Mehdi Pogaçi:Gjykatat, shpesh herë, i është nënshtruar trysnisë së ushtruar nga politika

    84

    Intervistë/Mehdi Pogaçi, President i SHKURSH: Ka 8 vjet që mungon shteti ligjor

    “Më 23 qershor 2013, u mbyll një kapitull i zymtë për ushtarakët e të gjitha kategorive”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, z.Mehdi Pogaçi, Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, SHKURSH. Pogaçi pretendon nga koalicioni i ri fitues, që kur të jenë në detyrë, të kthejnë shtetin ligjor, atë që sipas tij ka munguar për 8 vjet, “ka 8 vjet që mungon shteti ligjor, ku vendimet e gjykatave, sidomos atyre të shkallëve të lartë siç është Gjykata Kushtetuese thjesht nuk zbatohen”. Pogaçi tregon dhe për detyrat që i dalin qeverisë së re, në favor të zgjidhjes së problemeve të ushtarakëve, “një zgjidhje të përshtatshme” siç shprehet dhe vetë ai. Gjithashtu në këtë intervistë, Pogaçi shprehet edhe për rrëzimin e kërkesave të ushtarakëve nga gjykatat, ku sipas tij, “gjithçka varet nga gjyqtarët dhe nga gjykatat e niveleve te ndryshme, se sa profesionale dhe sa të pavarur nga politika janë”.

    Zoti Pogaçi, zgjedhjet përfunduan dhe koalicioni i majtë, të cilin ushtarakët mbështetën është tashmë fituese. Çfarë prisni nga qeveria e re?

     Po, më 23 qershor 2013, u mbyll një kapitull i zymtë për ushtarakët e të gjitha kategorive, ashtu si për të gjithë popullin shqiptar. Prandaj, së pari, dëshiroj në emër të ushtarakëve aktivë, në rezervë, në pension dhe në lirim, t’i uroj suksese dhe punë të mbarë koalicionit fitues. Ushtarakët, si gjithë populli shqiptar, presin shumë nga kjo maxhorancë e re, pasi kanë 8 vjet që luftojnë e përpiqen për mbrojtjen e të drejtave të tyre, por që kanë pësuar zhgënjim pas zhgënjimi, për shkak të përkeqësimit permanent të të drejtave të tyre ligjore, si dhe të shkeljes e nëpërkëmbjes së tyre. Ka 8 vjet që mungon shteti ligjor, ku vendimet e gjykatave, sidomos atyre të shkallëve të lartë siç është Gjykata Kushtetuese, jo thjesht nuk zbatohen, por nuk përfillen fare. Fatkeqësisht, sistemi gjyqësor, shpesh herë, i është nënshtruar pushtetit politik e atij ekzekutiv, duke mos e treguar forcën që ai ka si pushtet në vetvete.

     Në situatën e re të krijuar dhe që do të krijohet mbas  shtatorit, kur  do të kompozohet qeveria e re, cilat janë nevojat më emergjente të ushtarakëve që duhen rregulluar menjëherë nga ana e qeverisë së re?

     Së pari, me një VKM të bëhet ndërprerja e menjëhershme e rillogaritjes dhe uljes së pensionit të parakohshëm, për atë kategori ushtarakësh, të cilët janë katandisur në pension minimal dhe janë, njëkohësisht, debitore dhe paguajnë shuma të mëdha të prapambetura. Rillogaritja  të vazhdojë vetëm për rastet kur pensioni i parakohshëm rritet, në përputhje kjo me vendimet nr. 9 të vitit  2007 dhe nr.33 të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese.

    Së dyti, kthimi gradual i shumave të mbajtura nga kjo rillogaritje

    Së treti, realizimi i një kuadri të ri ligjor për përmirësimin e të drejtave të ushtarakëve, duke synuar drejt arritjes së niveleve të përcaktuara në statusin e ushtarakut të vitit 2004, status i cili përafron me të drejtat e homologëve tanë të vendeve të tjera të NATO-s.

    Së katërti, shfuqizimi i Aktit famëkeq Normativ, duke mbyllur përfundimisht uljen e pensioneve në masën, 11 lekë të reja dhe krijimin e kushteve për rritjen e tyre, mbi bazën ligjore të para Aktit Normativ.

    Është e natyrshme që këto procedura do të zhvillohen gradualisht, në përputhje me mundësitë financiare që do të ketë dhe do të krijojë qeveria e re. Ne nuk jemi për t’i vënë lakun në fyt qeverisë së re, por të bashkëpunojmë më ngushtësisht për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për ushtarakët.

    A është e vërtetë që janë ndërprerë gjyqet për ushtarakët, nëse po, përse ka ndodhur kjo?

     Gjyqet nuk janë ndërprerë, por  për shkak të trysnisë së ushtruar nga politika dhe ekzekutivi i deritanishëm ndaj gjyqësorit, ka filluar një rrëzim  i shumë kërkesave nga ana e gjykatave. Kjo ndodh edhe për shkak të vendimit nr. 2 të vitit 2013 të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili, në fakt, vetëm rrëzon kërkesën e xhenjerëve për ” shfuqizimin e Aktit Normativ” dhe nuk ndryshon asnjë gjë nga situata e mëparshme, por që pompohet si një rrëzim ” i kërkesave të ushtarakëve” për të fituar të drejtat me gjyq. Kjo nuk duhet të ndodhë, pasi ka dy vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që ua japin ushtarakëve këto të drejta dhe që askush nuk i ka rrëzuar. Megjithatë, dua të theksoj se gjithçka varet nga gjyqtarët dhe nga gjykatat e niveleve te ndryshme, se sa profesionale dhe sa të pavarur nga politika janë. Kushtetuta përcakton se gjyqtari, kur e gjykon se një ligj nuk përputhet me Kushtetutën, nuk e merr parasysh atë dhe nuk e zbaton.