqo Nesho

31 tetor 1981 – Lajmërohet se në Komitetin Qendror të PPSH-së është dhënë një pritje për nder të delegacioneve të partive motra marksiste-leniniste, të cilat kishin ardhur për të marrë pjesë në punimet e kongresit të 8-të të PPSH-së

6 nëntor 1981 – Botohet raporti i Mehmet Shehut i mbajtur në Kongresin e 8-të të PPSH-së, por pa foton e tij. Kjo ishte hera e parë që nuk publikohej fotoja e kryeministrit

9 nëntor 1981 – Gazeta paraqet mitingun e zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, me rastin e mbylljes së punimeve të Kongresit të 8-të të PPSH-së

28 nëntor 1981 – Lajmërohet se në Vlorë është përuruar përmendorja e Hysni Kapos, me pjesëmarrjen e Ramiz Alisë, Nexhmie Hoxhës, Kadri Hazbiut, Manush Myftyut, Shefqet Peçit, Vito Kapos, Themije Thomai, etj..

18 dhjetor 1981 – Gazeta lajmëron për vetëvrasje për shkaqe psikike të Mehmet Shehut. Krahas tij, ekspozohen tituj që kishin të bënin me blegtorinë, bujqësinë, arritjet dhe fitoret në angazhimet e marra.
Leonard VEIZI
Sigal