Mehdi Pogaçi:E vërteta për përfshirjen e ushtarakëve në politikë dhe marrëveshja që i bashkon

    409
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçi

    Marrëveshja e arritur midis Shoqatës Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, përbën një ogur të mirë për të ardhmen e kategorisë së ushtarakëve të cilëve u janë nëpërkëmbur të drejtat e tyre. Në lidhje me marrëveshjen e bërë zoti Pogaçi, ka theksuar se kjo marrëveshje është bërë për të zhdukur çdo zë kundër ushtarakëve dhe shoqatave të tyre, për të mos lejuar që minishoqata të shërbimeve apo institucioneve të tjera të abuzojnë, për të mos lejuar qeveritë dhe politikën në tërësi të shkelin interesat e ushtarakëve. Zoti Pogaçi, po ashtu është shprehur në lidhje me alternativat për përfshirje në politikë se: “do të jenë: -marrëveshje direkt me njërën nga partitë kryesore, si shoqatë e përbashkët; -krijimi i një subjekti politik, parti politike; – vendosja e kandidaturave të anëtarëve të shoqatave tona në parti të ndryshme politike, me kusht që ata dhe partitë e tyre, të marrin angazhime me shkrim dhe të ngrenë që në fushatë problemet e ushtarakëve”.

    -Zoti Pogaçi, para pak ditësh dy shoqatat më të mëdha të ushtarakëve, bënë një marrëveshje. Cilat janë objektivat që kanë vendosur si primare këto shoqata?

    -Po, u arrit në përfundimin për të realizuar një marrëveshje dypalëshe, në të mirë të interesit të përgjithshëm të ushtarakëve. Kuptohet që të dyja palët ishim në të njëjtin mendim për të gjitha çështjet kryesore, duke kritikuar lëvizjet e deritanishme të ”pavarura”, të cilat kanë krijuar dhe mund të krijojnë, në të ardhmen, dëme për interesin e ushtarakëve dhe jo përfitime. Gjithashtu për të zhdukur çdo zë kundër ushtarakëve dhe shoqatave të tyre, për të mos lejuar që minishoqata të shërbimeve apo institucioneve të tjera të abuzojnë, për të mos lejuar qeveritë dhe politikën në tërësi të shkelin interesat e ushtarakëve, u vendos që ky bashkëpunim të institucionalizohet me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi, të cilën do ta paraqesim së shpejti.

    -A u diskutua për çështjen e krijimit të partisë dhe çfarë u vendos?

    -Krijimi i një partie, me pjesëmarrjen e ushtarakëve dhe të familjarëve të tyre, por edhe më gjere, ekziston prej vitesh. Gjithmonë, baza ka propozuar, duke parë nënvleftësimin e politikës ndaj problemeve të ushtarakëve, duke parë mungesën e përfaqësimit  në Parlament nga përfaqësues direkt të saj, por vetëm nga servilë, të cilët nuk ngrenë kokën dhe nuk kanë guximin të flasin  në mënyrë të pavarur për interesat e ushtarakëve. Kështu, ky opsion ka qenë gjithmonë në tavolinën jo thjesht të shoqatave, por të një spektri më të gjerë. Them të një spektri më të gjerë, pasi votuesi shqiptar, i njeh ushtarakët dhe vlerat që ata mbartin, njeh ndershmërinë dhe devocionin e tyre, patriotizmin dhe ekzigjencën, mundësinë që ata kanë të sjellin vlera në këtë fushëbetejë politike. Politika e sotme, ka mbi 20 vjet që rrotullohet në një qerthull të mbyllur, ku si forcat centrifugale për të flakur njerëz pa vlera të spikatura, si  forcat tërheqëse për të grumbulluar njerëz me vlera, janë të dobëta. Politika është e kënaqur me Status Quo-në, e frikësuar nga ndryshimet dhe, për pasojë, zgjedhësi është bërë indiferent dhe zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë ajo forcë politike apo koalicion që do të jetë në gjendje të gjenerojë vlera për të bindur indiferentët të votojnë për të dhe jo ajo forcë që mbështetet thjesht të anëtarësia e vetë, ku, dhe ajo, shpesh, e pakënaqur nga e kaluara. Por le të vijmë te pyetja juaj, ku realisht është diskutuar për këtë problem dhe po punojmë për këtë gjë. Ndërkohë ne e lamë të hapur mundësinë se, nëse  do të ketë marrëveshje bilaterale të partive politike me shoqatat e ushtarakëve, të cilat e gëzojnë këtë mundësi edhe me statusin e shoqatës, ndoshta krijimi i një partie politike dhe për shkak të kohës së pakët në dispozicion, do të përjashtohet si mundësi.

    -Ushtarakët janë shprehur se do të përfshihen në politikë me domosdo edhe nëse nuk do të krijohet partia, në cilin kah politik do të jenë të përfshirë ato?

    -Po, kjo është e vërtetë dhe këto mundësi, sipas diskutimeve dypalëshe, do të jenë: -marrëveshje direkt me njërën nga partitë kryesore, si shoqatë e përbashkët; -krijimi i një subjekti politik, parti politike; – vendosja e kandidaturave të anëtarëve të shoqatave tona në parti të ndryshme politike, me kusht që ata dhe partitë e tyre, të marrin angazhime me shkrim dhe të ngrenë që në fushatë problemet e ushtarakëve. Në këtë rastin e fundit, shoqatat e ushtarakëve do i bëjnë thirrje anëtarësisë të votojnë për kandidatët ushtarakë, kudo ata të jenë. Gjithmonë ata kandidatë të caktuar nga shoqatat.

     -A do të vazhdoni përpjekjet për të rregulluar padrejtësitë që ju ka bërë Akti Normativ?

    -Patjetër, ky është objektivi ynë më imediat. Së pari, në do të kërkojmë  ndërprerjen e rillogaritje dhe uljen e pensionit të parakohshëm për një pjesë të penalizuar ushtarakësh, policësh, punonjës të shërbimit informativ, etj. Së dyti, do të kërkojmë shfuqizimin e Aktit Normativ famëkeq dhe së treti, do të kërkojmë  me këmbëngulje zbatimin e ligjeve në fuqi dhe dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

    Pikat e marrëveshjes mes shoqatave të ushtarakëve

    Në takim u ra dakord që të forcohet më tej dhe më shumë se deri më sot bashkëpunimi i dy shoqatave të ushtarakëve dhe bashkërendimi i tërë aktivitetit të tyre në interes të grupimit të ushtarakëve në rezervë në pension, por edhe të atyre aktivë. Ky bashkëpunim do të përshijë deri në marrëveshjet që mund dhe do të bëjnë shoqatat e ushtarakëve në spektrin politik shqiptar, në kuadrin e fushatës e zgjedhjeve të ardhshme politike. Duke ruajtur karakteristikat dhe anëtarësinë e vetë, dy presidentët e shoqatave ranë dakord që në të ardhmen të dalin si një zë i vetëm në mbrojtje të interesave ekonomike, sociale për të gjithë ushtarakët shqiptarë. Në takim Presidenti i SHKUSH-it zoti Mehdi Pogaçi, shoqërohej nga sekretari për marrëdhëniet me jashtë zoti Enver Hajdari. Ndërsa Presidenti i AKUSH-it zotit Kujtim Çako, shoqërohej nga sekretari për marrëdhëniet me publikun dhe institucionet shtetërore zoti Aleksandër Mihali.