Mehmet Metaj: Vandalizmat në pyje kanë sjellë erozion drastik, nga më të mëdhenjtë në botë

    368
    Sigal

    Flet Mehmet Metaj, Drejtor i “Qendra Albaforest”: Zhveshja nga pyjet përmbyt çdo vit Shkodrën dhe Lezhën

    Përmbytjet e mëdha dhe të papërmbajtshme në zonat e Shkodrës, Lezhës, por dhe në shumë zona të tjera të vendit, për shkak se ka vite apo dekada, tashmë, që nuk bëhen më investime as për rimbjellje, as për prita malore. Kështu shprehet në një intervistë për “Telegraf” inxhinieri i pyjeve Mehmet Metaj, Drejtor Ekzekutiv i “Qendra Albaforest”. “Pyjet e lartë janë prerë dhe s’ka kush e pengon ujin, pasi pyjet e vërteta, do të mbanin rreth 20 % të reshjeve” shprehet z.Metaj.

    Cilat janë pasojat nga prerja e pyjeve dhe zhveshjes së ujëmbledhësve ?

    Së pari, nga shkretëtirëzimi dhe vandalizmat ekologjike në pyje, sot ne kemi erozion drastik nga më të mëdhenjtë në botë, me një gërryerje të shkallës më të lartë dhe prurje të ngurta që matet nga 20-30 ton/ha/vit (më e larta në Europë dhe nga më të lartat në botë). Së dyti, nga prerjet e pyjeve në zonat e larta, kodrinore dhe malore, kanë ndodhur dy-përmbytje masive në zonat e Shkodrës dhe Lezhës, kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve në masën mbi 30 % për rreth 40 vjet dhe ato po shkojnë drejt skadencës ( nga 100 vjet të parashikuara në projekt), që një ditë do të bëhen shqetësim jo vetëm për ne, por për më gjerë etj. Së treti, vihet re prej vitesh pakësimi i ujërave të lumenjve, tharja e burimeve dhe ndryshime klimatike e mikroklimatike dhe në qytete shtimi i smogut dhe i dioksidit të karbonit, nga prerja e kurorave të qyteteve.

    Për t’i thënë stop abuzimeve është hedhur ideja e një moratoriumi për pyjet, a mund të “shpëtojnë” pyjet nga ky moratorium?

    Nisur nga shfrytëzimi ilegal dhe trafikimi i materialit drusor, ku çdo vit, në mënyrë të paligjshme janë prerë dhe eksportuar rreth 1.5-2 mln m3 material drusor, nga e cila rreth 1.5 mln m3 janë dru zjarri dhe nga e cila prodhohet dhe qymyri drurit që del jashtë (kjo e stimuluar dhe nga parimet e pranuara të anëtarësimit të Shqipërisë në OBT (Organizata Botërore e Tregëtisë), u mor iniciativa dhe doli një V.K.M.  Nr. 648 datë 13.12.2002 për “Ndalimin e përkohshëm të prerjes së lëndës drusore, me përjashtim të asaj që përdoret për dru zjarri”, i cili u abrogua pasi mbeti i pazbatueshëm. Shqipëria me gjithë gjendjen e rëndë të pyjeve dhe daljen nga kontrolli të prerjeve ilegale të tyre, nuk mund dhe nuk duhet të bëj moratorium për shfrytëzimin e pyjeve (se kjo s’mund të ndalohet, se fshatarësia në zonat rurale do ngrohet domosdoshmërisht me dru zjarri), por mund e duhet të adoptojë një moratorium rajonal i shfrytëzimit të pyjeve (resilience, me përjashtim të druve të zjarrit dhe kjo vetëm për plotësimin e nevojave të fshatarësisë) dhe moratorium kombëtar për eksportet e materialit drusor për një periudhë të pacaktuar dhe promovimi i maksimizimit të funksioneve turistike dhe publike të pyjeve, deri në një rivlerësim të gjendjes e rikuperimi të pyjeve dhe ekosistemeve pyjore (mbi 10-vjet). Kjo ka qenë dhe pika e parë e objektivave strategjike që në vitin 2004.

     Cila do të ishte politika e re për ringritjen e sektorit të pyjeve dhe të Shërbimit Pyjor në Shqipëri?

     Duhet të jetë një politikë afatgjatë, 10 vjeçare (2013-2023), ku do të përfshinte:

    •      Strategji e re e Sektorit të Pyjeve dhe Kullotave;

    •      Ligj i ri “Për Pyjet dhe Shërbimin Pyjor”;

    •      Uljen e nivelit të prerjeve ilegale, përmes moratoriumit të eksportit të materialit drusor

    •      Përmirësimi i qeverisjes së pyjeve, përmes ringritjes institucionale;

    •      Reforma dhe zhvillimi institucional duke krijuar institucionin e mbarështimit të pyjeve;

    •      Riinventarizimi kombëtar i fondit pyjor dhe kullosor;

    •      Mbyllja dhe kompletimi i procesit të dhënies së pyjeve në përdorim te komunave dhe krijimi i njësive/strukturave lokale për mbarështimin dhe shfrytëzimin e pyjeve komunale nga vetë komuniteti.